E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi, rikthehet edhe tiranasi Ervis Ismolli

Nga KRISTI LILO

Futbollisti tiranas Ervis Ismolli, që ka luajtur për disa sezone me Gramozin, tashmë është rikthyer në ekip për tu aktivizuar edhe për një vit tjetër me kolonjarët. Me afrimin e tij trajneri Peçi u shpreh tepër i kënaqur, pasi reparti i mbrojtjes është kompletuar plotësisht. Arritjen e marrëveshjes me drejtuesit e klubit e pohon edhe vetë lojtari në fjalë, i cili shprehet: Po është e vërtetë që në sezonin e ri do të luaj përsëri me Gramozin, pasi këtu kam gjetur një frymë pozitive dhe lojtarë me dëshirë për të ecur përpara. Por, ajo që më shtyu edhe më tepër është kontributi që mund të jap në këtë skuadër dhe së bashku me dy ish-kolegët e mi në sezonin e kaluar, të cilët tashmë janë në krye të stafit teknik, Peçin dhe Shupen do të përpiqemi të arrijmë objektivin e ngjitjes në Kategorinë e Parë. Kam vënë re se po punohet me seriozitet të lartë edhe po bëhen afrime cilësore, mbi të gjitha të atyre lojtarëve që kanë qenë pjesë e skuadrës edhe më parë, të cilët e njohin shumë mirë ambientin këtu dhe e kanë treguar edhe më parë se kontributi i tyre është i domosdoshëm për të ardhmen e ekipit, por edhe të ardhurit nga kjo merkato, siç janë futbollistët brazilianë, apo edhe të tjerë vendas do të jenë përforcime që do ti shtojnë më tepër kualitet skuadrës,- përfundon tiranasi Ervis Ismolli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›