Gramozi, shkon në katër numri i brazilanëve të afruar
Nga KRISTI LILO
Gramozi duket se më në fund po lëviz fuqishëm në merkato. Ajo që pritej kur filloi përgatitja për sezonin e ri po konkretizohet tani me afrimin e shumë lojtarëve me eksperiencë. Ndërkohë që trajneri i sapo emëruar në krye të kolonjarëve, Visi Peçi duket mjaft entuziast për gjendjen e ekipit, që sipas tij po konsolidohet dita-ditës. Seanca e djeshme ka qenë e populluar nga shumë sportdashës, por edhe nga një numër i lartë futbollistësh të afruar së fundi, falë investimeve të kryebashkiakut të qytetit, z. Ali Laho, njëkohësisht edhe president i klubit, i cili po shpreh edhe një interesim të lartë për ecurinë e skuadrës. Kështu, ditën e djeshme te Gramozi kanë mbërritur dy lojtarë të tjerë brazilianë, të cilët vijnë për herë të parë në Shqipëri. Bëhet fjalë për Andrea Markos Da Silva, 28 vjeç, i cili ka luajtur me S.C. Ipiranga dhe për Fernando Costa Neto, 29 vjeç që më parë është aktivizuar me Chapecomes. Shkesë për afrimin e tyre te kolonjarët ka qenë ish-futbollisti i Gramozit për pesë sezone, Leonardo Martins. Ata pasi kanë biseduar me drejtuesit e klubit dhe me stafin teknik kanë filluar stërvitjen me pjesën tjetër të lojtarëve. Nga ajo çka mësohet, duket se lojtarët në fjalë kanë rënë parimisht dakord për të mbrojtur ngjyrat e Gramozit vitin e ardhshëm, megjithatë, për të vërtetuar përfundimisht këtë version, duhen pritur edhe disa ditë deri javën e ardhshme, ku skuadra ka planifikuar edhe zhvillimin e një miqësoreje me Tomorit. Më pas mendohet të hidhen edhe firmat përkatëse nga të gjithë lojtarët e Gramozit, edhe pse këta të fundit, këtë sezon do të luajnë në Kategorinë e Dytë.
