E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja vuan mungesën e miqësoreve, nuk gjejnë dot kundërshtarë

Verdhjeshilët e drejtuar nga trajneri Bano, në mungesë të kundërshtarëve për të zhvilluar takime miqësore kanë gjetur zgjidhje duke luajtur ndeshje kontrolli mes tyre

 

Nga JULIAN KASAPI

Skuadra lushnjare përfundon sot përgatitjet në plazhin e Divjakës. Verdhjeshilët kanë qëndruar për rreth dy javë në këtë grumbullim dhe vëmendja e teknikut Bano dhe stafit që ai drejton ishte e përqendruar në dhënien e ngarkesave të duhura të futbollistëve që ishin prezentë. Lushnja edhe pse kishte parashikuar zhvillimin e miqësoreve gjatë kësaj periudhe me skuadra të tjera, për të vëzhguar kështu edhe gjendjen e lojtarëve, nuk ka mundur dot të gjejë asnjë kundërshtar të gatshëm për të realizuar këtë qëllim. Por duket se stafi teknik ka gjetur deri diku një zgjidhje, ku në mesjavë lushnjarët kanë zhvilluar një ndeshje kontrolli mes tyre.  Në fushën e gjelbër është vënë përballë njëri-tjetrit ekipi i formacionit të parë me atë të lojtarëve që vijnë nga stoli, ose elementët e rinj në moshë. Trajneri Artan Bano është shprehur optimist për punën e bërë deri në këto momente, ku i gjithë kontingjenti që është në dispozicionin e tij po jep maksimumin gjatë seancave stërvitore. Tani mbetet ti jepet dora e fundit organizimit të skuadrës në përcaktimin e zgjedhjeve taktike, e cila mund të ndryshojë gjatë sezonit, në bazë edhe të formës së secilit futbollist. Lushnja dy ndeshjet e para të edicionit të ri futbollistik do ti zhvillojë në shtëpi dhe më pas do të zhvendoset në stadiumin e qytetit të Beratit, pasi impianti, në të cilin kanë luajtur deri tani ka nevojë për në rikonstruksion, i cili do të fillojë më datë 22 shtator të këtij viti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›