E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi, stafi dhe tifozët përgëzojnë lojtarët

Nga Kristi Lilo

Drejtuesit kolonjarë kanë vlerësuar paraqitjen e ekipit në ndeshjen e fundit, duke ia faturuar humbjen vetëm gjykimit të njëanshëm

Ndryshe nga çdo humbje e mëparshme, me Elbasanin Gramozi ka luajtur shumë mirë, ndaj dhe tifozët nuk kanë reaguar ndaj lojtarëve të tyre. Në fushë është parë një ekip kërkues, që gjatë 90 minutave ka bërë një lojë të kënaqshme. Humbjen tifozëria kolonjare ia faturon treshes së gjyqtarëve nga Tirana, duke i bërë edhe apel FSHF-së.

Pyetja e tyre është: çmund të bëjë një tifozëri, kur shikon gjithë ato padrejtësi që i bëhen ekipit në fushën e tij? Gjërat vështirësohen së tepërmi për Gramozin, edhe pse drejtuesit dhe lojtarët e tij shprehen se ekipi do të qëndrojë në kategorinë e parë, sepse janë në lojë edhe shumë pikë. Ata shpresojnë që ditën e mërkurë të vijë kthesa në takimin e prapambetur me Besën.

Trajneri Ilir Qirjako, i cili e ka kontestuar shumë gjykimin e Beqirit pas ndeshjes, e ka përgëzuar grupin e lojtarëve për nivelin e lojës. Ai është shprehur me fjalët më të mira për të gjithë. Gjithsesi, duhet pranuar se Gramozi kishte nevojë për tri pikët në atë ndeshje, për të shpresuar në qëndrimin në kategorinë e parë.

Trajneri Qirjako u është drejtuar lojtarëve dje, duke u thënë që të mos demoralizohen nga ai rezultat dhe që të vazhdojnë me këtë ritëm dhe këtë frymë edhe në mesjavë me Besën. Për trajnerin kolonjar, të gjithë luajtën mirë, por ai veçon veteranin Peçi dhe dy mesfushorët Çela dhe Musabelliu, autorët e golave. Gramozi, edhe pse e ka filluar keq fazën e dytë, kam besim se do të dalë nga kjo gjendje dhe do të qëndrojë në kategorinë e parë, theksoi mes të tjerash trajneri Qirjako.

Kryebashkiaku Ali Laho, që e ndoqi takimin e fundit mes tifozërisë kolonjare, pritet të zhvillojë sot një takim me të gjithë lojtarët dhe stafin drejtues. Të ftuar do të jenë dhe disa veteranë të futbollit kolonjar, që do të diskutojnë për daljen nga kriza të Gramozit. Edhe kryebashkiaku Laho ka folur me nota pozitive për paraqitjen e ekipit në takimin me Elbasanin, pavarësisht humbjes, që edhe sipas tij, erdhi vetëm për shkak të gjykimit të njëanshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›