E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Laze: Po kthehet Elbasani i frikshëm

Nga Elton Karaj

Numri 1 i ekipit verdheblu, Arben Laze, thekson se të tijtë luajtën ndeshjen më të mirë të këtij kampionati në Ersekë

Elbasani ka marrë të shtunën fitoren e dytë jashtë fushe. Pas asaj në derbin me Gramshin, elbasanasit janë kthyer me 3 pikë nga Erseka, ku kanë arritur një fitore shumë të rëndësishme ndaj Gramozit vendës. Verdheblutë kanë shënuar jo pak, por 4 gola në këtë transfertë, me autorë Dalipin, Galicën dhe Kuçin.

Elbasani mbetet kështu brenda objektivit dhe, çështë me e rëndësishme, ka një moral më të lartë për javët e mbetura. I pranishëm në stadiumin e Ersekës ishte edhe presidenti i verdhebluve, Arben Laze, i cili ka mbetur mjaft i kënaqur nga ekipi. Në intervistën e mëposhtme për Sportin shqiptar ai flet për atmosferën, ku u luajt ndeshja, suksesin dhe të ardhmen e ekipit të tij.

Zoti Laze, cili është komenti juaj për fitoren e së shtunës në fushën e Gramozit?
Ishte një fitore mjaft e bukur dhe e rëndësishme, që më ka kënaqur pa masë. Nuk ka si të mos mbetem i kënaqur nga një fitore, aq më tepër jashtë fushe. Ishte një ndeshje, ku Elbasani më ka rikthyer emocionet e viteve të fundit, kur shihim të gjithë një ekip të fortë, madje edhe kampion të superligës.

Keni udhëtuar bashkë me ekipin për në Ersekë. Çfarë ambienti keni gjetur atje?
Kam mbetur i mahnitur nga mikpritja e kolonjarëve, si dhe nga publiku i mrekullueshëm që ishte i pranishëm në stadium. Dua të falënderoj për përkujdesjen e veçantë stafin e hotel Devi, sepse na afroi kushte mjaft të mira. Gjithashtu, gjej rastin të falënderoj tifozët e Gramozit për qëndrimin e tyre mjaft korrekt gjatë ndeshjes, edhe pse ekipi i tyre po humbiste.
Lojtarët kanë bërë autokritikën pas barazimit të një jave më parë me Besëlidhjen. Çfarë do të thotë kjo për ju?
E përsëris, kam mbetur shumë i kënaqur nga ekipi im. Ka qenë një ndeshje perfekte, madje mund ta them pa frikë se ishte ndeshja më e mirë që kemi zhvilluar këtë sezon. Kjo fitore ishte dhurata më e bukur që më dhuruan djemtë për festën e Ditës së Verës.

A mund të themi tani se Elbasani është rikthyer ai ekip i frikshëm që prisnin të gjithë?
Po, tani mund ta themi se Elbasani u rikthye. Të gjithë të jenë të bindur se ekipi do të rikthehet në superligë. Dua ti garantoj të gjithë se Elbasani është një ndryshe nga ai i fazës së parë dhe se tani çdo kundërshtar do ta ketë të pamundur të fitojë përballë nesh.

Cili është objektivi juaj për javët e mbetura të kampionatit?
Minimumi që kërkojmë është pjesëmarrja në play-off. Jam i bindur se do tia dalim të jemi në 5-shen e parë. Nuk trembemi nga asnjë kundërshtar, edhe nga ai që do të kemi përballë në ndeshjen shtesë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›