Kriza globale dhe mungesa e etikës në ekonomi
Në përgjithësi për etikën flitet pak, dhe akoma më pak për fenomene e dukuri të të gjitha fushave e sferave që duhet t’i nënshtrohen filtrit apo gjykimit etik, përfshirë këtu dhe ekonominë. Po të diskutosh me politikanët, vendimmarrësit, biznesmenët, konsumatorët apo thjesht me qytetarët, ose nuk e kanë idenë se çfarë është etika si koncept dhe normë, ose e barazojnë thjesht me moralin fetar dhe në rastin më të mirë shprehin keqardhjen se shoqëria shqiptare ka shumë nevojë për etikë në gjithë hallkat e saj. Kjo është e vërtetë dhe në ekonomi, financë e funksionimin e biznesit në veçanti. Ekonomia dhe etika duken si një binom problematik e larg njëri-tjetrit. Etika ekziston shumë e zbehtë si element i debatit publik e mediatik dhe është pothuajse inekzistente në strukturat e programeve shkollore apo universitare, sidomos në fushën e ekonomisë dhe financave. Ndërkohë, pasojat negative të kësaj “distance” apo “mungese të madhe”, i ndiejmë çdo ditë. Kriza ekonomiko-financiare që po trondit botën i dedikohet në masë të konsiderueshme edhe mungesës apo mosrespektimit të normave e standardeve etike. Shumë “arritje apo zhvillime spektakolare të tregjeve dhe inovacioneve financiare” që gjeneruan krizën financiare u “frymëzuan” dhe gjetën rrugë të lirë pikërisht nga neglizhimi apo injorimi i standardeve dhe normave etike. Në thelbin e paketave “anti-krizë” apo strategjive të zhvillimit ekonomik e financiar po gjejnë vend gjithnjë e më shumë “preokupimet për futjen dhe konsolidimin e rregullave etike sa më transparente e të domosdoshme për t’u zbatuar në çdo hallkë të ekonomisë, financave dhe menaxhimit”.
Kriza aktuale që praktikisht ka prekur direkt apo indirekt gjithë globin nuk “është thjesht dhe vetëm financiare apo ekonomike” dhe për këtë arsye edhe zgjidhja e saj nuk mund të jetë “tërësisht dhe vetëm financiare”. Kur një sistem i tërë ekonomiko-financiar bie në një situatë të tillë kaq problematike për të ardhmen e ekonomisë, çoroditjen e rëndë të tregjeve financiare, cenimit të vlerës apo dhe vetë ekzistencës së monedhave të caktuara etj., kjo nuk mund të ketë vetëm motive ekonomike apo financiare, por më shumë se gjithçka dëshmon për një “defekt të rëndë” të këtij sistemi, për një defekt që lidhet me moralin, etikën dhe besimin në këtë sistem global. Duket se në origjinë të kësaj situate qëndron “një krizë e vërtetë besimi” ndërmjet aktorëve kryesorë të sistemit. Sot flitet çdo ditë e më tepër për “nevojën e rivendosjes së besimit dhe besueshmërisë reciproke për daljen nga kriza”, flitet për “humbjen e besimit dhe ndjeshmërinë e jashtëzakonshme të tregjeve ndaj politikës dhe qeverive”, “thuhet se sapo dha dorëheqjen Kryeministri, u miratua një plan special masash, apo u zgjodh një qeveri teknike e aftë që të garantojë tregjet dhe partnerët, vlerat e bursës u ngritën, nënvizohet “besimi i munguar apo besimi i nevojshëm në aktivitetin e bankave” dhe transparenca e lartë që duhet të kërkohet prej tyre etj.
Por “besimi”, më shumë se element, kategori ekonomike apo financiare, është një element etik, është morali i domosdoshëm që garanton ekzistencën e tij. Kur tregu, qoftë ky ekonomik, financiar apo çfarëdo lloji tjetër, e shkel këtë sjellje etike, ai e ka po aq të pamundur që ta rivendosë atë. Po kështu dhe Shteti apo qeveritë, që në emër të interesave të tyre politike, populiste, konjukturore apo klienteliste, e anashkalojnë rregullisht etikën dhe moralin e interesave publike. Koha, dhe mënyra sesi po evoluon kriza financiare, po tregon se dy aktorëve kryesorë të zhvillimit, tregut dhe shtetit, u duhet dhe një aktor i tretë, tejet i rëndësishëm: etika dhe morali. Tregu është padyshim “mjeti/instrumenti më i mirë që ne njohim, që garanton efikasitet ekonomik e financiar maksimal”, “shteti/qeveria është drejtuesi apo timonieri i domosdoshëm i tij”, ndërkohë që aktori i tretë “etika dhe morali” mund të përkufizohen shumë mirë si rregullat e qarkullimit/drejtimit për realizimin e një objektivi të caktuar.
Le t’i referohemi për një moment krizës së subprimes (kredive hipotekore me risk të lartë) dhe mënyrës së menaxhimit të tyre. Kjo krizë reflekton një karakter të dyfishtë teknik dhe etik. Në planin teknik ajo reflekton faktin se çdo inovacion financiar i ri dhe i panjohur është një sfidë me shumë risk dhe si e tillë i ka të pranueshme vështirësitë e implementimit dhe korrigjimet e të metave. Por, një krizë e tillë bëhet etike kur çështja kalon nga “përdorimi i tyre si mjete, në përdorjen e tyre për një qëllim apo objektiv të caktuar”. Në rastin e subprimes, objektivi i shpallur ishte “krijimi i mundësive për shtresën modeste apo dhe të varfër të popullsisë amerikane që të bëhej pronare e një shtëpie”. Në emër të drejtësisë sociale dhe zhvillimit, ky ishte një objektiv mëse i pranueshëm dhe shumë human, por logjika dhe instrumenti i përdorur devijuan nga normaliteti i tyre. Realizimi i tij kërkonte marrjen në konsiderate të një risku mjaft të lartë, ose e thënë ndryshe, kërkonte “spekulim në shkallë të lartë në tregjet financiare”. Ajo që u gjet si zgjidhje e artë ishte pikërisht “transferimi i pozicioneve spekulative në tërësinë e tregjeve financiare, bursave dhe sidomos drejt sistemit bankar”. Autoritetet publike dhe strukturat e tregut i miratuan dhe bekuan si të “pastra” krijimin dhe shpërndarjen e produkteve të infektuara financiare e bankare, ndërkohë që administratat Klinton dhe Bush u përpoqën të rrisnin kredon e tyre politike nga rritja e vlerave të tregut imobiliar dhe zgjidhja e një problemi të rëndësishëm social siç ishte strehimi.
Por kriza që filloi në Wall Street dhe u përhap në mbarë botën dëshmoi se jo gjithmonë “qëllimi justifikon mjetin”. Aktori i tretë në këtë lojë të madhe kolektive që ishte etika dhe morali rezultuan të munguarit e mëdhenj, por dhe shkaktarët e vërtetë të kësaj krize, natyrisht me mungesën ose me mosmarrjen në konsideratë të tyre. Në këtë fillim shekulli, në të cilin po flitet gjithnjë e më shumë për regresin e vlerave morale tradicionale dhe krijimin e një morali të globalizuar e të përqendruar rreth parasë, konsumit dhe fitimit, mund të duket si paradoksale po të konstatojmë se çështjet etike dhe morali janë më afër se kurrë tregjeve financiare, parasë, biznesit dhe bankave. Etika po konteston çdo ditë e më tepër dy nga aksiomat fuqiplota që kanë shoqëruar tregjet financiare dhe ekonominë, ato që thonë se “paraja nuk ka ngjyrë dhe as aromë”, dhe akoma më shumë se kaq, se “morali i vetëm të cilit i bindet biznesi është kodi penal”. Në rast se rezultatet finale janë pozitive, menaxherët e tregjeve financiare, aksionerët apo bankierët sigurojnë e ndajnë midis tyre fitime marramendëse. Rrogat apo shpërblimet milionadollarëshe janë gjëja më e zakonshme e normale për “golden boy-s” e Wall Stret-it, bursave apo bankave në gjithë botën. Por, në rast krize apo disfate, ndihma kërkohet te pushtetet dhe fondet publike, pra te kontributet e gjithë qytetarëve, të cilët duhet të paguajnë për pasojat e “aventurave financiare”. Ky fenomen që në gjuhën e përditshme cilësohet si “morali i kompromentuar” në ekonomi, është tharmi i krizës që po përjetojmë.
Por etika nuk duhet të dalë në skenë vetëm kur bëhet fjalë për ekonominë, financat dhe tregtinë ndërkombëtare. Më shumë se kaq, etika duhet të konsiderohet si element çelës në politikat ekonomike e financiare nacionale. Mënyrat e përdorimit të buxheteve nacionale, përdorimi i investimeve publike, paketat fiskale, funksionimi i sistemeve tatimore e doganore, cilësia e aplikimit të normave e standardeve anti-monopol, mbrojtja e mjedisit, përdorimi apo shpërdorimi i territorit nëpërmjet aplikimit të ligjit apo klientelizmit, mungesa e bursës, ekzistenca apo falimentimet e bizneseve, bilancet kontabël transparente apo të dyfishta, procedurat dhe rregullat e kreditimit etj., janë pjesë e rëndësishme e spektrit të veprimit të normave e standardeve etike që implikojnë çdo çast qeverinë, bizneset, bankat, konsumatorët, OJF-të etj. Etika ka për mision t’u përgjigjet pyetjeve: ”çfarë është e mirë”, “çfarë është e drejtë”, “çfarë është e arsyeshme” etj. Thelbi i këtij reflektimi dhe pasoja direkte e tij, “marrja e vendimit” apo “dhënia e urdhrit” përcaktohet nga morali i aktorëve vendimmarrës të çdo niveli qofshin, president, kryeministër, ministër, drejtor, menaxher, financier, kryetar partie, deputet, qytetar etj. Cilat janë normat etike me të cilat ata janë formuar apo janë të aftë të zbatojnë në aksionet e tyre të përditshme?
Substanca e kësaj analize e ka zanafillën që në Greqinë e vjetër dhe Aristotelit, i cili në disa nga veprat e tij më të rëndësishme analizon diferencën ndërmjet “oekonomisë” dhe ““krematistikës” , ose ndryshe, ndërmjet “fitimit” si rezultat i punës së ndershme dhe “artit të pasurimit” ose fitimit të pandershëm. Sot, ky shqetësim mund të përkthehet si veprim në emër të interesave të ngushta personale, përdorimit të forcës së pushtetit, shfrytëzimit të klientelizmit, përdorimit të mbulesës politike si mbrojtje ndaj abuzimeve, përdorimit të retorikës demokratike dhe lirisë si mbulesë e korrupsionit etj., me qëllim të vetëm “fitimin me çdo kusht”. Duket sikur 24 shek. mbas Aristotelit shoqëria, politika dhe biznesi janë partizanë të zjarrtë të “krematistikës” aristoteliane. I zoti, i shkathët, i aftë, “kopil”, “i paparë”, “njësh” etj., quhet apo cilësohet masivisht çdo individ, biznes, funksionar publik, politikan etj., që arrin të fitojë maksimalisht në çdo nivel, rrethanë apo stad të pushtetit politik, ekonomik apo financiar ku ndodhet e ka mundësi ta përdorë. Duket se merita më e madhe është “aftësia për të fituar” dhe “fitimi me çdo mënyrë”. Në çfarë kushtesh? Me çfarë niveli transparence? Me çfarë mënyrë? Me çfarë pasojash për shoqërinë apo thjesht “për të tjerët”? etj., duket sikur janë pyetje që nuk ia vlejnë të bëhen. Shoqëria në shumicën e rasteve “mbyll sytë” dhe e pranon si normale një sjellje të tillë, politika si pasojë e nevojës për mbështetje apo përfitim ekonomik e përkrah apo lufton në funksion të interesave dhe luftës politike, biznesi “suksesin” e barazon vetëm me sasinë e parave të fituara, individët janë gati të pranojnë çdo lloj “kompromisi” në treg dhe çmim, pa u merakosur për “origjinën” e produktit dhe pasojat e tij në shkatërrimin e konkurrencës, prishjen e mjedisit, kushtet e punës, mirëqenien e përgjithshme sociale etj.
Sot, ekonomia dhe etika po shihen të lidhura ngushtë edhe nën këndvështrimin e efektit që kjo lidhje jep për cilësinë e funksionimit të ekonomisë së tregut dhe shtetit të së drejtës. Këto elemente fondamentale e problematike për shoqërinë, ekonominë dhe politikën duhet të bazohen në koncepte etike në kuadrin ë një sistemi tërësor vlerash. Së pari, fakti që respektimi dhe aplikimi i kontratave të çdo lloji nuk mund të mbulohet 100% nga efektet dhe sanksionet e ligjeve. Shumë veprime me to varen edhe nga etika e atyre që i zbatojnë apo kontrollojnë, d.m.th. nga objektivat që kanë në procesin e zbatimit apo finalizimit të tyre. Respektimi i të drejtave të pronësisë apo përdorimi i tyre si armë të luftës politike, respektimi i objektivave ekonomikë në qeverisje, të cilat fillimisht kanë dalë si premtime elektorale, respektimi i pritshmërive të vendit duke bërë çdo reformë e konsensus të domosdoshëm në emër të zhvillimit të qëndrueshëm, krijimi i transparencës dhe besimit në aplikimin e buxheteve jashtë interesit politik, kalimi i bizneseve nga informaliteti në formalitet etj., nuk varen vetëm nga frika e ndëshkimit ligjor apo elektoral, por edhe nga një sistem i përbashkët vlerash të të gjithë shoqërisë. Një ekonomi tregu që glorifikon vetëm vlerat e “këmbimit të lirë” apo “lirisë absolute individuale” nuk duhet të konsiderohet si zgjedhja më e mirë. Së dyti, është roli dhe pesha e etikës profesionale. Pavarësisht sanksioneve ligjore, çdokush që ushtron një profesion të caktuar duhet të ketë përgjegjësi të forta etike e morale përballë shoqërisë. Çdo profesion, aq më tepër ato të lidhura me ekonominë, financat apo ligjin duhet të ndiejnë peshën e etikës së profesionit të tyre, peshë që në shumë vende të zhvilluara të botës e ushtrojnë me shumë etikë dhe përgjegjësi kolegjet apo organizatat e ndryshme profesionale.
Historia dëshmon se shumë vende e shoqëri ia dedikojnë suksesin në zhvillim dhe rolit të etikës në sjelljen e individëve, bizneseve dhe institucioneve. Thelbi i suksesit qëndron në kalimin nga stadi i “etikës limituar individuale” në stadin e “etikës së përgjithësuar”. Etika e limituar i aplikon vlerat dhe detyrimet e saj vetëm në ambiente të ngushta familjare, klanore, politike, sociale apo biznesi. Përtej këtij mjedisi e lidhjeje, gjithçka është etikisht dhe moralisht e pranueshme. Etika e përgjithësuar nënkupton që normat e saj të bëhen pjesë e ekonomisë apo shoqërisë dhe çdo politikë ekonomike apo publike, çdo sjellje e kategorive profesionale t’i përmbajë në thelb vlerat dhe normat etike. “Etika e përgjithësuar” krijon më tepër besim reciprok ndërmjet aktorëve kryesorë të një shoqërie, duke bërë që ekonomia e tregut të funksionojë më cilësisht. Shumë studime dëshmojnë se adoptimi nga shoqëri të ndryshme i normave etike të përgjithësuara ka qenë dhe mbetet një element qendror që shpjegon zhvillimin e tyre ekonomik si dhe cilësinë e funksionimit të institucioneve të tyre. Amartya Sen, “Nobel” i ekonomisë, në librin “ Etika dhe ekonomia” nënvizon se “shumë nga mosfunksionimet e ekonomive në vende të ndryshme të botës mund të shpjegohen edhe si pasojë e mungesës së etikës dhe normave të saj në procesin e funksionimit dhe administrimit të tyre... neglizhimi i etikës prodhon vazhdimisht konflikte dhe cenon rëndë eficencën e çdo ekonomie”.
*Referimi i mbajtur dje në konferencën "Besimtarët dhe jo-besimtarët përballë sfidave të shoqërisë post-moderne".