Grant: Kaka ishte fare pranë Çelsit
Ish-trajneri i Çelsit, Avram Grant, zbuloi se gjatë sezonit të kaluar, ai ishte fare pranë blerjes së Kaka nga Milani. Tekniku izraelit u largua nga blutë e Londrës në fund të edicionit, por tashmë ai rikthehet si protagonist, duke folur për prapaskenat e merkatos. "Dëshiroja të blija Frenk Riberinë dhe synoja të afroja Kakanë. Çelsi duhej të luante një futboll ndryshe dhe me këta dy futbollistë, mund të ndërtonim një skuadër spektakolare", tha ai për mediat izraelite. "Kaka është lojtari më i mirë në botë dhe filluam bisedimet, por gjatë rrugës, marrëveshja nuk u realizua". Grant u zëvendësua nga Luis Felipe Skolari, por problemi te Çelsi mbetet i njëjti: në hapjen e merkatos së dimrit, tekniku brazilian duhet të përballet me financat e dobëta të klubit dhe pamundësinë për të blerë lojtarë të mëdhenj. "Niveli i paraqitjeve të skuadrës është shumë i lartë. Gjithsesi, të tilla janë edhe rrogat e lojtarëve", theksoi ish-trajneri i bluve.