E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e Biblës "lakuriq"

Piktori Jorgaq Gogu sjell në një ekspozitë femrën e para shumë shekujve, me përleshjet mes fatit dhe dashurisë, sikurse ndodh edhe sot me gratë moderne

Duke nisur që nga Eva, pas shumë e shumë shekujsh, femrat e Biblës, me karakteret e tyre shumëdimensionale, vijojnë të ndikojnë njerëzimin. “Nuk ka rëndësi se cilës traditë fetare i përkasim, shumë gra moderne mund të gjejnë vetveten në historitë e tyre”, - thotë piktori Jorgaq Gogu, i cili çeli dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozitën e titulluar thjesht “Bijat e Evës”. Në këtë galeri personazhesh, takohesh me nëna dhe bija, bashkëshorte dhe vejusha, mbretëresha etj. Disa janë të famshme për bukurinë, të tjera janë të forta, personazhe të tjera janë të famshme për urtësinë, besimin, besnikërinë. Disa tablo të vendosin në vëmendje faktin se femra mund të jetë sa krijuese, aq edhe shkatërruese. Në kontekstin seksual, disa prej tyre kanë “robëruar” deri edhe mbretër, si në rastin e Bathshebës me Davidin. Nëpërmjet këtyre pikturave, të realizuara në teknikën e vajit në kanavacë, ai i prezanton për herë të parë publikut shqiptar, këto gra, si modele dhe pika referimi, pasi jetët e tyre janë po aq kuptimplota sot, sa edhe në kohën kur u shkruan. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 mars.

Si ju lindi ideja e një cikli pikturash të frymëzuara nga Bibla?

Ky cikël pikturash është i frymëzuar në fakt nga historitë e grave të Biblës. Këto gra i përkasin Dhiatës së Vjetër, pra periudhës para Krishtit. Janë gjithsej 14 personazhe dhe 22 piktura. Edhe pse unë jam besimtar prej shumë kohësh, kjo temë nuk më kishte shkuar në mendje, të them të vërtetën. Por, i nxitur nga familja, të afërm etj., u ngrit mendimi për të trajtuar një temë të tillë dhe unë nisa të lexoj me shumë kujdes Biblën, për të njohur më mirë personazhet, karakteret e tyre shumëdimensionalë.

Përse u jeni referuar vetëm grave dhe si i keni parë ju këto?

Mora gratë si pikë referimi, për shkak se doja ta çelja këtë ekspozitë me rastin e 8 Marsit, festës së gruas, për të sjellë mesazhin biblik të këtyre grave të hershme. Këndvështrimi im artistik është i tillë që një pjesë të krijimtarisë sime unë ia kam kushtuar femrës. Në këto piktura, paksa nudo, pak dekorative, është mënyra sesi unë i shoh këto personazhe, që janë në qendër të punimeve.

Mendoni se u keni qëndruar besnik përshkrimeve që bëhen në Bibël për këto femra?

Janë pothuajse ashtu sikurse janë në Bibël, dhe për më tepër, duke iu referuar ngjarjeve të përshkruara dhe rëndësisë së tyre, unë kam realizuar edhe punimet. P.sh., Sara, gruaja e Abrahamit, është një personazh që përfshin shumë karaktere të tjera brenda, si Agarin etj.

Historia e cilit personazh ju ka intriguar më shumë?

Vajzat e Lotit duhet të them. Historia e tyre me babanë, më ka intriguar shumë, ndaj edhe unë u kam kushtuar katër piktura. Megjithatë, nuk mund të përjashtoj të tjerat. Ruthi dhe historia e saj me të vjehrrën, paraqet një figurë shumë dramatike, një figurë me besim të patundur te martesa, te populli, te toka, te vjehrra e vet. Prandaj edhe unë e kam bërë tokën të kuqe, nga dashuria dhe pasioni që kishte kjo femër për të. Ajo ishte shumë e dashur, nuk e braktisi vjehrrën edhe pas vdekjes së bashkëshortit, siç bëri kunata e saj pas humbjes së të shoqit. Ajo është shumë aktuale në ditët tona, pasi sjell mesazhin e besnikërisë ndaj popullit, ndaj familjes dhe ndaj vjehrrës. Interesante është edhe figura e Bathshebës, e cila ra në dashuri me mbretin e popullit të vet, Davidin, duke shkuar në shtrat me të, edhe pse ishte e martuar. Ajo vuajti pasojat e këtij veprimi, pasi fëmija i ngjizur nga kjo marrëdhënie, vdiq.

Figura më negative në këtë ekspozitë duket të jetë Salome, e cila për hir të së vërtetës është e vetmja që i përket periudhës së përshkruar në Dhiatën e Re apo jo?

Është midis dy periudhave. Salome është një vajzë e re, është mbesa e guvernatorit të Romës në Izrael, Herodit, i cili kishte marrë për grua kunatën e vet, mamanë e Salomesë. Pra, ajo ishte mbesa e tij. Gjon Pagëzori, njeriu i Perëndisë, e konsideronte mëkat këtë martesë, ndaj çifti mezi priste rastin që ta asgjësonte. Salomeja gjeti momentin që Herodi i propozoi që ajo t’i kërkonte një dëshirë për ditëlindje, të cilën ai do t’ia plotësonte me çdo kusht. Vajza gjeti kështu rastin për të kërkuar kokën e Gjon Pagëzorit. Pra, përmes intrigave Salomeja arriti qëllimin e vet. Kjo është historia e saj.

Shohim që mungon Eva, një figurë jo me më pak rëndësi në Bibël. Përse?

Ajo është një temë e veçantë. Me gratë e Dhiatës së Re, të periudhës gjatë dhe pas Krishtit, do të merrem në një periudhë të mëvonshme.

Mbizotërojnë ngjyrat e forta. Kjo për shkak të jetës së trazuar shpeshherë të këtyre femrave?

Kjo është natyra ime, nuk arrij ta shpjegoj dot. Edhe pse jam një njeri i qetë, brenda meje qëndrojnë këto ngjyra që dalin në pah me pikturën.

Sa të afërta mund të jenë për femrat e sotme këto piktura dhe këto histori?

Kjo varet nga mënyra sesi e koncepton çdo njeri, ndërkohë që unë nuk jam i vetmi që i risjell këto histori në shekullin 21. Sot në botë ka shumë autorë që punojnë me Biblën, piktorë të njohur. Bibla është një det i pafund, ka shumë histori brenda saj. Interesant është fakti që unë e trajtoj për herë të parë këtë histori në Shqipëri. Po edhe mua, që kam mbi 40 vjet që merrem me artet pamore, m’u nevojit një kohë shumë e gjatë që të realizoja këtë ekspozitë.

Në ç’hark kohor janë realizuar këto piktura?

Janë kryer brenda 5-6 muajve. Kam lexuar, kam kapur idenë, ndërsa realizimi në kanavacë është më i shpejtë, rreth dy muaj.

Duket që femra e parë në tokë, sipas Biblës, Eva, ka qenë dhe vijon të mbetet burim frymëzimi për artistët...

Po, Eva është trajtuar nga shumë artistë, sepse është një personazh tepër i veçantë. Është fillimi i jetës së grave në tokë, jo më kot konsiderohet si “nëna e të gjallëve”. Por, veç këtyre është gruaja e parë që mëkatoi, gruaja e parë që nuk iu bind Zotit, që shkeli besimin që iu dha nga Perëndia. Për këtë mosbindje, ajo vuajti pasojat. Vetëm me ardhjen e Krishtit, gjërat ndryshuan, pasi që prej kryqëzimit të tij askush nuk mban më faje mbi shpinë.

Një pjesë e mirë e punimeve tuaja ndodhet në Greqi, ku ju shpalosët krijimtarinë tuaj pas viteve ‘90. Si janë pritur atje punët tuaja?

Që pas viteve ’90 jam marrë me pikturën edhe në Greqi, kam shumë vepra atje, por ato nuk mbajnë autorësinë time. Kjo pasi unë isha thjesht një “skllav” i skulptores greke për të cilën punoja. Punët e mia mbajnë emrin e saj dhe kjo është drama e refugjatëve dhe artistëve në emigracion. Por, pas vitit 2004 kur unë u ktheva në Tiranë, kjo është ekspozita e katërt që unë realizoj. Nuk punoj më për të tjerët, siç kam punuar në Greqi, por punoj për veten time, duke realizuar gjërat që dua të bëj. Pak kohë më parë kam realizuar një ekspozitë me një nipin tim. Ekspozita quhej “Histori rrëfenjash”, kishte vizatime të tij, që unë i hodha në telajo.

Një pjesë të mirë të punimeve tuaja e zë Berati, si qyteti ku ju lindët dhe u rritët...

Po natyrisht, Berati është pjesë e qenies sime. Unë kam lindur e rritur atje, krijova familje në atë qytet, pjesa më e madhe e krijimtarisë sime është në atë qytet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›