E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë dhe politika konsensuale-rasti i Burrelit

Përsëri dhe përsëri ambasadorët dhe vëzhgues të tjerë ndërkombëtarë e gjejnë veten duke nënvizuar nevojën për një politikë konsensuale në Shqipëri.
“Një progres i vërtetë, – thonë ata, – mund të arrihet vetëm nëse përcaktohet një emërues i përbashkët midis maxhorancës dhe opozitës, në mënyrë që ata të punojnë së bashku në arritjen e qëllimeve të përcaktuara”. Ndërsa një theks i vazhdueshëm i ndryshimit midis këtyre dy palëve thjesht do ta thellojë hendekun dhe do ta zgjasë edhe më shumë ngërçin politik ekzistues. Përsëri dhe përsëri, ambasadorët dhe vëzhgues të tjerë ndërkombëtarë e gjejnë veten duke theksuar nevojën për rritjen e pjesëmarrjes së femrave në proceset e vendimmarrjes në Shqipëri. Sigurisht, kjo e bazuar në të drejtat e njeriut dhe në mosdiskriminimin: Si ka mundësi që gjysma e popullsisë është e papërfaqësuar kur vjen puna për të marrë vendime, të cilat prekin çdo burrë, çdo grua e fëmijë? Por gjithashtu, edhe për shkak se demokracia funksionon thjesht më mirë kur të gjithë marrin pjesë e përfaqësohen.
Tani, a kanë lidhje me njëra-tjetrën këto dy deklarata në ndonjë mënyrë? Më lejoni të ndaj me ju një eksperiencë që pata javën e kaluar.
Javën e kaluar, unë shkova të takoja kryetaren e zgjedhur rishtazi në Burrel. Kjo, pjesërisht për faktin se doja të sigurohesha se bashkëpunimi i shkëlqyer që kemi pasur këto vitet e fundit me ish- kryetarin Skënder Lleshi, të mund të vazhdonte. Pjesërisht, më kishin thënë se në Burrel të dy kandidatët garues kishin zhvilluar një fushatë mjaft dinjitoze dhe të bazuar mbi çështje e problematika, si dhe kalimi i pushtetit nga njëri tek tjetri kishte qenë shumë i paqtë e plot respekt. Dhe pjesërisht, se kryetarja e re e Bashkisë, Adelina Farrici është një GRUA; diçka kjo, që në ditët e sotme në Shqipëri – pavarësisht shumë përpjekjeve – disa prej të cilave edhe të financuara nga ambasada ime – është ende e pazakontë. Unë gjeta një kryetare Bashkie, e cila ma bëri shumë të qartë se nuk ishte në atë detyrë për të kënaqur ambiciet e saj personale në politikë, as nuk ishte në atë detyrë që të ndiqte verbërisht linjën politike, siç vendoset nga ca zyra në Tiranë. Ajo kishte marrë atë detyrë, sepse donte të punonte për interesin, zhvillimin dhe të ardhmen e komunitetit – si për ata që e kishin votuar, por edhe për ata që nuk e kishin votuar.
Unë gjeta në Burrel një kryetare, e cila nuk do të pushojë nga puna gjysmën ose më shumë të stafit të Bashkisë për t’i zëvendësuar ata me të afërmit, miqtë apo simpatizantët e partisë së saj; por ajo ka zgjedhur të mbështetet mbi eksperiencën, ekspertizën dhe profesionalizmin e njerëzve që kanë punuar me paraardhësin e saj.
Unë gjeta një kryetare, e cila është e bindur dhe synon të punojë shumë ngushtë me Këshillin bashkiak (tek i cili, pala tjetër politike ka maxhorancën!), duke mos parë tek tjetri ndryshimet e mundshme në bindjet politike, por duke u fokusuar së bashku në mirëqenien e komunitetit, duke përfshirë Këshillin tashmë që në fazat e para të politikë-bërjes. Dhe padyshim, unë gjeta një kryetare të Këshillit bashkiak, e cila është absolutisht e përgatitur të përfshihet në një angazhim të tillë.
Unë gjeta një kryetare, e cila synon të dëgjojë me vëmendje komunitetin dhe nevojat e prioritetet e identifikuara nga komuniteti, dhe e cila punon vazhdimisht në ngritjen e mekanizmave, nëpërmjet të cilëve të gjithë aktorët – gratë dhe burrat, biznesmenët, shoqëria civile, mësuesit, komunitetet fetare e të tjerë – të kenë mundësi që zëri i tyre të dëgjohet dhe fjala e tyre të zërë vend. Sigurisht, kryetarja e Bashkisë së Burrelit – si dhe çdo kryetar/e tjetër në Shqipëri – është ende në fillimin e mandatit të vet; dhe siç thotë edhe shprehja: “Shija e budingut ndjehet pasi e ke ngrënë”. Por fillimi është premtues dhe frymëzues. Unë mendoj se ne të gjithë do të donim ta shihnim eksperiencën e Burrelit, nëse do rezultojë e suksesshme, që të aplikohet në të gjithë vendin. A ka të bëjë kjo në këtë këndvështrim se në cilën parti politike bën pjesë kryetarja? Jo, sigurisht që jo. Dhe, a ndikon në këtë mënyrë fakti që kryetarja është GRUA? Mendoj se jo. Por një gjë është e sigurt, të qenurit e tillë nuk sjell asnjë dëm!!!
*Ambasadori holandez në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›