E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ dënon dhunën në veri, mbështet qeverinë e Kosovës

TIRANË- Me anë të një deklarate për shtyp MPJ shqiptare dënoi sulmin e serbëve në veri ndaj trupave të KFOR-it dhe qytetarëve kosovarë, ndërsa shprehu mbështetjen e saj për qeverinë e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek me shqetësim të veçantë dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe në veri të Kosovës, dhe së fundmi, kundër trupave të KFOR-it në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës. MPJ mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj dhe vendosjen e rendit e ligjit në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në një deklaratë të saj.

MPJ përshëndeti gjithashtu vendimin e KFOR për të larguar nga veriu barrikadat e ngritura aty prej serbëve. Sipas MPJ Serbia ka për detyrë të largojë këto banda kriminale që prodhojnë vetë me destabilitet.

“Mbështesim gjithashtu, Qeverinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in, për zbatimin e Marrëveshjes së 5 gushtit dhe 2 shtatorit, për largimin e barrikadave, që cënojnë dhe pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Zbërthimi i strukturave paralele e bandave kriminale, prodhues të destabilitetit dhe pasigurinë në këtë pjesë të Ballkanit, është tashmë një detyrë dhe përgjegjësi e qartë e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së” ,thuhet më tej në reagim.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›