Gratë dhe shkenca: ende viktima të paragjykimeve
Edhe pse kanë fituar mjaftueshëm hapësirë në fushat shkencore, ende hasen me pengesa të ndjeshme në gjykimet kulturore.
Gra të zonjat, energjike, karrieriste, por që, në fund, nuk arrijnë të barazohen me kolegët e tyre meshkuj, mbi të gjitha nëse bëhet fjalë për disiplinat shkencore. Pavarësisht impenjimit, zotësisë, këmbënguljes. Pse? Sipas një studimi amerikan është çështje stereotipash kulturor, të cilët i pengojnë femrat të depërtojnë atje ku synojnë e duan, madje arrijnë deri atje sa pohojnë që e gjitha është çështje auto diskriminimi.
Përse janë ende kaq pak? Kështu titullohet analiza e shqyrtuar për llojet e ndryshme të shkencave në veçanti në teknologji, inxhinieri, dhe matematikë. Pyetja që shtrohet është se pse ende nuk është rritur numri i grave pjesëmarrëse. Të dhënat e kësaj analize e ilustrojnë më së miri elokuencën e femrave në këtë fushë, në matematikë për shembull përfaqësia e meshkujve krahasuar me atë të femrave 30 vite më parë ishte në raportin 13 me 1, ndërsa sot raporti është 3 me 1. Pra në Harvard apo të tjera institucione prestigjioze duhet të ishte një profesoreshë matematike në çdo tre profesorë. Por në fakt nuk është kështu, të paktën ende jo. Sipas studimit është çështje e sjelljeve kulturore që janë ende armiqësore ndaj barazisë. Në shumë njerëz ekziston bindja se femrat nuk janë të pritura në disa drejtime.
Pesë vite më parë, presidenti i Harvardit theksonte që ndryshimet biologjike mes meshkujve dhe femrave bëjnë që të parat të jenë më pak të dhëna pas karrierës se të dytët. Të gjitha të pavërteta padyshim, por në të njëjtën kohë, fakti që ende ka të tilla opinione bën që shumë gra të autocensurohen qysh në fillim të ambicieve të tyre shkencore, pikërisht sepse përgjithësimet dekurajojnë.
Gjatë studimit u bë një eksperiment mbi disa studentë duke i ndarë ata në grupe: në grupin e parë u tha që meshkujt ishin më të prirur për matematikën ndërsa në të dytin nuk u dha asnjë përcaktim. U shpërndanë disa teste matematikore dhe rezultati ishte 25 për meshkujt dhe 5 për femrat ndërsa në rigrupimin e dytë rezultoi 19 me 17, pra me diferencë fare të vogël. Prindërit, mësuesit, e gjithë shoqëria, shpesh përfundojnë, me mesazhet e tyre duke iu ‘urdhëruar’ të tjerëve një rol. Ose e dekurajojnë.