E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë, bankat "luftë" biznesit me interesat



nertila maho

Bankat e nivelit të dytë duket se i kanë shpallur luftë kreditimit të biznesit. Raporti i fundit statistikor i bankës së Shqipërisë, tregon se normat e interesit të kredive si në lekë edhe në euro kanë pësuar rritje nga janari në shkurt. Kjo, edhe pse normat e interesit të bonove të thesarit, që shërbejnë si bazë për matjen e interesit të kredive janë ulur. E thënë më thjeshtë, bankat kanë rritur normën e fitimit për kreditë. Pra, kanë rritur marzhin shtesë, që aplikohet mbi normën bazë të bonove të thesarit. Kështu, në rast se norma e interesit të bonove ishte 9 për qind, norma e interesit të kredisë ishte 12.24 për qind. Pra marzhi, të cilin banka përdor për fitim ndaj kredisë ishte 3.24. Gjatë shkurtit norma e interesit të bonove të thesarit ra në 8.5 për qind, ndërsa bankat, jo vetëm që nuk e ulën normën e interesit të kredisë, por në të kundërt e rritën atë, duke e çuar në 12.28 për qind. Pra, e rritën marzhin me rreth 0.52 për qind. Kjo për kreditë 6-12 muaj. Kuptohet, që një politikë e tillë, sigurisht që do të stepë bizneset të kërkojnë kredi dhe sigurisht, do të bëjë të pamundur në disa raste edhe shlyerjen e kredisë. Një situatë e tillë po ndodh edhe me euron. Kredia në euro, sërish është shtrenjtuar nga janari në shkurt të këtij viti. Edhe pse norma bazë e interesit të aplikuar nga BQE, është e njëjtë. Edhe pse kursi i këmbimit është shtrenjtuar. Një situatë e tillë, që shërben vetëm për rritjen e fitimit të bankave të nivelit të dytë, ka sjellë edhe rritjen e kredive të këqija. Sigurisht, që me normat aktuale të interesit, biznesi e ka të vështirë të kreditohet. Kjo bën që edhe aktiviteti i sipërmarrjes private të zvogëlohet dhe pagesa e kredive të vështirësohet. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar, kredia me probleme e kaloi 10 për qind ndaj totalit të kredisë. Nga ana tjetër, bankat dhanë shumë më pak kredi të reja gjatë vitit të kaluar. Pra, bankat e nivelit të dytë po bëjnë një politikë tjetër, "lufte", ndaj biznesit për të mbajtur të larta fitimet e tyre. Në rast se deri para dy vitesh, fitimet e bankave vinin kryesisht nga sasia madhe e kredisë, duket se strategjia ka ndryshuar. Tashmë, bankat po fitojnë nga shtrenjtimi i interesave. I frikshëm është ky ndryshim, kryesisht për kredinë që marrin bizneset. Interesi i kredisë për likuidimet e shpejta, pra ato deri në 6 muaj, është rritur me rreth 1.29 për qind, vetëm për një muaj. Një shifër e frikshme kjo, pasi është e njëjtë për të dyja monedhat, edhe në lekë edhe në euro. Rritje të interesave nga muaji në muaj kanë pësuar pothuajse të gjitha llojet e kredive si në lekë dhe në euro.

Raporti i BB: Vetëm37% e biznesit merr kredi nga bankat

Edhe pse Shqipëria kë një numër të madh bankash të nivelit të dytë, këto të fundit janë më pak atraktive për biznesin në krahasim me rajonin. Raporti i Fundit i Bankës Botërore tregon me kritika defektet e sistemit bankar në Shqipëri, që duket se nuk po shërben më si katalizator i rritjes ekonomike të vendit, por vetëm si një mundësi pasurimi për vetë bankat. Sipas raportit, bizneset i gjejnë jashtë sistemit bankar paratë për të financuar veten. Sigurisht që kur bankat aplikojnë norma interesi stratosferike dhe kjo bën që biznesi t'i gjejë gjetkë paratë. "Kapitali qarkullues përgjithësisht financohet nga burime të brendshme, kurse burime të jashtme si financimi nga bankat apo kreditë mbështetëse apo konsumatore luajnë një rol shumë të kufizuar. Firmat përgjithësisht mbështeten tek financimi i brendshëm për të plotësuar nevojat e tyre për kapital", theksohet në raportin e Bankës Botërore. Por ky nuk është defekti më i madh. Krahasuar me vendet e rajonit, biznesi shqiptar është më larg bankave. "Mbi të gjitha, aksesi në financim është e limituar, krahasuar me standardet e rajonit, që reflekton një nënzhvillim të sektorit financiar. Vetëm 37% e firmave shqiptare kanë akses në linjën e kreditimit apo huave nga institucionet financiare, një përqindje më e ulët se në rajon (Bullgari 44%. Kroaci 67%." Në një situatë të tillë, kur bankat janë jo-atraktive, edhe kreditimi i biznesit do të jetë në nivele shumë të ulëta. "Firmat shqiptare kanë akses të limituar te kreditë me terma afatgjatë dhe kjo është një ndrydhje për zhvillimin e teknologjisë së re, duke qenë se investimet në teknologji për një kompani kërkojnë një periudhë të gjatë pagese. Në dritën e këtij dështimi të tregut kapital, është racionale për Qeverinë shqiptare që të sigurojë mbështetje financiare të përkohshme, të kujdesshme, të sigurt për firmat, në mënyrë që të futet teknologji e re". Pra, bankat jo vetëm që janë larg biznesit, por po frenojnë edhe zhvillimin teknologjik. Ky zhvillim ka të bëjë direkt me konkurrencën e ekonomisë shqiptare dhe sigurisht që është një faktor kryesor, që mban peng zhvillimin ekonomik.
"Pavarësisht rritjes së kreditimit në vend, kreditimi i brendshëm në sektorin privat mbetet ende i kufizuar nën standardet e rajonit. Mesatarja e kostos së një kredie në Shqipëri është ndër më të lartat në Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Pritet që të rritet më shumë, nëse i referohemi krizës globale. Norma reale e interesit të një kredie është shumë më e lartë, ndërkohë që niveli i fitimit në këtë interes është 3 për qind më i lartë se në vendet fqinje." Ky konkluzion i Bankës Botërore tregon qartë se bankat në Shqipëri, duke hyrë në një treg të etur për zhvillim, po përdorin metodën më të thjeshtë për të rritur fitimet e tyre. Shtrenjtimin e kredive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›