“Gratë do të votojnë për integrimin e Shqipërisë dhe kundër bllokimit”
Kryetarja e LDGSH, Albana Vokshi, takime në Pogradec
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi deklaroi nga Pogradeci se gratë dhe vajzat do të votojnë për integrimin e Shqipërisë dhe kundër mureve të bllokimit. Vokshi tha se në qeverinë Berisha, gratë njohën më shumë të drejta dhe se ato përfaqësohen më shumë në numër në jetën politike dhe publike të vendit.
Deklaratat e saj u bënë gjatë një takimi me aktivistet e forumit të gruas së Partisë Demokratike, ku mori pjesë edhe deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli.
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi u takua me aktivistet e LDGSH-së dhe mbështetëse të Partisë Demokratike në Pogradec.
Në takimin, ku morën pjesë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli dhe drejtuesit e degës së PD-së, Pogradec, Vokshi foli mbi lëvizjen e gruas duke theksuar reformat e ndërmarra në drejtim të përfaqësimit në jetën publike dhe politike.
Vokshi tha se gjatë qeverisjes së djathtë nën vëmendjen personale të Kryeministrit Berisha, gratë dhe vajzat njohën më shumë të drejta dhe se çështjet gjinore u vendosën në zemër të axhendës qeveritare. Kryetarja e LDGSH-se , Albana Vokshi deklaroi se ne zgjedhjet e qershorit, gratë dhe vajzat do te votojnë për integrimin e Shqipërisë dhe jo për muret e bllokimit.
Ndërkohë deputeti i PD-se Fatbardh Kadilli, duke vlerësuar angazhimin e grave dhe vajzave në politikë theksoi edhe nismën më të fundit të Kryeministrit Berisha për të drejtën e votës për 16 vjeçarët, duke deklaruar se kjo grup moshë ka pjekurinë e duhur për të votuar. Lidhja Demokratike e Gruas, Dega Pogradec konstituoi edhe Kryesinë e forumit, duke përmbyllur dhe procesin e zgjedhjeve të strukturave të saj.