KQZ shtyn për të hënën miratimin nen për nen të rregullores së re
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për të hënën miratimin nen për nen të rregullores së re për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së. Mbledhja që zgjati për rreth katër orë u shoqërua me debate të forta mes palëve, të cilat nuk arritën të përfundojnë miratimin në tërësi të këtij dokumenti.
Akti i paraqitur nga administrata zgjedhore përcaktonte rregullat për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së, duke përfshirë: kompetencat e kryetarit dhe zv/kryetarit; të drejtat dhe detyrimet e anëtarit të KQZ-së; procedurat për thirrjen, njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjeve të KQZ-së gjatë periudhës zgjedhore dhe asaj jozgjedhore, procedurat e vendimmarrjes, të drejtat dhe detyrimet e përfaqësuesve të partive politike në KQZ, etj.
Diskutimi nen për nen i rregullores u shoqërua me diskutime dhe debate të forta mes anëtarëve, ku veçohet debati për kompetencat e kryetarit dhe nënkryetarit të këtij institucioni.
Gjatë miratimit në parim të rregullores dy ditë më parë anëtarët e KQZ-së, të propozuar nga Partia Socialiste, shprehën nevojën për hartimin e një rregulloreje të re dhe jo rishikim të rregullores së vjetër, që ishte propozuar nga administrata.