Gratë drejtuese, forum nga OSBE-ja
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilloi dje në Shkodër forumin e fundit të fazës së parë të një sërë forumesh për gratë drejtuese në jetën politike dhe publike. “Zvogëlimi i pabarazisë gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të jetës publike mbetet një çështje kyç për Shqipërinë. Të gjithë partnerët vendas dhe ndërkombëtarë janë të gatshëm të punojnë për arritjen e këtij qëllimi”, - tha Renate Herrmanns, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Deputete të Kuvendit të Shqipërisë dhe zyrtare të larta të pushtetit qendror dhe vendor diskutuan se si të rrisin pjesëmarrjen e grave në të gjitha sferat e jetës politike dhe publike dhe se si të forcojnë aftësitë e tyre. Gjithashtu, forumet mundësuan bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mes grave, në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje. “Këto forume synojnë të nxisin pjesëmarrjen aktive të grave në procesin zgjedhor, si dhe të rrisin kapacitetet e grave të zgjedhura dhe atyre që synojnë të zgjidhen. Në këtë mënyrë, ato do të kthehen në një forcë lobuese të fuqishme, duke bërë që autoritetet publike të jenë më përgjegjëse dhe t’u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të grave e vajzave”, - tha Filloreta Kodra, zëvendësministre e Punës. Forumi i Shkodrës, si dhe ato të mëhershmet në Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, mblodhën gra aktive në qeverisje, institucionet publike dhe në shoqërinë civile.