E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e 313-ës në grevë: Duam takim me Alibeajn

TIRANE – Albana Laze, e arrestuar për mashtrim është organizatorja e një greve urie në paraburgimin 313. 

Shkak për grevën sipas burimeve nga burgu mësohet të jetë kërkesa e të paraburgosurve për t’u takuar me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, të cilit do t’i kërkojnë shtim takimesh me fëmijët e tyre. Me këtë nismë të Lazes janë bashkuar edhe 7 të paraburgosura të tjera, të cilat prej dy ditësh kanë refuzuar ushqimin. Ndërkohë burime nga burgjet pohojnë se u kanë kërkuar atyre të mos vetësakrifikohen, për më tepër se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë nëna me fëmijë, ndërkohë që u kanë bërë të ditur se sipas rregullores u lejohen takime me familjarët një herë në javë. Ndërkohë gratë e paraburgosura që janë mbyllur të gjitha në njërën nga dhomat e 313-ës, pretendojnë më tej se kërkojnë kushte higjienike, përmirësimin e trajtimit të tyre dhe masat e dënimit që jepen nga gjykata ndaj tyre të jenë më të vogla. Pas plotësimit të deklaratave për fillimin e grevës ato kanë pohuar se, do të vetësakrifikohen derisa t’iu jepet përgjigje kërkesave të tyre, ose vetë ministri t’i takojë dhe të kenë mundësi t’ia përcjellin vetë shqetësimin. Laze, që qëndron në krye të të paraburgosurave greviste është arrestuar rreth një vit më parë nën akuzën e mashtrimit në shumën 150 mijë euro, të familjarëve të të arrestuarve Emiljano Shullazi dhe Ergys Ferhati, duke u premtuar lirinë.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›