E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në drejtësi,PD akuzon institucionet

Reforma zgjedhore eklipson atë në sistemin e drejtësisë, duke bërë që maxhoranca të mos realizojë ende një prej objektivave të saj, që lidhet me procesin e integrimit. 

BLEDAR HOTI

 Pas miratimit të të vetmit ligj “Për organizmin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë”, në 18 shkurt të këtij viti asnjë ligj tjetër i rëndësishëm nuk ka kaluar për votim në Kuvend. Nisur nga kjo mungesë 6-mujore, kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, ka akuzuar drejtues të pushtetit të drejtësisë, që nuk kanë paraqitur sugjerimet e tyre për ndryshimin e ligjeve organike të institucioneve që ata përfaqësojnë. Demokrati Fatos Beja, i caktuar nga Kuvendi si kryetar i nënkomisionit të posaçëm që do të merret me reformën në sistemin e drejtësisë, ka fajësuar institucionet përkatëse për mos paraqitjen pranë komisionit sugjerimet për përmirësimin e ligjit për sistemin e drejtësisë, siç janë ato të Prokurorisë, funksionimit të Policisë Gjyqësore, KLD-së. “Prej kohësh ne kemi kërkuar që institucione që lidhen me pushtetin gjyqësor të paraqesin pranë komisionit tonë mendime dhe sugjerime për ligjet që janë pjesë e paketës së ndryshimeve në sistemin e drejtësisë”, deklaroi për mediat, Beja. Ndërsa, aktualisht mësohet se asnjë prej institucioneve nuk ka paraqitur sugjerimet e tyre në lidhje me reformën. Pas miratimit të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, më i domosdoshëm nga Komisioni i Ligjeve doli hartimi dhe miratimi i një ligji për funksionimin e administratës së gjykatave. Por kanë kaluar mbi katër muaj dhe Kuvendi nuk ka shqyrtuar asnjë ligj që lidhet me sistemin e drejtësisë. Pas muajit shkurt, Kuvendi nxori vendimin e posaçëm për krijimin e një nënkomisioni për reformën e sistemit të drejtësisë. Deputetët Fatos Beja, Fatmir Xhafaj, Spiro Peçi, Ilir Rusmali dhe Arjan Madhi janë anëtarë të këtij nënkomisioni. Qëllimi i punës së kësaj strukture të posaçme parlamentare ishte realizimi i reformës në sistemin e drejtësisë. Muaj më parë Presidenti i vendit, Bamir Topi, organizoi një tryezë mes partive politike parlamentare, ku në fokus ishte arritja e konsensusit mes maxhorancës dhe opozitës për reformën në sistemin e drejtësisë. Nga kjo tryezë doli si imediate krijimi i një komisioni të posaçëm parlamentar që duhej të merrej totalisht me këtë reformë. Pas këtij takimi u caktua dhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi si kryetar, por ky komision nuk realizoi asnjë mbledhje të tij, duke mosrealizuar qëllimin që i kishte përcaktuar Kuvendi dhe kjo për faj të dy forcave kryesore politike PS-PD, të cilët nuk paraqitën anëtarë në këtë strukturë.

Apeli i BE për sistemin e drejtësisë
Bashkimi Evropian dhe NATO kanë vënë si kushte kryesore ndaj Shqipërisë realizimin e reformave në sistemin e drejtësisë. Edhe pse përfaqësuesit e KE-së vlerësuan miratimin e ligjit për pushtetin gjyqësor, klasës politike iu kërkua realizimi i mëtejshëm i reformave në sistemin e drejtësisë, me qëllim rritjen e masave në luftën kundër korrupsionit në gjyqësor.

Agim Leka: Më kërcënojnë se do më marrin zvarrë

Agim Leka, koordinatori socialist i qarkut Elbasan, ish-prefekt i këtij qarku në vitin 2005, është bllokuar në komunën Gjinar nga pesë shoferë kamionësh. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 19:30. “Një nga shoferët më tha se do të të marrim zvarrë me gjithë makinë”, u shpreh Leka. Koordinatori socialist i qarkut të Elbasanit, sapo kishte mbaruar një takim me stafin e komunës Gjinar, në dalje të fshatit është bllokuar nga pesë kamionë, të cilët kanë ndaluar në mes të rrugës dhe nuk e kanë lejuar atë të kthehet në drejtim të Elbasanit. I kontaktuar me telefon nga gazeta “Panorama”, Leka u shpreh se, “ata janë pesë shoferë të ngarkuar me lëndë drusore, të cilët kanë treguar gjithë ashpërsinë e tyre duke e kërcënuar se do ta lejojnë të kalojë kur ata ta shohin të arsyeshme”. Në takimin e zhvilluar në zyrat e komunës, është trajtuar çështja e investimit për një ujësjellës që do të zgjidhë situatën e ujit të pijshëm në këtë komunë. “Egërsia me të cilën këta shoferë më folën tregon egërsinë e këtij pushteti, i cili kërkon të pengojë çdo investim që kryhet për komunitetin”, u shpreh Leka për gazetën. Sipas tij, bllokimi ka të bëjë vetëm me faktin që ai është koordinatori socialist për qarkun e Elbasanit. Leka tregon se fillimisht ata ishin justifikuar se njëra nga makinat ishte prishur në mes të rrugës. Koordinatori socialist ka lajmëruar policinë e qarkut Elbasan dhe ishte në pritje të saj për të bërë të mundur zhbllokimin e rrugës. Leka ishte në makinën e kryetarit të kësaj komune i shoqëruar nga kreu i saj. Pas një ore, në vendngjarje ka mbërritur policia e qarkut, e cila ka bërë të mundur zhbllokimin e rrugës dhe shoqërimin e kreut socialist të qarkut drejt Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›