E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: RTSH po pasqyron vetëm Berishën. Karapici: PS po bllokon ligjin

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, akuzoi RTSH-në për njëanshmëri në transmetimet e saj, duke i dhënë më shumë hapësirë në informacionet e saj qeverisë dhe Kryeministrit Berisha. 

 “Ky është një konstatim që nuk vjen vetëm nga opozita. Një institucion i pavarur si KKRT-ja, që e ngarkon ligji për të monitoruar kohën televizive sipas subjekteve, afron një raport skandaloz. Sipas të dhënave të raportit në fjalë, Kryeministri dhe Qeveria, në edicionet informative zënë gati 2.5 herë më shumë kohë se opozita dhe bashkë me PD gati 4 herë më shumë. Vetëm Berisha merr më shumë se dyfishin e kohës së gjithë opozitës, ose 3 herë më shumë se Parlamenti. Në Radio Tirana opozita merr 5 herë më pak kohë se maxhoranca. Kjo është maja e ajsbergut, sepse jashtë kohës së lajmeve raportet janë gjithashtu skandaloze. Siç janë mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD, të cilat bëhen emision special”, tha Leskaj. Sipas kryetares së grupit të deputetëve socialistë, “duke parë RTSH-në, ku Berisha dominon edicionet, të krijohet bindja se Shqipëria është një vend si ai i Chavez-it, jo një republikë parlamentare”. I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike. Deputeti i saj, njëherazi nënkryetar i Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, Gëzim Karapici, akuzoi opozitën se po mban peng ligjin “Për transmetimet radiotelevizive”. Gjatë një konference për shtyp, Karapici, duke reaguar ndaj deklaratave të sotme të kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, vuri në dukje përgjegjësinë e saj për këtë ligj, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. “Si kryetare e komisionit, znj. Leskaj nuk i takon të dizinformojë opinionin publik lidhur me bllokimin e ligjit ‘Për transmetimet radiotelevizive’ dhe nuk mund të anashkalojë përgjegjësinë e saj për të”, u shpreh deputeti demokrat. “Mbetem i habitur se në komision ka pasur një qëndrim mjaft luajal për këtë çështje dhe znj. kryetare, për ‘harresat’ e saj, me ose pa dashje, mendoj se është pjesë e vonesës dhe e mbajtjes peng të ligjit”, u shpreh Karapici.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›