Vjen në jetë bebi i burrit të parë që lind fëmijë
Thomas Beatie, transeksuali “shtatzënë” nga Oregoni, ka e sjellë në jetë një vajzë. Lajmi bëhet i ditur nga një media amerikane, sipas së cilës, të djelën e kaluar, në spitalin Bend në Oregon, ka dalë në jetë vogëlushja e burrit të parë që arrin të lindë një fëmijë. “Eshtë shumë e bukur dhe mjaft e ëmbël”, ka thënë një burim që ndodhet pranë të sapolindurës. E lindur grua, Beatie, në moshën 34-vjeçare, nëpërmjet një operacioni kirurgjikal ka mundur ta ndryshojë seksin, duke futur në trup edhe hormone për t’u kthyer në tip mashkulli. Por ka dëshiruar të rezervojë ndryshimin e organeve gjenitale femërore, për të pasur më vonë, një fëmijë, edhe pse gruaja e tij Nancy, tashmë 45-vjeçe e kundërshtoi në fillim. Deri para dhjetë vitesh, Beatie ishte një vajzë e bukur havaiane me emrin Tracy Lagondino. Më pas, nisi të përdorë një sasi të madhe testosteroni. Nën shoqërinë edhe të Nancy-t, vendosi të kishte edhe një fëmijë. Kështu, vendosi të mos përdorë më testosteronë, duke kërkuar që fëmijën ta sillte në jetë në mënyrë natyrale, duke futur në trup nëpërmjet penetrimit artificial një shiringë me spermë të dhuruar, pasi nuk arritën të gjenin një klinikë të specializuar sipas dëshirës së tyre. Për herë të parë mbeti “shtatzënë” me dy binjakë, por për shkak të ndryshimeve shëndetësore i humbi të dy fëmijët. Por në fakt, hera e dytë i shkoi përsëmbari. Fotoja e Thomasit me fëmijën e vogël në krahë, ka bërë tashmë xhiron e botës. Transeksuali shtatzënë, madje ka marrë pjesë edhe në një spektakël mjaft të ndjekur në të gjithë Amerikën. Në spektaklin e quajtur “A është bota gati për këtë?”, 34-vjeçari Beatie, ka treguar qartë para të gjithëve edhe ekografinë
Zbulohet sekreti i violinave të Stradivarit
Secila nga 600 violinat e mjeshtrit italian kushton miliona dollarë
Shkencëtarët që prej vitesh përpiqen të zbulojnë arsyet e tingullit të veçantë të violinave të famshme Stradivari besojnë se mund ta kenë gjetur përgjigjen. Duke përdorur rrezet X, studiuesit holandezë kanë parë se druri, me të cilin janë bërë violinat 300 vjeçare, ka një densitet të ndryshëm nga ai që përdoret për instrumentat moderne të ditëve të sotme. Shkencëtarët besojnë se arsyeja duhet kërkuar në faktin se rritja e pemëve ishte disi ndryshe në shekullin e 17-të, për shkak të klimës së atëhershme. Ekspertët thonë se për shkak të një periudhe të shkurtër shumë të ftohtë në fillimin e viteve 1700, pemët rriteshin më ngadalë dhe shfaqnin shenja të njëjta rritjeje gjatë të gjitha stinëve. Stradivari mund të ketë qenë një mjeshtër i madh por mund të ketë pasur edhe një fat jashtëzakonisht të rrallë ngase kushte të tilla të motit nuk janë përsëritur në Europë që prej asaj kohe. Mjeshtri italian, Antonio Stradivari, ka prodhuar vetëm 600 violina, secila prej të cilave vlerësohet në miliona dollarë.
Projekti
Parku Ballkanik i Paqes, mes Shqiperisë, Malit të Zi e Kosovës
Ditët e fundit në Shqipëri ka qenë për vizitë profesoresha Antonia Jang, autore e tre librave studimorë mbi Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Jang është ideatore e nismës për krijimin e Parkut Ballkanik të Paqes, në zonën ndërkufitare mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Ajo thotë se “Qeveritë e tre vendeve duhet që të shpejtojnë punën për konkretizimin e kësaj nisme. Zona ndërkombëtare mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi ka pasuri të rralla natyrore dhe një mënyrë të veçantë tradicionale të jetesës, thuajse unikale në Europë. ”
Humor
Pijanecët
-Uh, sa kisha pasur dëshirë të martohesha me një vajzë, e cila çdo mëngjes do të ma sillte kafenë në krevat, -i thotë një pijanec shokut të vet.
-Edhe do ta marr për grua menjëherë atë vajzë, e cila do të më sillte çdo natë krevatin në kafene, -ia kthen shoku.
Instruktori
-Desha të dija, -i thotë një nxënëse bukuroshe instruktorit të saj, a është e mundur që një shofer ta puthë pasagjeren ndërsa është duke ngarë makinën?
-Kjo është një pyetje që e bëjnë shumë vetë dhe aplikimi i saj do të jetë objekti i mësimit tonë të parë, -ia kthen ai.
Fallxhori
Një grua shkon te fallxhori dhe i thotë:
-Para pesë vitesh erdha te ju dhe më thatë se sot do të kisha burrë dhe pesë fëmijë.
-Dhe çfarë ndodhi? – e pyet fallxhori.
-Ajo që thatë u vërtetua, pesë fëmijët i bëra... Tani, dua të di se kur do të kem edhe një burrë?
Horoskop
Dashi
Aftësia për të ndërhyrë dhe diplomacia nuk janë anët tuaja më të forta. Një raport është i krijuar edhe nga misteri. Kjo është tërheqja juaj.
Demi
Të reja të rëndësishme ju presin profesionalisht. Do të jetë instikti që do t’iu sugjerojë lëvizjet më të mira për të pasur sukses.
Binjakët
Me Neptunin, që ju rifurnizon me fantazi dhe Hënën te Peshorja, kuotat tuaja dashurore do të kenë një ngritje të dallueshme.
Gaforrja
Mund të gjeni në dialog zgjidhje për shumë nga problemet tuaja në çift, por sot nuk jeni në humorin e duhur. Kujdesi pak më tepër për veten.
Luani
Lajmet që prisnit janë duke ardhur e natyrisht, do të jenë shumë të mira. Jeni simpatikë, tërheqës dhe askush nuk mund t’iu rezistojë.
Virgjëresha
Në pamje të parë dita rrjedh e qetë, por nëse e shikoni mirë, diçka vazhdon t’iu shqetësojë. Edhe sot do të jepni shumë dhe do të merrni pak.
Peshorja
Po bëni vërtet emër në sektorin ku punoni. Ekziston një harmoni e mrekullueshme në jetën e çiftit; eskursione romantike e projekte ambicioze drejt realizimit.
Akrepi
Keni ide fituese. Ambicja është sinonim i suksesit, por kur nuk është e shoqëruar nga mënyra e drejtë, ajo shkatërron në vend që të krijojë.
Shigjetari
Marsi, Neptuni dhe Hëna në aspekt shumë të mirë me Plutonin ju dhurojnë një energji e karikim erotik dhe një sërë shancesh dashurore.
Bricjapi
Humori nuk është nga më të mirët, me Hënën te Peshorja që ju bën jashtë faze. Impenjimi në punë mund të japë rezultate zhgënjyese.
Ujori
Me një Mars luftëtar që ju përballon me kërcënim, faza që po kaloni nuk është nga më të qetat, mbi të gjitha në raportet me kolegët e familjen.
Peshqit
Me ndihmën e Jupiterit, vështirësitë nuk do të jenë të pakalueshme. Për të bërë për vete atë që ju intereson, duhet më shumë grintë.
5 Korrik 2008