E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studenti kërcënon pedagogun, gjatë provimit te Juridiku

Kërcënohet gjatë provimit te Juridiku pedagogu i lëndës “E drejta Penale”. 

Dashamir Biçaku

Ilir R., me profesion jurist dhe njëkohësisht pedagog në Fakultetin Juridik në Tiranë është gjendur dje para një situate të vështirë e të paparashikuar sapo ka ndërhyrë për të ruajtur qetësinë në sallën ku po zhvillonin provimin studentët e kursit të dytë. Një prej studentëve ka nxjerrë një thikë brenda në ambientet e sallës ku zhvillohej provimi, pas mosmarrëveshjeve që ka pasur me të dashurën e tij. Duke vënë në përdorim thikën ai ka kërcënuar rivalin e tij që po i “rrëmbente” vajzën e zemrës dhe pas ndërhyrjes së pedagogut, ka kërcënuar edhe këtë të fundit. Gentian Goxhaj, 19 vjeç, banues në rrugën “Myslym Shyri”, ka shkaktuar kaos në ambientet e fakultetit për shkak të grindjes me një student tjetër të Juridikut, për ish të dashurën e tij, Malvina P. Sherri që ka nisur me grindje, për pak mund të kishte përfunduar në një gjakderdhje pasi sipas policisë, Gentian Goxhaj ka nxjerrë një thikë që mbante me vete dhe i është drejtuar  rivalit të tij, duke e kërcënuar të mos i afrohej vajzës Malvina P. Pedagogu, i cili ka parë rrëmujën e shkaktuar në sallën e provimit, ka ndërhyrë për vendosjen e qetësisë, por i akuzuari për ngjarjen është kthyer edhe ndaj tij me thikë. Pedagogu i kanosur po zhvillonte provimin e një kolegu të tij që jep të njëjtën lëndë, i cili dje, nuk ka qenë në fakultet. Sipas burimeve zyrtare të policisë vajza, studente e vitit të parë, disa javë më parë ishte ndarë nga Gentian Goxhaj dhe më pas është lidhur me një tjetër person, edhe ai student i të njëjtit fakultet. Ajo ka qenë duke përfunduar provimin, kur Gentian Goxhaj ka shkuar për ta takuar ndërsa prej vajzës ka marrë përgjigjen se ajo nuk donte të vazhdonte lidhjen, pasi tashmë ishte me një tjetër person. Ky reagim ka nxehur studentin 19-vjeçar, i cili ka nisur të debatojë me vajzën. I dashuri i saj aktual i është ngritur 19-vjeçarit Goxhaj, duke përdorur fjalë të rënda. Në këtë moment, pedagogu penalist është detyruar të ndërhyjë duke u munduar të ndajë palët dhe të vendosë qetësinë në sallën ku po zhvillohej provimi. Në këtë moment, Gentian Goxhaj ka nxjerrë një thikë dhe sipas dëshmitarëve ka kërcënuar studentin rival. Gjatë veprimeve të tij, i dyshuari sipas dëshmitarëve i është drejtuar edhe pedagogut duke i thënë se do ta vriste. Ky kërcënim ka mjaftuar që pedagogu të largohej nga salla. Ai menjëherë ka kërkuar ndihmën e krerëve të fakultetit dhe rojës, të cilët lajmëruan policinë. Gjatë kësaj kohe Gentian Goxhaj është larguar nga salla ku zhvillohej provimi. Disa patrulla të policisë së komisariatit nr.2 kanë rrethuar zonën. Disa efektiva kanë hyrë në sallën ku zhvillohej provimi duke marrë në pyetje disa prej studentëve të pranishëm në ngjarje. Pasi nuk kanë arritur të gjejnë agresorin e kërkuar, policët janë drejtuar tek shtëpia e tij në rrugën “Myslym Shyri”, por 19-vjeçari nuk ndodhej aty. Shërbimet e policisë menjëherë kanë shpallur në kërkim studentin 19-vjeçar për akuzën e kanosjes ndaj pedagogut dhe studentit tjetër.

Vajza jep dëshmi kontradiktore
Vajza, e cila është bërë shkak i ngjarjes së ndodhur dje në sallën e provimit tek Fakulteti Juridik, ka qenë një nga dëshmitaret kryesore të shoqëruara në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me incidentin. Burimet zyrtare nga hetimi i çështjes janë shprehur dje se, gjatë deklarimeve të saj, vajza ka mbajtur qëndrime kontradiktore që bien ndesh me njëra-tjetrën. Ajo fillimisht ka treguar se ish-i dashuri i saj kishte kërkuar të fliste me të për çka edhe ishte irrituar, por më vonë ajo ka thënë se nuk kishte lidhje me ngjarjen.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›