Gratë e Ministrisë së Kulturës, deklaratë për mbrojtjen e Pangos
Dikush do të thoshte se është “nderi i fundit” ndaj ish-ministrit. Por shumica thotë se këtë ia detyrojnë vetes. Pas skandalit të bujshëm “Pango”, punonjësit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dje iu drejtuan mediave me një deklaratë, apo siç e kanë quajtur ata “qëndrim stafi”, ku mbrohet jo vetëm puna e ish-ministrit Pango, por deri diku edhe morali i tij. Kur pyet në ministri se kush e ka hartuar këtë deklaratë, mëson nga më shumë se një burim, se ka qenë një vendim gati unanim, me idenë se në këtë mënyrë mbrohet edhe puna e tyre. Në deklaratë thuhet se e kanë ndier veten të “detyruar” t’u drejtohen mediave. Dhe kjo është e kuptueshme, duke qenë se çështja “Pango”, hodhi një hije dyshimi mbi të gjithë punonjësit, ose më saktë punonjëset, pasi ato përbëjnë edhe shumicën e stafit të MTKRS-së, mbi 80%, por më së shumti sepse bëhej fjalë për një skandal të quajtur seksual. “Të detyruar nga presioni i medias në ditët e fundit kundrejt stafit dhe punës së bërë në MTKRS falë këtyre viteve, ndjejmë detyrimin moral dhe profesional për të informuar të vërteta më të qenësishme dhe të vlera, lidhur me aktivitetin dhe sukseset e prekshme që janë imazhi real i kësaj ministrie”, - shkruhet në krye të kësaj deklarate prej gati 7 faqesh. Si për të mbrojtur figurën e tyre, ata thonë se ministri ka qenë “korrekt” në punë. “Të gjithë ata që prej shumë vitesh, apo së fundmi janë bërë pjesë e stafit të MTKRS janë të vetëdijshëm për ritmin e lartë të punës, kërkesën e lartë të kërkuar në punë dhe korrektësinë, që iu është kërkuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive përkatëse. Vëmë në dukje që gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet e Ministrit në punë kanë qenë korrekte”. Më tej, renditen të gjitha “arritjet dhe sukseset evidente”, gjatë kohës që në krye të MTKRS-së ishte Ylli Pango, në fushën e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Renditen investimet, numri i turistëve, medaljet, aktivitetet.