E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, ekspertizë videove të Pangos

 

Trazhgim Sokolaj

Regjistrimet filmike dhe zanore në të cilat ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, ekspozohet duke kërkuar favore seksuale, do t’i nënshtrohen një ekspertimi teknik nga Prokuroria, e cila po heton skandalin. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se në dosjen hetimore janë administruar tashmë materialet “bruto” me regjistrimet e ministrit si dhe kasetat e redaktuara, të cilat u transmetuan në emisionin “Fiks Fare” në Top-Channel. Verifikimet e Prokurorisë për skandalin e ish-kreut të Ministrisë së Kulturës, filluan kryesisht tri ditë më parë me sekuestrimin e pamjeve filmike. Videot që përmbajnë edhe regjistrimet zanore të takimeve që ish-ministri Pango ka pasur me vajzat që kërkonin punë dhe më pas me gazetaret e “infiltruara”, duken deri më tani i vetmi burim nga i cili hetimi mund të shkojë më tej. Gjatë ditës së djeshme mësohet se janë bërë edhe verifikimet e para të pamjeve filmike dhe regjistrimeve zanore. Nën drejtimin e prokurores Anila Leka, oficerët gjyqësorë dhe specialistët e fushës kanë ballafaquar kasetat e transmetuara, ku disa prej pamjeve janë prerë për efekt kohe me kasetat që nuk kanë kaluar në montazh. Ato mbajnë materialet “bruto” siç janë regjistruar gjatë takimeve që ish-ministri ka pasur me aplikantet për punë në institucionin e drejtuar prej tij. Prokuroria tha se do të bëjë një verifikim teknik për vërtetësinë e regjistrimeve, duke vëzhguar personat që paraqiten në to me qëllim identifikimin e tyre, pasi hetimi drejtohej ndaj ish-ministrit. Verifikimi i kasetave mësohet se do të përdoret edhe për njohjen e personave që kanë qenë të pranishëm në situatat objekt hetimi me qëllim marrjen e dëshmive në fazën e mëtejshme të hetimit. Dosja penale e hapur në Prokurorinë e Përgjithshme i referohet veprës penale “kryerje e marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar detyrën, mbetur në tentativë” dhe “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248, 105 dhe 259 të Kodit Penal.
Telefonatat e ballafaqimet
Prokuroria e Përgjithshme tha se ka planifikuar të thërrasë për ballafaqim personat që shfaqen në videot e ish-ministrit Pango. Përballja e protagonistëve të videove mësohet se do të bëhet në prani të grupit të hetimit, i cili ka për qëllim të saktësojë ato momente të takimeve dhe abuzimeve të cilat mbeten të paqarta nga imazhet e regjistruara. Gjatë ballafaqimit hetuesit pritet të kërkojnë nga vajzat edhe deklaratë me vlerën e kallëzimit penal ndaj ish-ministrit, në rast se ato gjykojnë se ndaj tyre është kryer vepër penale. Organi i akuzës ndërkaq mësohet se është duke ndërmarrë edhe hapin e verifikimit të tabulateve telefonike për numrin e telefonit të ish-ministrit Pango dhe numrat që janë përdorur nga vajzat që shfaqen në videot e transmetuara prej emisionit “Fiks-Fare”. Nga verifikimi i tabulateve pritet që të mësohet nëse kanë qenë vajzat ato që kanë ngulmuar të bisedonin dhe të takoheshin me ish-ministrin, apo ka qenë ky i fundit iniciatori i situatave që janë shfaqur publikisht. Prokuroria pritet t’i kërkojë kompanive përkatëse celulare listën e telefonatave, mesazheve dhe një detajim të tyre për të identifikuar për secilin rast, nga cili numër janë kryer thirrjet dhe janë dërguar mesazhet hyrëse dhe dalëse.
Kamera në varëse
Kamera që fiksoi imazhet e ish-ministrit Pango gjatë takimit me gazetaren në shtëpinë e tij private, mësohet se ka qenë e montuar në varësen e vajzës. Nga të dhënat e administruara prej prokurorisë, konfirmohet një nga pretendimet e ish-ministrit se vajza në fjalë ka pasur njohje paraprake me Pangon. Sipas burimeve të akuzës qendrore, që i referohen materialeve të sekuestruara në studiot e emisionit “Fiks Fare”, videoja e takimit në shtëpinë e ish-ministrit përmban edhe episode të tjera që nuk janë bërë publike dhe që hedhin dritë mbi pozicionin e ish-kreut të Ministrisë së Kulturës, por edhe të vajzës së “infiltruar” si studente që kërkonte punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›