E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet vajza që futi Pangon në kurth

 

Ferdinand Dervishi

Pa e ditur kurrë fundin në duart e një njeriu që shumëçkat e të dhënave ia kishin formësuar në mendje me përmasa të frikshme, ajo ka guxuar. Ka guxuar të futet në shtëpinë e tij, të shohë si mbyllet nga pas dera, apo disa të tilla, si mbeten në anën tjetër njerëzit që e shoqërojnë, si formohet në ajër errësira dhe përçimet e saj dhe të vazhdojë të ndjekë nga pas një mashkull, figura e stërmadhe e të cilit e mbulon dy herë shtatin e saj të shkurtër. Duke ia arritur t’ia dalë mbanë. Të rezistojë, edhe pse në një moment apo në tjetër mashkulli i fuqishëm pranë saj mund të humbiste mendjen dhe të ushtronte dhunë, apo përdhunë. Ka rezistuar edhe kur tjetri ka nisur ta zhveshë. Rezultati: Ministri i shtetit u shkarkua në kohë rekord, menjëherë pas transmetimit të pamjeve në televizion. Gjithçka falë guximit të femrës, vajzës, gazetares, e cila mori përsipër të bënte, në kushtet e vendit mbase më maskilist të Evropës, rolin e një agjenteje sekrete të kohëve moderne. Por kush është kjo femër, vajzë, gazetare? E cila në asnjë rast nuk la të kuptohej se e kishte shumë të lehtë. E cila pranoi se në një moment për pak braktisi gjithçka për shkak të rrethanave të krijuara, kur mashkulli me imunitet ministri nisi ta zhvishte.
Vajza njihej me Pangon
“Unë e kam pasur të njohur të vjetër atë vajzë”. Kjo frazë e përsëritur disa herë nga Ylli Pango, ish-ministri i Kulturës, i saposhkarkuar nga detyra, pikërisht për autorësinë e këtij skandali seksual, nxirrej prej tij sikur të kishte përpara jo një gazetar si Blendi Fevziu, por një prokuror. Si të ishte një provë pafajësie, që nuk po merrej në konsideratë nga gjykuesit, në këtë rast me përmasat numerike e një kombi.
Dhe e vërteta thotë se Ylli Pango, dikur me atributet e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale vërtet ishte përballur, në disa raste, me vajzën që e futi në kurth. Dikur ama. Kur vajza me origjinë nga një fshat i një rrethi verior guxoi të merrte pjesë në një nga edicionet e para të reality shoë-t “Kafazi i Artë”. Asokohe vetëm 19 vjeçe, vajza u fokusua shpejt në vëmendjen e publikut falë vlerave personale që transmetoi. Me një trup mesatarisht të shkurtër, topolake, me flokë të zinj që i shkonin deri në fund të kurrizit, ajo u shfaq me pamjen e një engjëlli dhe kjo u pranua edhe nga garuesit e së njëjtës lojë. Fytyra me linja të rregullta që përmbanin ende elementë fëminorë, u ngulit në mendjen e teleshikuesve edhe prej faktit se vajza fjalëpakë, më shumë se gjithë të tjerët, merrej me punët e shtëpisë dhe gatimin. Vlerësimi ishte i lartë, ajo ishte ndër fituesit e edicionit. Pikërisht përgjatë ecurisë së këtij edicioni vajza është përballur me Ylli Pangon. Fillimisht dekani ka kryesuar një komision që është marrë me përzgjedhjen e konkurrentëve të “Kafazit...”, mes të cilëve ka fituar edhe vajza nga rrethi verior. Më tej, Pango është ftuar periodikisht në ambientet e televizionit “Neës 24”, ku me cilësinë e një psikologu ka dhënë opinione për konkurrentët, por në këtë periudhë të dytë, të dy, vajza dhe Pango, e kanë vëzhguar njëri-tjetrin përmes ekranit. Që nga kjo kohë, deri në realizimin e videos, apo audios, që solli shkarkimin e ministrit, kanë kaluar katër vite të plotë, pa ndonjë kontakt të njohur apo të reklamuar mes të dyve.
Enigmat e njohjes
Pas përfundimit të edicionit “Kafazi i Artë”, vajza tenton të punojë në gazetari. Nis punën në një televizion e më pas në një radio, për t’u rrokullisur, si ai guri që gjen vendin e vet, në stafin e emisionit investigativ “Fiks Fare”. Një vend si gazetare, ku tashmë mund të epitetohet “e vjetër”. Ndërsa detyra më e vështirë dhe njëkohësisht më e suksesshme, ka qenë pikërisht ajo e realizuar me ministrin Ylli Pango rreth një muaj e gjysmë më parë. Një personazh të cilin e kishte njohur gjatë kontaktit të saj të parë me kamerat televizive. Por a e njohu Ylli Pango vajzën? Të besosh momentet e regjistrimit në shtëpinë e tij, kur Pango shfaq habi se vajza ka ndryshuar në pamje, kjo të bën të besosh se ai e njihte. Por po të vish në pretendimin tjetër të Pangos, se ai vetëm pas dy emisioneve televizive, në dy kanale kryesore, të realizuara një ditë pas shkarkimit, u ftillua dhe doli në përfundimin se vajza ishte një e njohur e tij, këtu gjithçka bëhet çorap. Për më tepër që vajza e paraqitur në ministri dhe më pas në shtëpinë e tij, kishte ndryshuar gjithë lukun. Flokët nuk i kishte më të zinj dhe të gjatë, por kafe të hapur me fije të bardha, ndërsa pamja e vjetër e fytyrës mbartte mbi vete katër vite të plota moshe të një vajze që kishte kaluar, nga dikur virgjëreshë, në një femër me paraqitje serioze. Por gjithsesi në këtë rast mund të ketë edhe një të vërtetë të ndërmjetme. Ka të ngjarë që Pango, teksa “merrte në pyetje” vajzën në shtëpinë e tij, teksa i përmendte udhëtimet jashtë vendit dhe mënyrat e të ekspozuarit me rroba banje, të ketë pasur një vegim që i thoshte se, njeriun që po përpiqej ta zhvishte, e kishte fiksuar edhe herë të tjera, me paraqitje më të shëndetshme, por pa pasur kohë reale të vinte në një zgjim të plotë të kujtimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›