Shkollat e munguara për fëmijët e emigrantëve
Marko Caka*
Në kohën që flitet se marrëdhëniet shqiptarogreke po shkojnë vaj dhe takimet qeveritare janë në entuziazmin e duhur, çështja e mësimit të gjuhës amtare tek fëmijët e emigrantëve shqiptarë është në gjendje kritike. Po bëhen dy dekada nga vërshimi masiv i shqiptarëve në Greqi dhe fëmijët e tyre të lindur në emigracion po rrezikojnë të humbasin identitetin e tyre, pa u mbetur as emri, as nishani. Fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi rrezikojnë të mbeten analfabetë pa gjuhën e tyre amtare dhe të huazohen në një identitet tjetër. Shteti grek nuk mund të trajtojë nevojën e tyre vetëm për të mësuar gjuhën greke, por duhet që t’u ofrojë fëmijëve shqiptarë edhe gjuhën e nënës së tyre. Përndryshe këta fëmijë dita-ditës po rrezikojnë të huazohen. Një fenomen që ndihet kudo që shikon fëmijë shqiptarë, në rrugë, në shkolla, autobusë, në parqe, të cilët megjithëse përpiqen të flasin sadopak (të mësuar në ambientet familjare), ata nuk dinë të flasin dhe të shkruajnë asnjë germë të gjuhës së tyre. Nuk bëhet fjalë për atë kategori të pakët prindërish, të cilët nuk bëjnë aspak përpjekje që fëmijët të mësojnë shqip, (nga karakteri dhe formimi i dobët i tyre shesin nderin dhe identitetin e tyre) por për atë shoqëri të shëndoshtë të emigrantëve shqiptarë që lanë vendin e tyre për një të ardhme më të mirë, me ëndrrën për t’u kthyer një ditë në atdheun e tyre. Mungesa e tyre në punë nga mëngjesi deri në darkë nuk i jep kohë të angazhohen me fëmijët e tyre, as të flasin dhe gjuhën e tyre. Greqia duhet të njohë realitetin e ri në shkollat greke, ku rreth 10-12 për qind janë nxënës të huaj, ku shumica janë shqiptarë. Sipas statistikave të Institutit të Arsimimit të Homogjenëve greke, në shkollat 9-vjeçare greke përqindja e nxënësve shqiptarë është rreth 10% nga numri përgjithshëm i nxënësve, pra nga 326.951 gjithsej 30.607 janë të huaj. Ajo që është për t’u theksuar se në shkollat e mesme, fëmijët shqiptarë kanë më tepër prirje për të studiuar se sa fëmijët vendas. Vitet e fundit, duke parë edhe shkallën e lartë të legalizimit të shqiptarëve në shtetin grek, nxënësit shqiptarë janë më të interesuar për të vazhduar studimet e larta. Madje vitet e fundit shumë nxënës grekë kanë nisur të braktisin bankat e shkollës, ndërkohë që e kundërta qëndron te fëmijët shqiptarë, të cilët kanë shtuar radhët e pranimit të tyre në shkollat greke. Sot, realiteti për brezin e dytë të emigrantëve shqiptarë në Greqi është krejtësisht i ndryshëm nga dekada e kaluar e viteve ‘90. Integrimi i fëmijëve emigrantë shqiptarë nëpër shkolla është vendimtar për integrimin gradual të tyre në shoqërinë greke. Prandaj dhe përdorimi i gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë në shkollat greke është një realitet i ri që duhet pranuar nga shteti grek. Përdorimi i gjuhës shqipe në shkollat greke duket se ka trembur disa familje greke ksenofobe, por kurrsesi ata nuk përfaqësojnë shoqërinë greke në tërësi, e cila e ka kuptuar dhe pranuar nevojën e bashkëjetesës me emigrantët shqiptarë, duke iu plotësuar dhe kushtet më minimale, siç është arsimimi i fëmijëve të tyre. Komuniteti shqiptar është komuniteti më i madh i huaj në Greqi dhe duke qenë një komunitet vetëm kontribuues në zhvillimin e gjithanshëm të saj, angazhimi i shtetit grek në plotësimin e nevojave të tyre duhet të ishte më serioz. Dhe një nga nevojat më kryesore të këtij komuniteti është përdorimi i gjuhës amtare te fëmijët e tyre në shkollat greke, si një dëshmi që mban gjallë identitetin e tyre. Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet ministrave të arsimit të dy vendeve përkatëse trajtojnë mësimin e gjuhës amtare të fëmijëve emigrantë në shkollat greke, por praktikisht ajo nuk është zbatuar kurrë. Sado që shpeshherë është ngritur zëri edhe i kryebashkiakut të Koridhalosë së Pireut për mësimdhënien në gjuhën shqipe tek fëmijët e emigrantëve shqiptarë, asnjë nga dikasteret nuk e ka dëgjuar. Nuk mund të matet një iniciativë e tillë mësimdhënieje me hapjen e dy-tre klasave të jashtme në formë kursesh me 20-30 nxënës, ndërkohë që numri përgjithshëm i fëmijëve shqiptarë në bankat e shkollave greke është rreth 100 mijë nxënës. Këtu llogariten që nga kopshti dhe deri në shkollat e mesme, duke përjashtuar studentët shqiptarë në universitetet greke, të cilët dhe ata përbëjnë rreth 7% të tyre. Nuk matet zbatimi i marrëveshjeve me shpërndarjen e disa abetareve si në kohën e Rilindjes dhe fshehurazi duke e parë mësimdhënien e gjuhës shqipe në shkollat greke si rrezik për sigurinë kombëtare greke.
Eshtë për të ardhur keq që edhe komuniteti polak dhe arab që në krahasim me shqiptarët janë në minorancë, kanë shkolla në Greqi në gjuhët e tyre amtare. Prandaj, në takimet e zyrtarëve të lartë të dy vendeve tona fqinje duhet të kenë me përparësi çështjen e zbatimit të arsimit të fëmijëve shqiptarë në Greqi. Shteti shqiptar është shumë larg plotësimit të kërkesave të emigrantëve shqiptarë, sado që vazhdimisht me vizitat e zyrtarëve të ndryshëm është premtuar se do të hapin Qendër
Kulturore për komunitetin shqiptar në Greqi. Asnjë prej këtyre premtimeve nuk është realizuar.
*Autori është korrespondent i “Panorama” në Athinë