“Pango gënjen për gazetaren”
TIRANE
Drejtuesit e emisionit “Fiks Fare” në “Top Channel” hedhin po-shtë të gjitha pretendimet e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango për censurim të bise-dës mes tij dhe gaze-tares që ka shkuar për të kërkuar punë. Një ditë pasi Pango reagoi në emisionin “Opinion” lidhur me disa momente të videos së shfaqur në emision “Fiks Fare”, drejtuesit e këtij të fundit u janë përgjigjur të gjitha akuzave, madje kanë nxjerrë edhe një bisedë të vajzës me punonjësen e Ministrisë së Kulturës dhe shoferin e ministrit, i cili nuk ishte transmetuar dy ditët e fundit. Fillimisht ish-ministri i kabinetit Berisha ka pretenduar gjatë daljes për herë të parë në media, se vajza është e njohura e tij personale prej disa vitesh. “Kjo vajzë është e njohura ime dhe prandaj kam deklaruar që ka qenë dhe problem personal. Rëndësi ka kjo, që kjo vajzë është shumë e njohur për mua”, deklaroi Pango në intervistën televizive. Por drejtuesit e “Fiks Fare” kanë nxjerrë edhe njëherë të plotë bisedën në momentin kur gazetarja, e infiltruar si aplikuese për të filluar punë në ministri, pyetet nga ish-ministri, se ku jeton dhe me kë jeton. Më pas, ai i kërkon numrin e telefonit dhe i dërgon një zile që gazetarja të regjistrojë numrin e tij. Në të njëjtën kohë, jepet edhe njëherë fillimi i bisedës kur vajza hyn në shtëpi dhe ministri e pyet se me çfarë është marrë deri tani. Një tjetër pretendim i Ylli Pangos ka qenë ai sipas të cilit nuk e ka takuar asnjëherë në ministri. Në këtë moment drejtuesit e emisionit kanë transmetuar disa biseda të vajzës me recepsionisten e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe shoferin e ministrit Pango. Gjatë këtyre bisedave vajza kërkonte të takonte kreun e dikasterit, megjithëse fillimisht nuk kishte lënë takim me të. Pas disa tentativash vajza e pret ministrin jashtë kangjellave dhe arrin ta takojë deri sa fikson një takim me të. Të nesërmen ajo paraqitet sërish në ministri ku lejohet të shkojë në zyrën e ministrit. Në intervistën për Blendi Fevziun, ish-kreu i dikasterit të Kulturës pretendon se vajza u paraqit në derën e shtëpisë së tij me një veshje aspak të përshtatshme për një takim të tillë. “Hap derën dhe shoh një vajzë krejtësisht të transformuar, me një dekolte të ekzagjeruar. Ishte e njëjta vajzë. U ngjitëm lart dhe fillojmë bisedën për peshën”, deklaroi Pango. Por pas këtij pretendimi të deputetit të maxhorancës, “Top Channel” transmetoi një pjesë të videos ku vajza dukej pak çaste përpara se të trokiste në derën e Pangos. Nga pamjet ajo dukej e veshur me xhup. Madje, kjo vërtetohet edhe në momentet e para të bisedës mes Pangos dhe gazetares, ku ai i kërkon vajzës të heqë xhupin. “Hiqe xhupin”, i është drejtuar zyrtari i lartë i shtetit vajzës që shkoi për të dorëzuar dokumentet për aplikimin për punë në ministri. Një tjetër pretendim i ish-kreut të Ministrisë së Kulturës ka qenë pikërisht fakti që vajza e parë ka ardhur në ministri për të kërkuar punë me rekomandimin e mikut të tij Filip Çakuli. Kjo gjë konfirmohet edhe nga drejtuesi i këtij emisioni, Sajmiri, i cili në transmetimin e 3 marsit, përshkruante pikërisht momentin kur vajza me një mesatare të mirë kërkon të aplikojë për punë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Por drejtuesit e emisionit “Fiks Fare” kanë hedhur poshtë edhe pretendimin e ish-ministrit sipas të cilit, vajza ishte e gatshme të shkonte në shtëpinë e ministrit edhe pse ishte mbrëmje. Sipas bisedës, ishte vetë ministri që kishte lënë një takim në mbrëmje, madje u transmetua edhe mesazhi i cili i kërkonte vajzës, që kur të shkonte afër shtëpisë në orën 21.15 ta telefononte. Pas dy ditësh transmetim të videos së ish-ministrit Pango me një vajzë, e cila kërkoi të aplikonte për punë në ministrinë që ai drejtonte, vetë ish-ministri ka reaguar përmes një dalje surprizë pikërisht në emisionin “Opinion”, të enjten në mbrëmje. Gjatë intervistës prej 45 minutash, Pango ka akuzuar mikun e tij prej 30 vjetësh, siç e quajti, Filip Çakulin si dhe kreun e PS-së, Edi Rama për montimin e kësaj videoje. “Kjo vajzë është larguar sepse me të nuk u realizua dot pjesa e skenarit të përgatitur nga Filip Çakuli dhe padroni i tij Edi Rama. Kjo vajzë ka bërë vetëm biseda telefonike. Ajo ka pretenduar se unë do i them ndonjë fjalë nga ato që donte Filip Çakuli. Provokacionin e parë Ylli Pango e ka përballur”, deklaroi Pango në emision. Në të njëjtën kohë ai kërkoi falje për faktin se pranoi të fuste vajzën në shtëpi. “Ky është momenti që e pranoj dhe bëj apologji. Nuk i është kërkuar seks. Nëse do filmoni pozat e saj më përpara nuk është siç e nxjerr aty dhe pasi ka rezistuar i është thënë në rregull s’ka problem, mos u shqetësoni”, shtoi më tej Pango.
Pretendimi i Pangos
Pango: “Kjo vajzë është e njohura ime dhe prandaj kam deklaruar që ka qenë dhe problem personal. Rëndësi ka kjo, që kjo vajzë është shumë e njohur për mua”.
Biseda mes ish-ministrit dhe gazetares
Ylli Pango– Ku jeton tani?
Fiksi – Këtu
Ylli Pango – Me kë rri?
Fiksi – Vetëm.
Ylli Pango– Sa e ke numrin?
Fiksi – 069 …
Ylli Pango – (lexon nr., që i dha gazetarja dhe e regjistron në cel)
Ylli PAngo – E ke telefonin me vete (I bën zile në celularin e gazetares me celularin e tij?
Fiksi – Normal.
Ylli Pango– Ai është numri im
Fiksi – Ok
Ylli Pango - E çfarë mendon që të fillosh?
Fiksi - Po nuk e di të them të drejtën. Unë kam punuar vetëm tek .....
Ylli Pango - Çfarë bëje aty?
Fiksi - Tek ..... kam punuar si...
Ylli Pango - Po. Sa kohë ndenje aty?
Fiksi - Kam ndenjur rreth 7 muaj se kisha shkollën.
Ylli Pango - Shkollën e mbarove tani ti? Sa t’u bë?
Fiksi - Vjet.
Ylli Pango - Që vjet d.m.th., nuk ke kapur ndonjë punë tjetër?
Fiksi - Jo.
Fiksi- Juve si ju kanë shkuar punët në ministri? Urime edhe njëherë.
Ylli Pango- Ohuu u bë dy vjet e gjysmë.
“Pangon s’e duam as pedagog në fakultet”
Pas shkarkimit nga posti i ministrit Ylli Pango mund të humbasë edhe statusin e pedagogut. Ndonëse nuk ka pasur reagime publike nga rektori i Universitetit të Tiranës dhe dekani i Shkencave Sociale ku Pango ka dhënë mësim, një i tillë vjen nga kreu i konferencës së rektorëve Jorgaq Kaçani. Sipas tij, duhet të zbatohet ligji i Arsimit të Lartë, i cili në rastin konkret është shkelur me të dyja këmbët. “Një pedagog i tillë nuk mund të jetë anëtar i stafit pedagogjik. Cilido të ishte ai prind do ta kishte të pamundur t’ia besonte fëmijët një edukatori, të cilit i është shembur baza e moralit”, u shpreh Kaçni. Sipas kryerektorit pas kësaj ngjarjeje autoritetet përkatëse duhet të zbatojnë ligjin e Arsimit të Lartë, që zhvesh zotin Pango nga petku i pedagogut. ”Me ligj përcaktohet heqja e statusit të pedagogut për këdo që kryen ngacmime seksuale, brenda apo jashtë ambienteve shkollore. Në rastin konkret gjithçka është kundër ish-ministrit, prandaj duhen marrë të gjitha masat në zbatim të tij”, u shpreh Kacani. Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango ka qenë për disa vite dekan dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe kohët e fundit, për shkak të angazhimit në politikë, punonte si pedagog i jashtëm. Kjo edhe pse në auditorë thuajse nuk është parë fare gjatë gjithë kohës së mbajtjes së portofolit ministror. Vetë studentët ndonëse jo hapur pranojnë se Pango ka qenë i përfolur për situata të ngjashme edhe kur ishte pedagog.