E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasti Pango, ose femra në fantazinë mashkullore

Blendi Kajsiu 

Eshtë disi hutuese të shikosh furtunën e vërtetë që po shkakton skandali Pango. Të gjithë shprehen të skandalizuar me sjelljen e Pangos tashmë që ajo u shfaq në publik, edhe sepse të gjithë pranojnë se privatisht ata e dinin diçka të tillë. Të gjithë shprehen të skandalizuar nga përdorimi i postit për favore seksuale, edhe pse askush nuk habitet, sepse e dinë se kjo ndodh rëndom. Prandaj ka diçka hutuese në këtë uragan zemërimi. Të krijohet përshtypja se Pango mund të kryqëzohet pikërisht për të fshehur përmasat e vërteta të fenomenit që ai përfaqëson. Sepse sikurse e pranojnë të gjithë, abuzimi i meshkujve me postin për të përfituar favore seksuale nga femrat është mjaft i përhapur në shoqërinë shqiptare, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat. Në këtë të dytin madje ky fenomen është institucionalizuar nën moton se njeriu bën ç’të dojë në pronën private. Prandaj i gjithë ky zemërim i drejtuar për nga Pango rrezikon të anashkalojë analizimin e vetë fenomenit.
Hapi i parë për ta kuptuar këtë fenomen është introspeksioni, pra duhet të kuptojmë nga na buron zemërimi me rastin konkret? Përse e na duket kaq flagrant dhe revoltues rasti konkret? Duhet thënë se revolta nuk buron nga fakti se Pango po merrte dikë në punë pa konkurs. Revolta nuk buron as nga konflikti i interesave, ku përzihen institute private me institucione publike. Revolta nuk e ka burimin as tek fakti që Ylli Pango po përpiqej të zhvishte një femër në mbrëmje në shtëpinë e tij. Revolta buron nga fakti se po abuzohej me një femër serioze, me një CV të mirë, me mesatare të lartë, që thjesht kërkonte punë dhe jo seks. Është e njëjta situatë që na revolton shumë kur ndodh në ambientet universitare. Është drama e femrës serioze që trajtohet si objekt seksual nga mashkulli maskara. Dhe kjo na revolton si prind, bashkëshort, vëllezër, shokë apo shoqe, pasi ajo mund të ishte vajza, nëna, motra apo shoqja jonë. Na revolton fakti se si injorohet gjithçka, CV-ja, ambicia, karriera apo aftësia, se si vajza zhvishet nga gjithçka dhe reduktohet tek objekti seksual që duhet t’i nënshtrohet epsheve të pushtetarit.   
Problemi është se trajtimi kryesor që i bëhet femrës sot në shoqërinë tonë është pikërisht si objekt seksual. Në shumicën dërrmuese të rasteve në ekranin televiziv femra është një buzëqeshje që shoqërohet nga gjokse, të pasme dhe shalë ndjellëse. Madje edhe emisioni që e denoncoi Pangon e bombardon çdo ditë teleshikuesin pikërisht me këtë imazh. Aspirata më madhore e shumë vogëlusheve shqiptare sot është që kur të rriten të bëhen kërcimtare, këngëtare, miss-e apo modele sa më seksi. Seksi është përcaktori më themelor dhe i domosdoshëm për femrën shqiptare sot. Shpesh në mënyrë më të zbutur ky quhet femininitet, por në thelb ai është modeli i një femre sa më të brishtë, sa më ndjellëse, dhe sa me më pak personalitet. Aq sa ideja se një mashkull mund të dashurohet me botën e brendshme të një femre tingëllon tërësisht qesharake. Tek femra ekziston vetëm bota e jashtme që kap syri i mashkullit. Me pak fjalë shoqëria jonë e prodhon dhe e stimulon vazhdimisht femrën si objekt seksual, që i përdor hiret e saj për të ecur përpara nëse është nevoja. Për pasojë në shoqërinë shqiptare një femër bën përpara shumë më lehtë me gjoks dhe bythë sesa me tru. Në të njëjtën kohë po e njëjta shoqëri vlerëson lart “femrën serioze”, e cila nuk duhet të ketë fare lidhje me seksin. 
Kemi të bëjmë me dy subjekte femërore kontradiktore, të dyja produkte të fantazisë mashkullore. Ç’ka nuk ka përse të na çudisë, sepse hapësira jonë publike, sikurse dhe e gjithë shoqëria jonë është thellësisht mashkullore. Njëri subjekt është ideali i femrës sensuale, seksi, me femininitet dhe hire. Në këtë fantazi femra reduktohet në një objekt seksual që kënaq erosin mashkullor. Në këtë funksion personaliteti, apo CV-ja apo janë krejt dytësore, për mos të thënë të bezdisshme. Nga ana tjetër fantazia mashkullore prodhon edhe subjektin “femra serioze” që kryen rolin e nënës, motrës apo bashkëshortes. Kjo është fantazia që e projekton femrën në hapësirën private, brenda shtëpisë apo rrethit familjar. Këto janë femra që nuk reduktohen në objekte seksuale, por individë me personalitet, çka shpesh prodhon edhe konflikte dhe përplasje të forta në familje. Edhe bashkëshortja që nis si partner seksual, kur futet në sferën private me kalimin e kohës zë vendin e nënës, lan, shpëlan dhe gatuan për mashkullin që kalon nga kujdesi i nënës tek ai i gruas. Kemi të bëjmë me dy “femra” që janë thellësisht kontradiktore dhe në tension të përhershëm me njëra–tjetrën, pasi duhen mbajtur të veçuara, si gruaja nga dashnorja. Për ta kuptuar këtë mjafton të imagjinoni se si do reagonte një koleg apo shok i juaj nëse do t’i thoshit “sa seksi e ke motrën/mamin/gruan”. Në këtë fjali nuk ka ndodhur asgjë tjetër përveçse janë përzier kategoria e femrës si objekt seksual dhe “femra serioze”.    
Paradoksi qëndron në faktin se femra si individ me personalitet projektohet brenda hapësirës private, ndërsa femra si objekt seksual projektohet në hapësirën publike. Është e qartë që kjo fantazi shërben në mënyrë të pavetëdijshme për ta mbajtur femrën sa më të lidhur me hapësirën private dhe sa më larg me hapësirës publike. Femra në hapësirën private është e mirë, serioze dhe e ndershme, nëse në hapësirën publike rrezikon të bëhet objekt seksual (d.m.th kurvë). Prandaj mediat na bombardojnë pafund me imazhin e femrës seksuale në hapësirën publike. Atë e shohim tek emisione misesh, tek valltaret, prezantueset apo gazetaret seksi. Atë e shohim kudo në ekrane televizorë apo faqe kopertinash, ku femrat shfaqen në dimensionin e tyre seksual. Me pak fjalë fantazia mashkullore vazhdimisht e zhvesh femrën në hapësirën tonë publike. Madje, ky proces shpesh quhet edhe emancipim. Kulmi i emancipimit arrihet nëse femra bën seks në publik, siç ndodh në reality show të tipit “Big Brother”. Në të gjitha këto raste kemi të bëjmë me projektimin e fantazisë mashkullore për femrën në hapësirën publike. 
Duke u projektuar në hapësirën publike kjo fantazi e riprodhon veten vazhdimisht. Ashtu sikurse tek qeni i Pavllovit, edhe tek mashkulli shqiptar imazhet e femrës si objekt seksual në hapësirën publike prodhojnë një reagim automatik. Mashkulli që bombardohet pafundësisht me femrën në hapësirën publike si objekt seksual, automatikisht e trajton femrën si të tillë sa herë që ndeshet me të në këtë hapësirë. Në fantazinë mashkullore çdo femër jashtë hapësirës private familjare automatikisht reduktohet në objekt seksual. Ky trajtim nuk përjashton as mirësjelljen dhe as xhentilesën, edhe pse në thelb është mjaft i dhunshëm, veçanërisht kur bëhet nga pozitat e pushtetit ku ndodhet shumica e meshkujve sot në raport me femrat. Pikërisht këtë gjë bënte edhe Pango nga pozicioni i tij i pushtetit. Por rasti Pango duhet kuptuar si një rast konkret i një fenomeni më të gjerë, që fatkeqësisht ndodh çdo ditë në shoqërinë shqiptare. Sot ekzistojnë sa e sa Pango në shtet dhe në privat, në media dhe në biznes, gjithandej. Këta janë të gjithë produkte të pozicionit që ka sot femra në hapësirën publike shqiptare që e redukton atë në thjesht një objekt seksual në funksion të kënaqësisë mashkullore.  Prandaj që rasti Pango të eliminohet nesër, duhet që sot të fillojmë të rishpikim femrën në hapësirën tonë publike. Dhe kjo është shumë më e vështirë sesa të urresh Pangon. Prandaj një pjesë e mirë i janë dhënë me shpirt kësaj të dytës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›