E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e Trojës rikthehen me vuajtjet e tyre në Teatrin Kombëtar

/>Teatri Kombëtar është kthyer në vendin ku jo vetëm revokohet tradita e pasur teatrore, por edhe vihen në skenë vepra të cilat sjellin për shikuesin vlerat më të mira të dramaturgjisë botërore, por edhe tendencat dhe rrymat bashkëkohore. Politika e repertorit këtë vit ka reflektuar shigjetime të një kërkimi artistik të veçantë, duke hulumtuar thellësisht në dramaturgjinë më të mirë botërore. Rezultat i kësaj përpjekje ka qenë edhe vënia në skenë për herë të parë në historikun gjashtëdhjetëvjeçar të Teatrit Kombëtar e një kryevepre nga antikiteti grek. Kështu në bashkëpunim me artistë grekë u arrit premiera absolute në Shqipëri e tragjedisë së Euripidit  Trojanet. Pas shfaqjeve me sukses në skenën teatrore në Tiranë gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar, tragjedia Trojanët e Euripidit rikthehet sërish në skenën teatrore, për tu rivënë me aktrimin e shkëlqyer Margarita Xhepës, Ema Andreas, Luiza Xhuvanit, Guljem Radosë, Neritan Liçajt, Rajmonda Bulkut etj. Gjithashtu, kjo shfaqje ka çelur edhe edicionin e fundit të Festivalit të Teatrove në Butrint, duke fituar duartrokitjet e publikut. Nga Teatri Kombëtar mësohet se në datën 17 dhe 18 janar shfaqja do të vijë përpara publikut. Hekuba, padyshim është një prej roleve më madhore që aktorja Margarita Xhepa dha në shfaqjen "Trojanet", në skenën e Teatrit Kombëtar. "Trojanet" është tragjedia që Vangjelis Theodoropoulos do të vinte në çdo skenë të huaj. Ngjarjet zhvillohen pikërisht në Butrint dhe kjo është një arsye më tepër për të qenë i bindur, që është vepra e duhur. Puna për realizimin e tragjedisë "Trojanet" nisi në muajin maj të vitit që lamë pas, dhe erdhi për herë të parë në Shqipëri, jo vetëm si shfaqje, por edhe si tekst. Tragjedia u shqipërua nga përkthyesi dhe shkrimtari Romeo Çollaku, që prej vitesh jeton në Greqi. I njohur në Greqi, jo vetëm si drejtuesi i kompanisë teatrore "Neos Cosmos", regjisori grek Vangjelis Theodoropoulos njihet si regjisor i komedive të Sofokliut. Të vinte një komedi në skenë, mund të ishte varianti më i thjeshtë për të, megjithatë zgjodhi një tragjedi.  Vepra e Euripidit rikthen vuajtjet e të gjitha atyre grave, të cilat kanë humbur burrat e tyre në luftë. Janë pikërisht gratë ato që mbajnë peshën kryesore të tragjedisë në këtë mes, dhe duke pritur me ankth fatin e tyre. Margarita Xhepa, Hekuba, është personifikimi i tragjedisë trojane. Hekuba është një rol për të cilin vetë Margarita Xhepa është shprehur se ka qenë një roli vështirë për të cilin ajo ka punuar shumë. Në kuadër të veprave skenike që janë vënë në skenën teatrore kombëtare, gjatë vitit që lamë pas ka qenë e prekshme afrimi i hapësirave integruese të individualiteteve të reja skenike. Jo në pak raste në sezonin e vitit 2008 ndeshim në mënyrë të spikatur aktorë dhe aktore të reja. Si në veprën Trojanet jo thjeshtë në nocionin sasior (20 aktore), në veprën Alegreto Albania me regji nga Altin Basha, por dhe në premierën e fundit Fishkëllime në errësirë. Këmbëngulja ndaj cilësisë së vlerave, repertorit të zgjedhur dhe impaktit që ai ka krijuar me publikun, e kanë kthyer Teatrin Kombëtar mjaft të prekshëm ndaj audiencës dhe të pranuar në mënyrë unikale përtej vlerave lokale. Me misionin e tij sikurse është promovimi i produksioneve skenike, lëvizjes teatrore, dramaturgjisë dhe trashëgimisë botërore, individualiteteve krijuese ka qenë dukuri e spikatur veçanërisht për vitin 2008.  Kështu, ndërsa provat do vijojnë deri në fund të shkurtit për premierën e parë të këtij viti, që është Filumena Marturanome regji të Albert Mingës si dhe një kastë aktorësh të njohur të skenës shqiptare, ku mes tyre janë dhe emra të rinj, publiku artdashës i teatrit do të ketë mundësinë të shohë sërish veprën teatroreTrojanet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›