E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat dhe fushata e ardhshme zgjedhore

>Nga Ivana TOMÇO
Pak nga pak, politika shqiptare po profesionalizohet, mediat audiovizuale gjithashtu. Të dy këto përparime po ecin paralelisht. Megjithatë, gjithnjë del dikush që dominon skenën dhe monopolizon debatin. Mes faktorëve kryesorë që e mundësojnë këtë, kryesore mbeten mediat dhe kryesisht ato publike. Ato përpiqen të transmetojnë mesazhe dinamizmi dhe simpatie, elementë kryesorë të komunikimit të efektshëm në politikë. Duke qenë se zgjedhjet e ardhshme janë afër dhe fushata elektorale pritet të fillojë, me qëllim që të gjithë ne të bëhemi zgjedhës të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm, duhet që secili prej nesh të bëhet i aftë të mendojë e të reflektojë mbi influencën e mediave në procesin demokratik zgjedhor, të kuptojë e të analizojë mesazhet e ndryshëm që përcjellin diskutimet e politikanëve dhe personaliteti i burrave dhe grave të politikës. Mediat në përgjithësi, pra tërësia e mjeteve shpërndarës të informacionit, janë mjeti themelor shprehës për aktorët e demokracisë dhe luajnë një rol vendimtar në formimin e opinionit publik. Duke nxjerrë në pah e duke vendosur në qendër të vëmendjes lloje të ndryshme debatesh, ato arrijnë të ngjallin të tjerë debate, duke respektuar gjatë këtij procesi, një etikë të caktuar: saktësi informacioni, respektim i jetës private, verifikim i burimeve. Në etapa të caktuara, shtypi mund të luajë rol vendimtar, duke bërë të dominojë një opinion i caktuar publik. Gjatë shekullit të 20-të jo vetëm gazetat, por edhe radio, televizioni, kinemaja, merrnin pjesë në debatin demokratik. Ndërsa në shekullin e ri, është interneti ai që më së shumti, bën të mundur përhapjen e ideve demokratike. Teknologjitë e reja i nxisin organet demokratike të modifikojnë mënyrën e tyre të punës, duke e afruar klasën politike me qytetarët. Kështu, mediat plotësojnë vektorët tradicionalë të demokracisë, duke shpikur forma të reja informimi dhe shprehjeje.
  Paralelisht me përparimet e mëdha të demokracisë shqiptare, edhe mediat janë demokratizuar, duke u bërë lehtësisht të mbërritshme ngado dhe tek të gjithë. Shpesh pluralizmi i këtyre ndërmjetësve të komunikimit mes pushtetit dhe popullit, ndihmon funksionimin e demokracisë. Por, nga ana tjetër, mediat mund të paraqesin edhe rrezik për demokracinë, duke bërë të mbërrijnë tek publiku, të fshehta që ky i fundit nuk duhet apo ska nevojë ti dijë. Çdo qeveri, ka nevojë të mbajë diçka të fshehtë, të paktën në përgatitjen dhe hartimin e vendimeve, apo kur bëhet fjalë për çështje madhore e të rëndësishme ndërkombëtare, edhe pse nga ana tjetër, demokracia kërkon transparencë absolute. Një rrezik tjetër nëpërmjet të cilit kalon demokracia, është rreziku i manipulimit, pasi siç e dimë të gjithë, financimi i mediave shpesh varet nga kapitale private që mund të duan ta modifikojnë informacionin në funksion të interesave të tyre, duke ushtruar presion mbi funksionimin demokratik. Kjo mund të cënojë pavarësinë e mediave edhe pse një pjesë e tyre përpiqet të sigurojë një mënyrë financimi të pavarur. Pra, pluralizmi i mediave nuk nënkupton gjithnjë pluralizëm të ideve dhe diversitet të informimit. Televizioni, njëkohësisht edhe media më masive, duke ndikuar tek qytetarët, që më së shumti janë pasivë, shpesh akuzohet se thjeshton debatet dhe dominon opinionin, ndërkohe që rendja pas audiencës i le pak vend debatit demokratik. Të ndjeshëm ndaj jehonave të medias, politikanët i zbukurojnë diskutimet e tyre e i paraqesin jo sipas bindjeve që kanë, por sipas opinionit që ekziston apo vizionit të mediave. Gjatë fushatave elektorale, prioritetin e ka dominimi i televizioneve, në vend që ta ketë debati demokratik dhe shkëmbimi i ideve. Gjatë këtij momenti, media dhe kryesisht ajo publike, e kryen më së miri funksionin e saj, nëse arrin ti sigurojë hapësirë të barabartë shprehjeje kandidatëve të ndryshëm. Politikanët respektojnë mediat dhe formatet që ato imponojnë, duke arritur shpesh që një problem të madh e të komplikuar ta përmbledhin  në një frazë të vetme. Shteti duhet të ushtrojë kontroll mbi mediat, por ta bëjë këtë në mënyrë demokratike, e jo duke ushtruar presion. Vetëm kështu mund të sigurohet pluralizmi i informacionit, paanshmëria e shtypit  dhe respektimi i lirisë së opinionit. Mjeti më i ri, interneti, është ai që eliminon barrierat e brendshme, shton forumet e diskutimeve, zgjeron hapësirat e fjalës së lirë, natyrisht, nëse mësojmë ta përdorim ashtu si duhet. Si përfundim, mendoj se mediat duhet të respektojnë zgjedhjet dhe aspiratat e qytetarëve. Janë ato që pasqyrojnë dhe formojnë fenomene shoqërore. Por, nga ana tjetër, roli i tyre nuk duhet mbivlerësuar. Vota natyrisht, nuk varet prej tyre, por ato gjenerojnë të tjerë faktorë vendimtarë ekonomikë dhe shoqërorë. Duke luftuar kundër efektit deformues të mediave, le ti japim prioritet edukimit të gjithanshëm, i cili do ti lejojë qytetarët të kuptojnë mesazhet, të mësojnë të shohin televizor, por edhe të lexojnë gazetat.
Last Updated on Tuesday, 13 January 2009 23:09

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›