E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullohet etnografia

Puna për ngritjen e pavijonit të etnokulturës në Muzeun Historik Kombëtar është pezulluar. Nuk dihen arsyet dhe as afatet për një rifillim të mundshëm. Po ashtu, nuk ka një afat të mundshëm se kur ky pavijon, i përfshirë në projektin e rikonstruksionit të muzeut do të jetë i hapur për t‘u vizituar. Në deklarimet e tij të mëparshme, drejtori Kasëm Biçoku është shprehur se ky pavijon do të marrë një hapësirë të konsiderueshme, do të jetë i plotësuar në përmbajte, duke shmangur kështu edhe informacionin e cunguar që mund të shkojë te vizitorët. Në fakt, ka disa vite që vetëm diskutohet për ngritjen e pavijonit etnografik, me projekte që hartohen e rihartohen duke shtuar apo hequr detaje. Në fakt, që prej më shumë se një vit e gjysmë më parë, materiali që do të ekspozohej në këtë pavijon është përzgjedhur nga fondet e ish-Institutit të Kulturës (sot, me bashkimin e instituteve në Qendrën Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Popullore dhe Studimit të Artit). Një mijë e njëqind objekte dolën përfundimisht nga fondet e këtij instituti që ruhen në godinën e Institutit të Arkeologjisë e u transportuan në Muzeun Historik Kombëtar. Përdorimi i tyre si objekte të ekspozueshme për pavijonin e etnografisë që është në ndërtim e sipër, u përcaktua me një vendim të Këshillit të Ministrave të gushtit 2007. Me kërkesë të ministrit të Kulturës së asaj kohe, Ylli Pango, objektet u transportuan për ruajtje në MHK, ku gjenden edhe sot. Një mijë e një qind objektet, mes tyre veshje popullore të ndryshme, punime argjendi apo druri, të shkëputura 33 mijë të tilla që ndodhen në fondin e Institutit të Antropologjisë Kulturore, u nxorën në bazë të një liste të hartuar nga specialistet, Afërdita Onuzi dhe Yllka Selimi. Janë po këto specialiste që kanë hartuar edhe platformën e realizimit të këtij pavijoni. Por as ato nuk e dinë më se cili do të jetë fati i këtij pavijoni. Onuzi shprehet se ajo nuk është vënë në dijeni për shkaqet e pezullimit të punës. Madje, nuk e di se në çfarë faze ndodhet tashmë zbatimi i projektit. "Unë jam e shqetësuar se çfarë do të ndodhë me objektet, të cilat prej më shumë se një viti e gjysmë qëndrojnë të magazinuara në Muzeun Kombëtar", shprehet specialistja. Këto objekte tashmë kanë kaluar në pronësi të MHK-së, e për pasojë të Ministrisë së Kulturës. "Nuk jam e informuar se ku janë vendosur, por kanë nevojë që minimalisht të ajrosen, sepse pjesa më e madhe e tyre janë veshje", shprehet Onuzi. Ndonëse në shifrat e ofruara nga muzeu flitet për një numër turistësh në rritje, pavijonet që u janë ofruar këtë sezon veror kanë qenë të cunguara, pikërisht si pasojë e këtij rikonstruksioni të muzeut, projekt, detajet e të cilit apo edhe fazat e zbatimit i janë mohuar shpesh interesimit të medias.

Pavijoni

Ideja e ngritjes së një pavijoni etnografik ka vite që mendohet. Më herët, diskutimi është shtruar mes idesë së një muzeu të mëvetësishëm të etnografisë (kësaj teze i ka mëshuar sidomos Afërdita Onuzi gjatë kohës që ishte drejtoreshë e Institutit të Kulturës Popullore) dhe atij të një pavijoni brenda Muzeut Kombëtar. Në përpjekje të konkretizimit të kësaj ideje, u hap fillimisht një ekspozitë etnografike në katin e dytë të muzeut, në një hapësirë që vinte pas pavijonit të gjenocidit. Aty u ekspozuan disa manekinë me veshje popullore të krahinave të ndryshme dhe disa objekte të tjera etnografike. Atëkohë, përurimi i kësaj hapësire u quajt edhe si një rikthim i etnografisë në Muzeun Kombëtar. Më vonë, në kohën kur ish-drejtori Meta, në bashkëpunim edhe me specialistë italianë po diskutonte një projekt të përgjithshëm të rikonstruktimit të muzeut, u ngritën grupe pune për të hartuar një platformë të vendosjes së pavijoneve dhe hapësirës që do të zinin. Ky projekt u ndryshua me ardhjen në krye të drejtorit Biçoku, që pasoi edhe ngritjen e grupeve të reja të punës. Edhe sot mbetet ende e pazgjidhur përmbajtja dhe hapësira që do të ketë Muzeu Historik Kombëtar, një destinacion turistik për ata që zbresin në Tiranë për të njohur historinë dhe kulturën shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›