"Gratë e shquara shqiptare", në gjuhën malazeze
Është botuar në gjuhën malazeze libri i Sanije Gashit, "Gratë e shquara shqiptare". Redaktor i librit në edicionin malazez është Sabri Halili, ndërsa është përkthyer nga Jovan Nikolaidis. Botimin e këtij libri e ka mundësuar rrjeti letrar "Traduki". Libri "Gratë e shquara shqiptare" në origjinal ka pasur dy botime.
Botimin e parë në vitin 2000, ndërsa të dytin në vitin 2003, me botues revistën "Teuta" të Prishtinës. Libri ka përfshirë figura të ndritura të grave shqiptare që kanë kontribuar në fushën e shkencës, të edukimit, të historisë e kulturës. Nga Rozafa, mbretëresha Teutë, te Nënë Tereza e gra të tjera që kanë lënë gjurmë të thella, jepen të dhëna të verifikuara për këto figura të ndritura të kombit shqiptar.
Autorja ka përdorur si kriter kontributin e grave në fushat e përmendura, të kenë mbushur moshën 70 vjeç, apo ato që fizikisht nuk janë më në mesin e të gjallëve. Në botimin malazez, janë përfshirë edhe gjashtë figura të reja të shkencës e kulturës: Kleopatra, Olimpia, Angelica Palli, Eugjeni Thanasi, Hamide Stringa dhe Melihate Ajeti.
Qëllimi i botimit të këtij libri është inkurajimi i grave shqiptare në punën dhe aktivitetet e tyre. Botimi i librit në gjuhë të tjera, sipas autores, ka për synim të njoftojë opinionin ndërkombëtar për të arriturat e gruas shqiptare. Të kujtojmë këtu thënien e famshme të Margerit Jursenar, "Për nënë, do të doja të kisha një shqiptare".
Autorja e librit është gazetare, publiciste dhe luftëtare për emancipimin e gruas. Është ndër të parat gazetare shqiptare dhe më e njohura, që bën gazetari aktive plot 45 vjet, e cila arriti të bëhej emër me konsideratë përmes shkrimeve që kishin për qëllim ngritjen e gruas shqiptare në çdo pikëpamje. Është bashkëthemeluese dhe themeluese e dy revistave, "Kosovarja" dhe "Teuta".