E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thjesht, fiton Fitorja

Fitore Hakaj u shpall fituese e edicionit të njëmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Artistike ‘Gjon Mili’. Nga Alfred Beka më 15 shtator 2011 në ora 12:53

Edhe pse nuk qe e pranishme në hapje të ekspozitës, pasi që nuk doli për ta marrë çmimin, kjo nuk pengoi që Fitore Hakaj të shpallet fituese e edicionit të njëmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Artistike ‘Gjon Mili’, e cila u hap të mërkurën mbrëma në Galerinë e Arteve të Kosovës.

Juria e përbërë nga Enver Bylykbashi, Kamuran Goranci dhe Naim Shala, kryetar i jurisë,
për shkak të një numri të madh të fotografive të mira, vendosi që përpos këtij çmimi, t’i japë edhe dy mirënjohje. Njërën ia dhanë Berat Morinës e tjetrën Shkelzen Rexhës.

“Ne vërtet e patëm një punë pak të vështirë në përzgjedhjen e fotografisë më të mirë. Mund të kemi qenë pak subjektivë, por besoj se edhe ju do të pajtoheni me përzgjedhjen tonë”, tha me këtë rast Naim Shala, kryetar jurie.

“Fitorja na ka sjellë një fotografi, e cila neve anëtarëve të komisionit na ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme dhe mund të them se kemi qenë absolutisht të njëzëshëm në vendimin tonë”, shtoi ai.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Hajdin Abazi, zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, i cili tha se ekspozita ‘Gjon Mili’ është një interkomunikim me një pjesë të botës. Ai i lavdëroi pak si tepër fotografët, duke thënë se ata janë të kalibrit botëror. Ndërsa nuk harroi t’u premtojë ndihmë nga ana e ministrisë.

“Ministria e Kulturës ka vazhduar dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo aktivitet kulturor, i cili më të vërtetë e sensibilizon artin në përgjithësi, iu jep mundësi krijuesve që të tregojnë krijimtarinë e tyre dhe kësisoj të gjithë ne të kemi mundësi ta shijojmë”, tha zëvendësministri Abazi.

Ndërkaq, kuratori i ekspozitës, Burim Myftiu e shpjegoi konceptin e sivjetmë të ekspozitës. “Ky është edicioni i njëmbëdhjetë dhe koncepti i këtij edicioni ishte ‘thjesht’. Thjeshtë pra si sofistikim i fundit dhe unë mendoj se pjesëmarrësit arritën që të mbajnë këtë atmosferë edhe pse i ndryshëm për nga përmbajtja, koncepti është i njëjtë”, tha Myftiu. Ai shtoi se ka një atmosferë të përbashkët që karakterizon me thjeshtësi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›