E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë fermere në Henc, shembull që duhet ndjekur

Me ftesë të “Women for Women Internationale WFI” dhe shoqatës së grave “Flori”, Grupi i Grave Deputete vizitoi të premten fshatin Henc të Fushë Kosovës, ku u njohën me sukseset që kanë arritur disa gra fermere, me ndihmën e WFWI dhe USAID-it.

Falë kësaj përkrahjeje, njëra prej tyre ka filluar prodhimtarinë e qumështit dhe të perimeve dhe tani familja e saj, e cila më pare jetonte në kushte të rënda, ka të gjitha të mirat e nevojshme dhe siguron të ardhura të konsiderueshme.

Takimi është organizuar në pronën e Valbona Ademit, e cila kishte mbjellë mbi 2 hektarë me perime të ndryshme, ndërsa në saje të granteve të përfituara ka arritur që familja 17 anëtarëshe e saj të krijojë një jetë shumë të mirë, duke ndërtuar edhe shtëpi trekatëshe.

“Ne gratë e Hencit me shkollë apo pa shkollë jemi të interesuara që me punën tonë të fitojmë, por na duhet përkrahje nga institucionet sa i përket sigurimit të ujit të pijshëm, i cili edhe në puset e thella është i ndotur”, theksoi Hava Abdullahu nga Henci.

Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija tha se është e impresionuar me atë që kanë bërë këto gra, me mënyrën se krijojnë të ardhura për familjet, ndaj ajo i inkurajoi që të

Vazhdojnë kësisoj dhe uroi që shumë gra të ndjekin këtë shembull. Ndërkaq, për problemet e theksuara, tha se do të angazhohet personalisht, por edhe me koleget tjera deputete, njofton Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›