E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikoliq: Unë nuk jam president në Prishtinë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq deklaroi se udhëheqja serbe është e obliguar që serbëve në Kosovë t’iu dëshmojë që marrëveshja e Brukselit është e vetmja zgjidhje e mundshme dhe se Rusia është e gatshme të përkrahë çdo zgjidhje për të cilën përcaktohet Serbia.

“Me marrëveshjen e Brukselit vetëm do të legalizojmë statusin e bashkësisë serbe, asisoj që serbë të kontrollojnë jo vetëm veriun e Kosovës por të kenë ingjerenca edhe në katër komuna në jug”, i tha ai një televizioni rus, transmeton gazeta Blic.

Ai ka shtuar se gjithnjë ka menduar që çështja e Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë.

“Sot nuk mund të fitojmë atë që kemi mundur ta fitojmë para 5 vjetëve. Këtë që mund ta fitojmë sot, vitin e ardhshëm nuk do të mundnim. Kjo sepse në perspektivë më të gjatë, asgjë nuk do të shkojë në llogari të serbëve në Kosovë, por vetëm në llogari të shqiptarëve të Kosovës”, citohet të ketë thënë Nikoliq.

Sipas tij, në marrëveshjen e Brukselit ekziston një pikë ku thuhet se në 10 vjetët e ardhshëm NATO nuk do të lejojë që ushtria e Kosovës të shkelë në teritorin ku jetojnë serbët.

I pyetur nëse Serbia e ka humbur përgjithmonë territorin e Kosovës, siç ka qenë para bombardimit të vitit 1999, Nikoliq theksoi se kjo është një çështje e ndërlikuare. “Serbia kurrë nuk do ta humbë Kosovën, por unë nuk jam president në Prishtinë. Kjo është ajo që dhemb dhe që për fat të keq tashmë është vështirë të ndryshohet”, u përgjigj ai./Indeksonline/    

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›