Shefi i ushtrisë zvicerane në Kosovë

Shefi i ushtrisë zvicerane, gjeneral leitnant Andre Blattmann ka udhëtuar të enjten për vizitë në Kosovë. Në planin e kësaj vizite ka qenë takimi me ushtarët zviceranë, pjesëtarë të Swisscoy, që vepron në kuadrin e KFOR-it, gjegjësisht vizitat në Prizren, Novosellë, Malishevë dhe Prishtinë.
Në Malishevë vepron Liaison-and-Monitoring-Team (ekipi zviceran i lidhjes dhe monitorimit), ndërsa në Novosellë, Joint Regional Detachement North (Detashmenti i bashkuar, regjioni i veriut), që udhëhiqet nga Zvicra.
Me këtë rast, komandanti zviceran do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin gjerman Volker R. Halbauer. Me këtë të fundit ai do të bisedojë lidhur me gjendjen aktuale dhe zhvillimet më relevante për aspektin e sigurisë pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 19 prill, transmeton Albinfo.
Komandanti Blattmann gjatë vizitës së tij në Kosovë shoqërohet nga deputetët e Parlamentit Nacional Corina Eichenberger-Walther dhe Lorenz Hess, thuhet në komunikatën e botuar në portalin e Departamentit zviceran të Mbrojtjes./Indeksonline/