E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, në sytë e reporteres

Shkrimtarja torineze, Rosita Ferrato, ka botuar librin “Shqipëria: Vështrime të një Reportereje”, një laramani kjo vëzhgimesh dhe të dhënash historike, turistike, sociologjike dhe zakonore për Shqipërinë. Libri do të prezantohet në 9 qershor, në Torino. Nga Express më 08 qershor 2011 në ora 11:25

Libri për realitetin shqiptar është fryt i punës së saj kërkimore dhe i disa udhëtimeve të autores në Shqipëri gjatë vitit 2010, dhe ai do të prezantohet nga gazetarët Stefanella Campana dhe Benko Gjata, në Circolo dei Lettori, në Torino.

Sipas autores, “Shqipëria: Vështrime të një Reportereje “ është një rrugë e ndërmjetme mes shënimeve të udhëtimit dhe reportazhit të mirëfilltë, i cili nxit lexuesit të udhëtojnë drejt Shqipërisë, një vend ky që ende dhe i gjithi mbetet për t’u zbuluar.

Gjatë karrierës së saj si gazetare profesioniste, Rosita Ferrato ka punuar për televizionin publik italian (RAI), fillimisht në Orkestrën Simfonike Kombëtare e pastaj edhe në programet televizive “Il Pianeta delle Meraviglie”, “Ambiente Italia” dhe në edicionin e lajmeve shkencore “TG Leonardo”.

Aktualisht bashkëpunon me disa media të shkruara dhe elektronike. Ndër botimet e saj më të suksesshme janë librat “Le Piere Madame e Signorine di Torino” dhe “Le Divine: Manuale per Amanti, Seduttrici, Cortigiane e Avventuriere”.BW

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›