Shpellorët jetonin të vetmuar
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, studimi që u publikua në revistën ‘Nature’, ofron një qasje plotësisht të re në jetën, por edhe në vetë rregullimin shoqëror të australopithecusit, që konsiderohet të jetë një paraardhës i afërt i njeriut të sotëm, që jetonte në jug të Afrikës, para afro dy milionë viteve.
Me rezultatet e veta, hulumtimi i fundit vënë në pikëpyetje aksiomën, sipas së cilës paraardhësit tanë të largët e braktisën ecjen mbi katër këmbë dhe filluan të ecnin në dy me qëllim të kalimit të një distance sa më të largët, derisa ishin në kërkim të ushqimit.
Por, meqenëse meshkujt, siç theksohet në hulumtim, nuk largoheshin shumë larg strehimoreve të tyre, do të mund të vihet në përfundimin se kalimi në ecjen vertikale në fakt ishte nxitur nga disa nevoja të tjera.
Deri më tani dihej fare pak për mënyrën e jetesës dhe për lidhjet ‘farefisnore’ të paraardhësve tanë të largët.
"Kafkat dhe dhëmbët ofrojnë informacione goxha të mangëta”, sqaroi Matt Sponheimer, profesor i antropologjisë në Colorado University, dhe bashkautor i hulumtimit.
Kështu, në mënyrë që eshtrat të mund të “flasin”, ai dhe kolegët e tij iu rrekën përdorimit të një metode që do ta kishte lakmi edhe vetë Sherlock Holmes. Falë saj dhe disa dhëmbëve të një australopithecusi të vjetër dy milionë vjet, ata siguruan dëshmi për sjelljen e tij.
Në të vërtetë, variacionet shumë të vogla në atomet e metalit të rëndë të stronciumit dolën se iu përshtateshin llojeve të ndryshme të dheut dhe gurëve, gjë që ndihmon në identifikimin e lokacioneve të ndryshme gjeografike.
Meqë stronciumi bëhet pjesë e palcës dhëmbore vetëm gjatë viteve të para të jetës, ai mundëson që të kuptohet nëse një primat ka lindur në vendin ku pastaj ka jetuar dhe ka vdekur.
Hulumtuesit deri tani kanë studiuar dhëmbët e 19 individëve – të tetë australopithecusëve africanus dhe të 11 parantrupos robustus – që jetuan para afro 2.4 dhe 1.7 milionë viteve.
Të dy këto lloje jetuan nëpër vise malore, dhe – me gjasë - u ushqyen me pemë, barë, farëra dhe me fruta me lëvozhgë.
Përmes analizës laserike të izotopit të stronciumit u konstatua se vetëm 10 përqind e meshkujve kishin prejardhje nga perimetri prej 30 kilometrave që e jetonte zonën ku ata jetonin dhe vdisnin, dhe se plotë 50 përqind e femrave atje vinin nga zonat tjera.
Nga kjo del se, për dallim nga femrat, të cilat shpeshherë vinin nga zona të largëta, meshkujt rrallëherë largoheshin më larg se disa kilometra nga shpella e tyre.
"Kemi fituar një qasje direkte në atë që quhet lëvizja gjeografike e humanoidëve. Prandaj, rezulton se, para së gjithash, femrat ishin ato që e braktisnin bashkësinë e tyre fillestare”, pohoi udhëheqësja e hulumtimeve, Sandi Copeland, nga Colorado University.
Zakoni i femrave për braktisjen e shpellës fillestare dhe i bashkimit me ‘familjet’ e partnerëve të tyre gjatë historisë u shndërrua në një dukuri normale për shumicën e kulturave njerëzore, por edhe për disa lloje të primatëve, sikurse janë shimpanzat dhe majmunët bonobo.
Shumica e primatëve të tjerë, përfshirë gorillat, sillen krejtësisht ndryshe: femrat mbesin me grupin ku janë lindur, ndërkaq meshkujt janë ata që migrojnë.
Përveçqë nxiti befasi në qarqet shkencore, hulumtimi ngrehu dyshime edhe ndaj sqarimeve të deritanishme të arsyeve që i shtynë primatët që të fillonin të lëviznin vertikalisht në vend se mbi katër këmbë.
"Meqenëse zakonisht mendohet se evolucioni i bipedalizmit (ecjes mbi dy këmbë) është pasojë e nevojës së njerëzve për të kaluar distanca të mëdha, supozuam se shumë homicidë do të duhej të kishin prejardhje nga vise të largëta”, theksoi Copeland, sipas së cilës dëshmitë megjithatë tregojnë se ecja evoluoi për shkaqe krejtësisht tjera.