“Ballkan Pazar” në rrjetin e kinemave në Itali
Filmi i regjisorit Edmond Budina do të shfaqet në kinematë italiane duke filluar që nga data 8 korrik. Në fakt është hera e parë që një film shqiptar arrin të “çajë” në tregun e filmave. Edhe vetë regjisori Edmond Budina e pat cilësuar një sukses faktin që distributorë të huaj ishin afruar për të blerë filmin e tij, pavarësisht dyshimeve që shfaqeshin në fillim. Sipas regjisorit Edmond Budina, që në fazën parapërgatitore të filmit, shumë producentë të huaj nuk arrinin të besonin dot se ngjarja e trajtuar në filmin, që spunton e ka marrë nga ngjarja e shitjeve të eshtrave në fshatin Kosinë të Përmetit, mund të ishte bazuar në fakte të vërteta. Megjithatë, regjisori arriti të bindte një producent italian në fillim për të realizuar filmin e me sa duket ka arritur të bindë edhe distributorin Mediaplex Italia, për të shfaqur filmin e tij në kinematë italiane. Por ndërkohë që filmi kishte filluar të shfaqej në festivale të ndryshe dhe regjisori kishte nisur kërkimet për distributorë të huaj, kishte nga ata që u tërhoqën shumë nga historia, por ishin paksa skeptikë në fillim, për faktin nëse subjekti i filmit ku banorët e një fshati shisnin eshtrat e të afërmve të tyre si eshtra ushtarësh të rënë në luftën italo-greke, do të mund të kuptohej nga një publik i gjerë ndërkombëtar. Në qendër të filmit “Balkan Pazar” janë francezja Joli dhe italiania Orsola, të cilat kanë zbuluar fshatin më të çuditshëm në jug të Shqipërisë, ku kockat blihen dhe shiten. Historia e filmit të Edmond Budinës është bazuar në ngjarje reale e pikërisht në skandalin e zhvarrimeve në Kosinë të Përmetit. Është pikërisht skandali i katër viteve më parë ku u zhvarrosën eshtrat e të vdekurve të fshatit Kosinë për t’u shitur si eshtra ushtarësh të rënë në luftë, ajo që ka nxitur regjisorin Budina për të realizuar këtë film. Por kur filmi u shfaq në Festivale të ndryshme, e sidomos në Sofje ku publiku reagoi mjaft mirë, përpjekjet e regjisorit Budina për të shitur filmin e tij te distributorët e huaj, tashmë rezultuan të suksesshme. Si përfundim, distributorët u bindën që filmi mund të jetë interesant edhe për një publik perëndimor dhe kanë marrë përsipër shpërndarjen e tij. Ky ishte një sukses “financiar” për një film, pasi në fund të fundit pjesëmarrja nëpër festivale u shërben regjisorëve edhe si një mundësi ku mund të gjesh një distributor për të shitur filmin. “Ballkan Pazar” është një komedi ironike, në të cilën plagë të vjetra dhe fantazma të së kaluarës, zbarkojnë në të tashmen, duke gjeneruar situata komike, disa absurde e të tjera groteske dhe surreale, , tipike kjo e stilit të regjisorit Edmond Budina. Filmi komunikon shumë mirë dhe është shumë në kohë me aktualitetin. Regjisori ka zgjedhur për filmin aktorë të njohur, si Visar Vishka, shqiptar nga Maqedonia; vetë regjisori Edmond Budina, që luan rolin e priftit të Kosinës; por edhe aktorë të tjerë, si Erand Sojli, Artan Islami, Marko Bitraku, Karafil Shena, Nikolla Llambro e Valentina Xhezo, që kanë realizuar karaktere shumë pikante, që publiku shqiptar i pëlqeu, dhe pse jo dhe ai ndërkombëtar. Filmi “Ballkan Pazar” u shfaq premierë në kinematë shqiptare gjatë muajit prill, ku sipas njërit prej skenaristëve të filmit, Rober Budina, ka pasur shikueshmëri më shumë dhe sesa filmat amerikanë. Ky film është bashkëprodhim italo-shqiptar ‘Erafilm’ nga Shqipëria dhe ‘Mediplex’ nga Italia, e cila ka marrë përsipër edhe shpërndarjen e filmi në kinematë italiane. Në Itali filmi ka ngjallur interes edhe nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Qendra Italiane e Kinematografisë.