Kalorësi fantazmë
Megjithëse është përkthyer dhe botuar në vitin 2010 në gjuhën angleze nga shtëpia botuese ‘Canongate’, romani i Ismail Kadaresë “The Ghost Rider” (Kalorësi fantazmë) ka filluar të qarkullojë në amazon.com vetëm në maj të këtij viti.
"The Ghost Rider" është version i korrigjuar i romanit ‘Doruntina’ dhe tregon historinë e një nuseje (Doruntina), të cilën e sjell në shtëpi vëllai i saj i vdekur Konstandini. Doruntina arrin në kohë për ta shoqëruar në varr nënën e saj që po vdes. Shefi i policisë Stresi ngarkohet me detyrën për të zgjidhur rrethanat misterioze të ndërhyrjes së Konstandinit.
Në stilin tipik kadarean, ai rrëfen tregimin e tij në mënyrë të ngjeshur, pa paragjykime dhe me entuziazëm, por gjithmonë e gjënë një mënyrë për ta prezantuar të papriturën në një mënyrë komike dhe argëtuese, madje edhe kur qëllimi i tij është serioz.
Në recensionet që e shoqërojnë librin si në amazon.com ashtu edhe në websajtin e shtëpisë botuese ‘Canongate’, vepra e Kadaresë vlerësohet lartë, ndërsa Kadarenë e konsiderojnë si njërin prej shkrimtarëve më të mirë në botë. Letërsia e tij krahasohet me ato të Gabriel Garcia Marquez, Salman Rushdie, Margaret Atwood apo dhe John M. Coetzee.
“Një mister klasik mesjetar nga fituesi i çmimit Man Booker International Prize, një shkrimtar i nivelit të Atwood, Coetzee, Marquez dhe Rushdie”, thuhet në përshkrimin lidhur me autorin e librit. Ndërkaq, përmbajtja e romanit shpjegohet me pak fjalë: “Një grua e vjetër ngrihet nga shtrati në mes të natës nga trokitjet në derën e shtëpisë së saj. Gruaja e hap derën dhe e sheh vajzën e saj, Doruntinën, duke qëndruar e vetme në errësirë. Atë e kishte sjellë në shtëpi, nga një tokë e largët, një kalorës misterioz për të cilin ajo pohon se është vëllai i saj Konstandini. Por, ajo nuk e dinte se Konstandini ka vdekur para shumë viteve. Ajo çfarë pason është një zinxhir i ngjarjeve, që e zhysin një fshat mesjetar në frikë dhe mosbesim. Kush është kalorësi fantazmë?”
Nuk mungojnë as vlerësimet e autorëve të ndryshëm. “Një tregimtar mjeshtëror”, është vlerësimi i shkrimtarit John Carey, ndërsa në një vlerësim për Kadarenë, të marrë nga Financial Times, thuhet kësisoj: “Fiksioni i tij ofron depërtime të paçmueshme në jetën nën tirani – alegoritë e tij historike i theksojnë të dyja, temat e mëdha dhe detajet e vogla, që e bëjnë jetën në një mjedis kufizues. Ai është shkrimtar i madh, me standardet e cilitdo komb’.
Sipas Alan Chadwick, shkrimtari shqiptar është një prej zërave më të rëndësishëm në letërsinë e sotme. Po ashtu edhe në vlerësimin tjetër të gazetës Scotsman thuhet se Kadare është një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës sonë.
“Ismail Kadare është njëri prej romancierëve bashkëkohorë më të fuqishëm dhe vazhdimisht më tërheqës, shkrimtar, proza e zymtë, e paharrueshme e të cilit e ngulit vetën në ndërgjegjen e lexuesit”, thuhet në një vlerësim tjetër që e shoqëron librin, vlerësim ky që është marrë nga Los Angeles Times.