E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë letër Kuvendit: Kodi i ri na lë jashtë politikës

Një ditë pas arritjes së konsensusit për tre pikat e mbetur pezull në reformën zgjedhore, Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, u ka drejtuar një letër deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ku teksa përshëndet marrëveshjen për reformën zgjedhore shpreh shqetësimin për diskriminimin e grave dhe vajzave në politikë. Në vazhdim letra e plotë:

"Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, po ndjek me shqetësim punimet dhe rezultat e Komisionit të Reformës Zgjedhore, lidhur me kuotën gjinore në Kodin e ri zgjedhor. Ne kemi përshëndetur të gjitha arritjet që Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka patur në muajt e fundit, por nuk mund të rrimë pa përmendur me keqardhje zhgënjimin tonë teksa shohim se po i njëjti Komision po diskriminon haptazi politikisht gratë dhe vajzat në Shqipëri.

Në ditët e ardhshme përpara jush do të paraqitet projekt-Kodi Zgjedhor, i cili nuk arriti të bëj pjesë integrale të tij dhe të garantojë, të drejtën e grave dhe vajzave për të qenë kandidate të barabarta në zgjedhje, njësoj si edhe burrat. Për më tepër Kodi ka tendenca që t`i diskriminojë në mënyrë të hapur gratë dhe vajzat, për shkak se nuk iu garanton atyre të drejtën për të qenë kandidate të barabarta në zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

Sipas të dhënave që ne kemi siguruar, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore deri tani ka vendosur që të bëj vetëm dy ndryshime në projekt-Kodin Zgjedhor, të cilat në parim, në vend që të forcojnë zbatimin e kuotës gjinore, të përcaktuar në Kodin aktual, minojnë edhe ato pak arritje që gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë gëzuar pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Sa për dijeni, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Botë në lidhje me përfaqësimin e grave në drejtimin e Bashkive / Komunave, ku thuajse 98% e të gjithë drejtuesve janë burra dhe vetëm 2% janë gra. Në të njëjten kohë, në Kuvendin aktual vetëm 16% e deputetëve janë gra, ndërkohë që 84% janë burra, gjë që e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për pjesmarrjen e grave në politikën lokale dhe kombëtare.
Pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme, Komisioni i Reformës Zgjedhore jo vetëm që nuk i ka marr në konsideratë këto kërkesa të prezantuara përpara tij në një seancë dëgjimore në muajin Shkurt 2012, por në mënyrë të vazhdueshmë ka refuzuar të na presë në një seancë tjetër dialogu dhe për më tepër nuk i është përgjigjur letrave dhe interesit tonë për tu informuar lidhur me hapat që ai ndërmerr për ndryshimet në Kod për kuotën gjinore.


SOT, NDRYSHIMI I KËSAJ GJENDJEJE TË RËNDË TË PËRFAQËSIMIT TË GRAVE DHE VAJZAVE NË POLITIKË DHE NË VEMDIM-MARRJE VARET NGA QËNDRIMI QË JU DO TË MBANI NDAJ KUOTËS!


I / E Nderuar Deputet/e,

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka vendosur që në Kodin që do të vij pranë jush për diskutim dhe miratim, të ndryshojë nenin 67 të Kodit aktual, ku lidhëza "dhe/ose" bëhet "dhe". Ky ndryshim i vogël ndonëse duket se garanton që 30 % e listës shumë-emërore të kandidatëve të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar, në të vërtetë krijon premisa që gratë në listën me 140 kandidatë të lihen përsëri në fund të saj.

Nga ana tjetër Komisioni ka eleminuar një ndër garancitë më elementare të garantimit të zbatimit të kuotës gjinore, pasi i ka hequr KQZ-së të drejtën për t`i refuzuar partive politike listën shumë-emërore, nëse ato nuk respektojnë kuotën gjinore. Ky veprim është treguesi më i qartë i tendencës së Komisionit, për t`i lënë dorë të lirë partive politike për të abuzuar me kuotën gjinore dhe në këtë mënyrë për të diskriminuar në mënyrë të hapur gjininë më pak të përfaqësuar në politikë.

Sipas bindjes sonë, Komisioni i Reformës Zgjedhore po iu kufizon dhe mohon grave anembanë Shqipërisë, të drejtën e përfaqësimit real në zgjedhjet e ardhshme, në kundërshtim të hapur me frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Konventës së OKB-së për Eleminimin e Diskriminimit ndaj Gruas, Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, ku kërkohet forcimi i zbatimit të kuotës gjinore dhe jo e kundërta, siç po ndodh në të vërtetë.

Kërkesat tona dhë të mbi 8000 qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, të cilët kanë nënshkruar peticione dhe opinione në mbështetje të forcimit të kuotës gjinore në Kodin e ri, janë mëse të pranueshme dhe të realizueshme.

Ne kërkojmë që në Kodin e ardhshëm zgjedhor të përcaktohet se "1 në çdo 3 emra përgjatë të gjithë listave shumë-emërore të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar" dhe "Listat e partive politike që nuk e plotësojnë këtë kusht të refuzohen nga KQZ-ja deri në zbatimin e kuotës gjinore". Kjo është e vetmja mënyrë dhe mekanizmi i duhur sesi partitë politike në Shqipëri të garantojnë përfaqësim të denjë të burrave dhe grave në politikë.

Për sa më sipër, ne i bëjmë thirrje të gjithë forcës së arsyes tuaj që të kuptoni se çështja e përfaqësimit me të paktën 30% të grave në Kuvend dhe në qeverisjen vendore, nuk është thjesht një çështje e arritjes së barazizë gjinore, por ajo është një tregues sesa të zhvilluar dhe demokratike duam ta bëjmë ne vendin dhe shoqërinë.

Nëse sot Gratë vriten dhe masakrohen nga burrat e tyre, është për shkak sepse ju si deputetë nuk iu keni dhënë atyre mundësi që të dëgjohen, të marrin pjesë dhe të vendosin për fatin e tyre!

Ne kërkojmë mbështetjen tuaj për të përfshirë në Kodin e ri Zgjedhor propozimet tona, që janë konkrete, të qarta, të arritshme dhe të zbatueshme.

Të gjithë së bashku duhet të krijojmë mundësitë për gratë të jenë pjesë e politikës, sepse barazia gjinore, përfaqësimi dhe pjesmarrja e tyre në politikë është çështje thelbësore e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›