E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojne mesazhet e urimit per presidentin Nishani

Presidenti i zgjedhur i Republikës Bujar Nishani ka marrë mesazhe urimi nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier, Presidenti i Republikës së Sllovenisë Z. Danilo Türk dhe Presidenti i Republikës së Finlandës Z. Sauli Niinistö.
Duke i përcjellë Z. Nishani urime të përzemërta për zgjedhjen në detyrën e Presidentit të Republikës, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE Z. Lamberto Zannier shprehet:
“Më lejoni t'ju siguroj për gatishmërinë e OSBE-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm me qeverinë e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet Zyrës së Prezencës së OSBE-së në vendin tuaj”- thuhet në mesazhin e Zanier.
Në mesazhin e urimit për Presidentin Nishani, Presidenti i Republikës së Sllovenisë Z. Danilo Türk shpreh kënaqësinë që në 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Shqipëria dhe Sllovenia kanë ndërtuar marrëdhënie miqësore dhe një bashkëpunim konstruktiv.
“Me këtë rast më lejoni të shpreh dëshirën për zhvillimin e suksesshëm të marrëdhënieve tona në të ardhmen. Besoj se kontaktet aktive mes dy qeverive dhe popujve do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale. Ritheksoj angazhimin e Sllovenisë për të mbështetur progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian”- thuhet në mesazhin e presidentit slloven
Presidenti i Republikës së Finlandës Z. Sauli Niinistö i ka përcjellë Z. Nishani urime të përzemërta me rastin e zgjedhjes si President i Republikës së Shqipërisë, si dhe i uron sukses në kryerjen e kësaj detyre të lartë.
“Kam mundësinë me këtë rast të shpreh kënaqësinë e madhe për marrëdhëniet e mira mes të dy vendeve. Mirëpres forcimin e bashkëpunimit mes vendeve tona si në planin bilateral dhe atë multilateral”- thuhet në mesazhin e presidetit të Finlandës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›