E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë, motori i ri i ekonomisë

Janë gratë motori i ri i ekonomisë: nga automobilat te pajisjet teknologjike. Përveç stereotipit të “shopping”-ut sot janë ato që vendosin se çfarë duhet blerë, duke kontrolluar kështu pjesën më të madhe të konsumit global. Ky është rezultati i një kërkimi të bërë me 12 mijë intervista në 22 vende.

Mund të cilësohen pa frikë si fuqia më e madhe blerëse. Kur bëhet fjalë për të vendosur dorën në portofol, komandojnë gjithmonë e më shumë ato, gratë. Orientojnë dhe vendosin pjesën më të madhe të konsumit global, dhe për më tepër tendenca është gjithmonë e më shumë në rritje. Revolucioni i ri femëror do të jetë te paratë, madje ka edhe një emër: “Womeneconomics”. “Si dhe pse gratë janë motori i ekonomisë”, është teza e mbështetur me forcë në librin me të njëjtin titull të biznesmenes Avivah Wittenberg-Cox. Në pesë vitet e ardhshme, do të jenë 200 milionë punëtore të reja gra që së bashku do të fitojnë rreth 5 miliardë dollarë në shkallë globale. Në të njëjtën kohë, gratë që kanë një punë të mirë po u afrohen nivelit të pagesave me atë të meshkujve, madje mund të bëjnë edhe karrierë dhe të ecin më lart se ata. Rezultati? Brenda vitit 2015, fitimet e forcës punëtore femërore do të arrijnë një shifër të barabartë me 30 mijë miliardë dollarë. “Rritja e konsumit femëror përfaqëson një mundësi ekonomike më të madhe sesa zhvillimi i tregjeve të Kinës dhe Indisë të marra së bashku”, shpjegojnë Michael Silvestrein dhe Kate Sayre, autor i një raporti të “Boston Consultin Group” me titullin “Woman want more”. Pasi intervistuan 12 mijë gra në 22 vende të ndryshme, autorët arritën në përfundimin se kërkesa për produkte do të influencohet gjithmonë e më shumë nga gratë. Femrat kontrollojnë pjesën më të madhe të vlerës globale të konsumit me 11.800 nga 18.400 miliardë dollarë. Në Itali vendosin për gjashtë blerje në dhjetë të tilla. Në dhjetë vitet e ardhshme, sipas llogarive të “Boston conslutin grup”, shuma e përgjithshme e fitimeve në duart e italianeve do të rritet nga 100 në 340 miliardë dollarë. Një thesar i vërtetë. Simona Scarpaleggia, zëvendësadministratore e deleguar e Ikeas dhe presidente e “Valore D”, një shoqatë e krijuar për të mbështetur lidershipin femëror, tregon: “Në dyqanet tona 62 për qind e klientëve janë gra, por ato kushtëzojnë 80 për qind të blerjeve. Janë konsumatore më kërkuese. Dëshirojnë të jenë të lira në shopping, shohin funksionin dhe estetikën e gjërave dhe dinë të llogarisin mirë raportin çmim/cilësi, detaj ky që burrat nuk e kanë fare idenë”. Risia qëndron në faktin se gratë nuk blejnë vetëm produkte ushqimore, mode, kozmetike apo për shtëpinë. Ato kanë pushuar edhe tregun e meshkujve me produkte si makinat, pajisjet teknologjike, bankat. Mundësi të barabarta edhe në konsum? Jo tamam. “Ndërmarrjet, si në SHBA, ashtu edhe në Europë po përpiqen të interpretojnë dëshirat e grave”, thonë Silvestrein dhe Sayre. Suksesi botëror i Iphone , thonë ata, tregon supermacinë e vlerave tipike femërore. Pëlqehet, sepse është i thjeshtë, intuitiv dhe me dizajn të bukur. “Gratë kërkojnë produkte që ua thjeshtësojnë jetën për të qenë më eficente në angazhimet e shumta mes karrierës dhe familjes”, tregojnë studiuesit. Disa kohë më parë, një firmë kompjuterësh u përpoq të arrinte sukses, duke nxjerrë në treg një kompjuter të kuq, gjë që rezultoi një dështim absolut. “Të mendosh se universi femëror mund të përmblidhet me një ngjyrë është qesharake”, thonë studiuesit. Megjithatë, disa sektorë, vazhdojnë të mendojnë vetëm për meshkujt. “Në banka, gratë e ndiejnë veten më pak të respektuara dhe tremben se mund të harxhojnë kohë mes shkresurinave”, shkruan Silverstein dhe Sayre. Institutet financiare duket se janë më pak mikpritëse për femrat. “Për fat të keq është pak i vonë fakti i të kuptuarit të këtij potenciali të biznesit. Gratë tanimë nuk vendosin vetëm për konsumin e përditshëm, por edhe për planifikimin familjar. Gratë edhe në banka janë klientët më të besueshëm. Diversiteti, jo vetëm në seks, por edhe në kulturë dhe moshë është një burim që krijon vlera nëpër kompani. Nuk është çështje ideologjike thjesht një mënyrë për ta parë realitetin në sy”, tregon drejtoresha e një banke. Në çdo kapitull të librit të saj Avivah Wittenberg-Cox pyet shpesh se sa gra kanë një çantë dhe sa kanë një patentë. Pothuajse të gjitha përgjigjen po. Ndërsa pyetjes se sa prej tyre gjejnë në makinë një vend që të mbështesin çantën, askush nuk i përgjigjet pozitivisht. Ky është një nga shembujt e vegjël se si kompanitë e kanë akoma të vështirë të përshtaten me tregun e ri femëror. Megjithatë, sipas studimit, revolucioni është duke përparuar me shpejtësi.

Forca e grave

E para që përdori termin “Womeneconomics” ka qenë analistja e “Goldman sachs”, Kathy Matsui, në një artikull për ekonominë japoneze, prej kohësh në rënie dhe e karakterizuar nga një pjesëmarrje e ulët e grave në tregun e punës.

Në Amerikë po ndodh ajo që vite më parë as që mund të çohej nëpër mend. Më shumë se 50 për qind e forcave punëtore në Amerikë, janë gra. Pothuajse në të gjitha punët që ekzistojnë sot në SHBA gjendet nga një femër. Një e dhënë shumë e rëndësishme që prej vitesh, sipas burimeve nga Ministria e Punës dhe institutet statistikore, nuk kishte ndodhur. Në vitin 1950, kjo përqindje ishte 33, ndërsa në vitin 1970 ishte 45. 50 për qind në vitin që sapo ka nisur dhe me siguri që përqindja do të vijë duke u rritur gjithmonë e më shumë, sepse nga universitetet amerikane të çdo dege dhe shkalle, që nga kolegjet modeste deri tek institutet më prestigjioze, raporti mes meshkujve dhe femrave është 40 me 60 në favor të këtyre të fundit. Por, nëse marrin parasysh edhe numrin e të diplomuarve, ai sigurisht që është disa herë më shumë në favor të seksit të dobët. “Ia dolëm mbanë”, shkruante në kopertinën e fundit në emër të grave prestigjiozja “The Economist”. Fryti i fundit i një revolucioni industrial dhe postindustrial, të kalimit nga puna si shprehje e forcës muskulore, në atë si shprehje e kapaciteteve intelektuale, është një tjetër revolucion amerikan. Lëvizjet feministe dhe besimi i madh i seksit të dobët në vetvete, këtu më shumë se në vendet e tjera kanë bërë që të kuptohet, se gratë ashtu si dhe burrat, janë po aq të zonjat në atë çka bëjnë në jetë. Por edhe pse numri i femrave të punësuara do të jetë i njëjtë me atë të meshkujve në vitin 2010, një tjetër problem është ai në sistemin e pagave. Për të njëjtën punë, meshkujt fitojnë më shumë se femrat. Por edhe politikat sociale, nuk janë aq shumë në favor të femrave në vend, sidomos në çështjen lidhur me lejen e shtatzënisë dhe mëmësinë. Në SHBA, ndryshe nga vendet e tjera të zhvilluara, ofrohet më pak mbështetje publike, një e dhënë që lidhet me shpjegimin e tërheqjes ose ngadalësimit të karrierës së grave në moshë 30-40- vjeçare, kohë e përshtatshme për lindjen dhe rritjen e një fëmije. Një avokate në katër, një menaxhere në tre, e lë pas dore ose e ndërpret fare punën në këto vite, për ta rinisur më pas, në kohën kur fëmijët rriten.

Në Harvard, bastioni historik i maskilizmit akademik, po tentohet të pranohen më shumë kandidatë meshkuj për të ekuilibruar paksa klasat që gjithmonë e më shumë kanë brenda tyre femra, sidomos ato të shkencave humane të mjekësisë, në juridik apo në inxhinieri fizike. Prania e femrave në sektorët teknologjikë është gjithmonë e më e madhe dhe njëkohësisht po aq është numri i atyre që studiojnë për shkenca. Sipas një kërkimi të bërë nga “Columbia University”, është në pikun më të lartë numri i femrave që diplomohen në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Femrat në Amerikë përbëjnë sot 50 për qind të të diplomuarve në mjekësi, 75 për qind në veterinari dhe 67 për qind në shkencat natyrale dhe biologjike. Edhe në PHD, niveli më i lartë i edukimit për Amerikën, numri i tyre është në rritje: rreth 40 për qind në fushën e inxhinierisë (në 1966 ishin 8 për qind), më shumë se 30 në matematikë, 44 në biologji dhe 22 në shkencat informatike. Sipas vlerësimeve të Maria Klawe, presidente e “Harvey Mudd College” (një ndër kampuset kryesore hi-tech të SHBA) në vitin 2011, numri i femrave të laureuara aty do të jetë 37 për qind; në “Princeton” 40 për qind e të diplomuarave në inxhinieri do të jenë vajza; në “Mit” rreth 46 për qind.

“Realiteti është në lëvizje të vazhdueshme”, pranon Danah Boyd, kërkuese e “Microsoft research” në Universitetin e Harvardit. “Nga nanoteknologjitë tek ajo kompjuterike, gratë po ndryshojnë imazhin e industrisë high-tech dhe të shoqërisë sonë”. Sipas institutit të kërkimit, “Anita Borg” në SHBA, sot ka më shumë se 3 mijë grupe që luftojnë për rritjen e numrit të grave në pozicione shumë të mira në teknologjinë e lartë; institute si “Borg”, që u dorëzon çmimin “Women of Vision Award” grave që kanë influencuar në sektorin teknologjik atje ku ato punojnë, por edhe grupe shkollore, konkurse me çmime dhe iniciativa për të përfshirë gratë në rrugën teknologjike të kombit. Edhe nëpër institutet ushtarake, ndryshe nga dikur, femrat janë rritur shumë në numër, madje janë të suksesshme në karrierën e tyre ushtarake. Por ajo çka përbën një tjetër risi për këtë vit, është se as gruaja gjenerale dhe as ajo presidente kompanie nuk janë më vetëm një fenomen i rrallë. Në vitin 2011 do të jenë 2 milionë e gjysmë studente universitare më shumë se studentë. Studente të ardhura kryesisht nga klasat e ulëta sociale që e kanë kuptuar se arsimimi është e vetmja mënyrë për të dalë nga getot.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›