E Shtunë, 31 Tetor 2026

LETËR MIQËSORE FËMIJËVE AKTORË TË FILMAVE TË REGJISORES XHANFISE KEKO

Zonja e filmit nuk jeton më, por vazhdon të mbetet një person i dashur për ata ish-aktorë të vegjël, tashmë të rritur, që dikur interpretuan në filmat e shumtë të regjisores. I biri, Iliri, ka gjetur një ide shumë origjinale për të rilidhur edhe njëherë nënën e tij me “fëmijët” e saj të dashur. Gjithçka nis këtë herë përmes një letre….

Të nderuar Miq!

ILIR çELIA (KRYENGRITJE Në PALLAT)
KRISTAQ BURDHIMA (KRYENGRITJE Në PALLAT)
ELI LAZRI (KRYENGRITJE Në PALLAT)
SILVA TURDIU (KRYENGRITJE Në PALLAT)
ZHAKLINA DHIMOJANI (MIMOZA LLASTICA)
TEUTA DOçI (MIMOZA LLASTICA)
EMA SHTETO (MIMOZA LLASTICA)
ELONA DILO (MIMOZA LLASTICA)
OLIZANA PASKO (MIMOZA LLASTICA)
SILVANA BANJA (MIMOZA LLASTICA)
RUDINA PEMA (MIMOZA LLASTICA)
SAIMIR KOKA (QYTETI Më I RI Në BOTë) 

ALKET MATO (QYTETI Më I RI Në BOTë)

AURORA KATI (QYTETI Më I RI Në BOTë)

QIRJAKO FANIKO (QYTETI Më I RI Në BOTë)
GENCI BASHA (QYTETI Më I RI Në BOTë)
RUDINA KAJCA (QYTETI Më I RI Në BOTë)
SELMA SOTIRLLARI (BENI ECëN VETë)
HERION SPIRO (BENI ECëN VETë)
GJERGJ SOLLAKU (BENI ECëN VETë)
KOçO GUDA (BENI ECëN VETë)
ADRIAN LAPERI (BENI ECëN VETë)
GENC ANASTASI (BENI ECëN VETë)
ANILA KARDHASHI (TINGUJT E LUFTëS)
RUBIN PITARKA (TINGUJT E LUFTëS)
SOKOL GOXHI (TINGUJT E LUFTëS)
ENEA ZHEGU (TOMKA DHE SHOKëT E TIJ)
GENCI MOSHO (TOMKA DHE SHOKëT E TIJ)
ARTAN PUTO (TOMKA DHE SHOKET E TIJ)
FLURANS ILIA (TOMKA DHE SHOKëT E TIJ) 

ARBEN çEKANI (PAS GJURMëVE)
DRITAN KABA (PAS GJURMëVE)
PETRO PAPAKOSTA (PARTIZANI I VOGëL VELO)
GENTIAN BASHA (KUR XHIROHEJ NJë FILM)
XHOANA XHILLARI (KUR XHIROHEJ NJë FILM)
ALBANA MERKOZIAJ (NJë VONESë E VOGëL)
JUNA TOMORI (NJë VONESë E VOGëL)
ERMIR BALLA (NJë VONESë E VOGëL)
GENTIAN LLEKU (NJë VONESë E VOGëL)
DONALD KOKONA (TAULANTI KëRKON NJë MOTëR)
SABIELA AGUSHI (TAULANTI KëRKON NJë MOTëR)

Sot që Xhanfise Keko nuk jeton më, unë, djali i saj, e ndiej për detyrim moral t’u drejtoj miqësisht juve, që i dhatë nënës sime aq shumë kënaqësi në jetë me talentin, sinqeritetin dhe mirësinë tuaj të fiksuar në film, ftesën për të realizuar bashkërisht një projekt krejt origjinal i cili është dhe një homazh për veprën e saj kushtuar fëmijëve.

Personalisht mendoj se “Teta Xhano” e kreu misionin e saj duke hedhur në letër, thuajse në fund të jetës, kujtimet e jetës artistike të cilat tashmë janë pranë nesh në librin e titulluar “Kujtimet e jetës sime…”. Mes tyre, edhe kujtimet për të gjithë ju fëmijët me të cilët ajo punoi e krijoi.
Tani, është radha juaj të shkruani kujtimet për të, kujtime që unë dëshiroj t’i përmbledh në një libër–portret, pasi jam i bindur, se askush më mirë se ju nuk mund ta bëjë portretin e regjisores Xhanfise Keko.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë… takimi i parë me të, njohja e miqësimi mes jush, bashkëpunimi për ditë e muaj të tërë ku nuk kanë munguar situata të këndshme e të pakëndshme apo momente të bukura e të shëmtuara, mënyra e punës së saj me fëmijët, marrëdhëniet mes jush në sheshin e xhirimit, por dhe jashtë tij, premiera e filmit… dhe ritakimi direkt apo indirekt gjatë këtyre viteve me njeriun që ju vazhdoni ta thërrisni ende “teta Xhano”, nuk mund të fshihen nga kujtesa.

Të gjitha këto momente, unë do të dëshiroja që ju, mes punëve dhe halleve personale e familjare, të gjeni aq kohë sa t’i hidhni në letër thjesht, sinqerisht e pa limit rreshtash, pasi, sa më shumë jetë, detaje e ngjarje të kenë kujtimet tuaja, aq më i mirë, i plotë e i bukur do të jetë portreti i njeriut tonë të dashur, si njeri dhe artiste.

Nesër, këto kujtime do t’u bëjnë nder bibliotekave tona, por unë jam i sigurt se, më shumë se kaq ato do të jenë dëshmi autentike e kohës së artë të filmit shqiptar, mes tij dhe filmit për fëmijë, si dhe e përpjekjeve dhe punës së madhe të krijuesve shqiptarë për të realizuar vepra të bukura edhe në kushtet e sistemit totalitar, censurës dhe autocensurës.

Ndërsa shkruaj tani këto radhë, thellë brenda meje, ndiej se ju kam rikthyer shumë vite pas dhe ju kam ngacmuar kujtimet e bukura të fëmijërisë, ashtu siç ndiej dhe zërin tuaj së largu që më siguron se do t’i përgjigjeni pozitivisht këtij propozimi. Në këtë situatë të bukur shpirtërore, më duhet t’u tregoj edhe diçka… Vite me radhë, “teta Xhano” jetoi me dëshirën e madhe për t’ju mbledhur në një nga ditëlindjet e saj, të gjithë ju fëmijëve, tashmë të rritur e të shpërndarë në të katër anët e botës, por nuk ia arriti... Ja pse sot, duke e konsideruar një amanet të saj, unë po ju zbuloj dhe dëshirën time të madhe që, në trevjetorin e ndarjes nga jeta të regjisores Xhanfise Keko (22 dhjetor 2010), të mund të takoheshim të gjithë në Tiranë për të promovuar në një mbrëmje origjinale këtë libër krejt të veçantë e me shumë vlerë.

Mbetem me shpresë se do të më mirëkuptoni dhe se nuk do të jetë e largët dita kur do të gjej në adresën time elektronike kujtimet tuaja për këtë botim shpirtëror.

Ju përshëndes me shumë dashuri dhe ju uroj në të njëjtën kohë – shëndet, mbarësi e fat, ju dhe gjithë familjes suaj.

Miqësisht, Ilir Keko

Monday, 21 December, 2009 7:38
From: jonispiro@yahoo.com
To: kekoilir@yahoo.co.uk

Ilir...,
Unë për teta Xhanon ruaj kujtime shumë të bukura dhe sa më shumë kalon koha aq më të shtrenjta bëhen ato në jetën time.

Këtë vit bëhen 35 vjet që kanë kaluar nga Beni, dhe më duket sikur ka qenë dje. Teta Xhano ishte një ëndërr për artin kinematografik shqiptar, që sa më tepër kalon koha aq më legjendë bëhet. Unë në jetën time nuk kam takuar grua të dytë që të ketë pasur virtytet, talentin, dhe mjeshtërinë e saj në art. Ajo të kthente nga ordiner në një njeri të përkryer. Mua personalisht më bëri nga një fëmijë me brengë në zemër, në Benin e famshëm. Më ka injektuar një dëshirë në zemër që kam 35 vjet që jetoj me të dhe kurrë nuk e kam ndier veten bosh.

Ilir, nëse arti është magjik, mamaja juaj ishte magjistarja më e madhe e botës. Nuk e di se si mund të ishte edhe një grua aq e thjeshtë dhe e dashur, kur kishte të bënte me 100 drurë të pagdhendur që vetëm duhej t'u shpjegonte se çfarë duhet të bënin e prapë se prapë nuk kuptonin. Mua më mbante shumë afër gjatë xhirimeve dhe më përkëdhelte gjithmonë flokët, mbasi duhej t’i gërthiste dikujt që ta përqendronte në punë. Pastaj më buzëqeshte dhe thoshte me zë të lartë: - Xhirim!!! Kur rrija pranë saj, isha i sigurt, isha i mbrojtur, i qetë, i pastër në mendime, edhe pse fëmijë, e mbase edhe tekanjoz, respekti dhe dashuria për të ka qenë gjithmonë në të njëjtin nivel me dashurinë për mamanë dhe gjyshen time. Ajo më ka bërë artist dhe pa të ndihem i varfër. Më mungon thellë-thellë në shpirt diçka. Një grua gjeniale që meriton të ngrihet në piedestal, sepse atje e çoi artin e saj filmik. Nuk njoh njeri që mos të më ketë pyetur me kuriozitetin më të madh për të. Dhe ndoshta atëherë nuk e kuptoja habinë e tyre, por sot u jap plotësisht të drejtë. Jemi me fat që kemi pasur një mama të tillë, si ju dhe unë. Më fal që po të sjell nostalgji, por unë e di që atë kohë që ajo shpenzoi larg jush kur ishte me punë, atë dashuri e mall që kishte për ju na e jepte ne fëmijëve aktorë, dhe veçanërisht mua që më donte dhe e doja shumë. Shpesh kemi fjetur bashkë në një dhomë, e ajo me lexonte libra me përralla derisa më vinte në gjumë kur ishim me xhirime. Prandaj them që ajo ishte dhe nëna ime dhe mua më ka marrë malli shumë për të. Ika të fshij lotët me keqardhje që nuk e kemi më.

Me dashuri e shumë mall.
Herion Spiro

Saturday, 30 January, 2010 17:22
From: artanputo@yahoo.com
To: kekoilir@yahoo.co.uk

I dashur Ilir!
Të falënderoj për letrën. Unë jam dakord që të jap ndihmën time modeste për këtë ndërmarrje kaq të bukur.

Ne të gjithë, fëmijët e teta Xhanos, i jemi borxhli asaj për atë që na dhuroi: kujtimet më të bukura në jetën tonë, filmat tanë të fëmijërisë që do të na ndjekin pas tërë jetën. Unë do të desha të takoheshim së bashku për të vënë disa piketa të punës, por unë lirohem pas datës 17 shkurt, kur të vij nga Italia.

Të uroj gjithë të mirat dhe mirupafshim së shpejti.
Artan Puto

Friday, 29 January, 2010 15:49
From: olipasko@gmail.com
To: kekoilir@yahoo.co.uk

uauu Ilir!
Të përgëzoj për iniciativën dhe të falënderoj vërtet. Sinqerisht të them se, pasi e lexova letrën pata nevojë të marr frymë thellë e të reflektoj. Pas tashmë gati 40 vjetësh distancë në kohë, më shumë se detaje kujtimesh ka mbetur një vel i hollë që mbështjell kujtimin e nënës tënde, diçka që të bën të ndiesh më shumë se respekt (i cili është tepër i thellë kuptohet), të bën të ndiesh dashuri, nostalgji për atë njeri që rrezatonte aq tepër mirësi... dhe nuk flas vetëm për kohën kur ishim fëmijë, dhe kur dashuria e mirësia vijnë shpesh aq natyrshëm sa nuk arrin t’i vlerësosh... ato i rezistuan kohës dhe deri në fund ka qenë kënaqësi për mua sa herë takoheshim qoftë edhe rastësisht për pak minuta në rrugë, momente të cilat sikur më bëjnë nganjëherë të harroj që ajo nuk është më midis nesh e një ditë mund të ndeshem sërish me të te "Mine Peza".

Të përshëndes,
Olizana Pasko

Thursday, 4 February, 2010 14:34
From: junatomori@hotmail.com
To: kekoilir@yahoo.co.uk

I nderuar Ilir!
Vërtet që me këtë e-mail më kthyet shumë vite më parë, në vitet e fëmijërisë, por më tepër në kohën kur xhiruam filmin, që për mua ka qenë ndër kohët më të bukura e të paharrueshme të fëmijërisë time... Mbaj mend që për filmin "Një vonesë e vogël" na zgjodhën nëpër shkolla dhe mbasi bëmë kinoprovën te “Pallati i pionierëve”, teta Xhano e mori vesh që unë isha vajza e Evës e ngaqë në atë kohë nuk lejohej që fëmijët e aktorëve të angazhoheshin nëpër filma, ajo më tha që të mos them kush është mami im dhe unë e qepa gojën. Nga ajo ditë, teta Xhano gjatë xhirimit të filmit më thërriste me emrin e rolit, Dorina. E bënte këtë sigurisht, edhe që të më fuste në rol. Nuk mbaj mend që të jetë mërzitur një herë me ne, fëmijët e saj. Edhe kur ne nuk mbanim mend tekstin ose nuk vepronim siç na thoshte ajo, teta Xhano gjatë gjithë xhirimit të filmit, si edhe gjatë dublimit, ka qenë shumë e ngrohtë, e durueshme dhe e dashur me ne duke mos e humbur asnjëherë autoritetin. Dhe ne të gjithë e donim dhe e respektonim jashtë mase. Unë kam qenë historikisht shumë gjumashe, por mami më thotë që gjatë kohës së xhirimit të filmit zgjohesha që me natë, nga dëshira e madhe për të shkuar në Kinostudio apo ku e kishim xhirimin.

Dhe kjo dëshirë vinte, ngaqë ia kalonim aq mirë!
Edhe pas xhirimit të filmit, disa herë kam lutur dhe mamin që të vinim për vizitë te teta Xhano dhe kemi ardhur. Për mua ishte kënaqësi e madhe kur takoheshim me teta Xhanon. 
Po bëhen 20 vjet që unë nuk jetoj në Tiranë, por miqtë e mi më thonë se filmi "Një vonesë e vogël" shfaqet gati çdo 2 - 3 muaj. Vetëm fakti, që filmat e teta Xhanos shfaqen kaq shpesh edhe sot e kësaj dite, flet më së miri për vlerat e saj si regjisore.

Përshëndetje miqësore, 
Juna Tomori

Thursday, 4 February, 2010 23:57
From: anna_ruff@hotmail.com
To: kekoilir@yahoo.co.uk

I dashur Ilir!
është kënaqësi dhe privilegj për mua të kem këtë mundësi. E kam blerë librin e teta Xhanos dhe e kam lexuar dy herë deri tani.
Unë jetoj në Amerikë, por gjithsesi të premtoj se do ulem dhe do shkruaj ato gjëra që mbaj mend.

best regards
Albana Merkoziaj


Wednesday, 10 February, 2010 15:47
From: selma.usa@comcast.net
To: kekoilir@yahoo.co.uk

Ilir!
Të kërkoj ndjesë për e-mail-in tim të vonuar.
Të falënderoj shumë për letrën aq miqësore, e cila më riktheu emocionet që provova kur lexova librin e mrekullueshëm të teta Xhanos. Të them të drejtën, ditët që lexoja librin u mbusha me shumë emocione, pasi teta Xhano na solli në mënyrë të përsosur kujtimet e atyre viteve të të gjithëve ne që bënim pjesë në jetën e saj. Shumë herë gjatë atyre ditëve kam qarë nga malli për atë pjesë të fëmijërisë sime që jo çdo fëmijë e ka fat ta jetojë. Më ka mbetur pishman që nuk munda ta takoj edhe një herë. Largimi nga Shqipëria, nga familja ime, dhe përshtatja me jetën në emigracion, pa dyshim la pasoja në jetën time.
Ilir, edhe pse kohën e kam të kufizuar, ajo kurrsesi nuk do të më ndalojë të hedh në letër kujtimet e mia për teta Xhanon pasi, pa më të voglin dyshim ky është një nder shumë i madh për mua.

Përshëndetje!
Selma Sotirllari

Thursday, 11 February, 2010 16:59
From: sabiela.hartmann@yahoo.de
To: kekoilir@yahoo.co.uk

Zoti Ilir!
Shumë faleminderit për këtë letër!
Ashtu si teta Xhano edhe unë kam pasur shumë dëshirë ta takoja dhe ta falënderoja, me vetëdijen e një të rrituri, për ato momente aq të bukura që ajo më dhuroi në fëmijëri, të cilat janë edhe sot pjesë konkrete e jetës time.
Ju premtoj, do të dërgoj kujtimet e mia sa më shpejt të jetë e mundur.

Ju përshëndes dhe ju uroj gjithë të mirat!
Sabiela Agushi

Monday, 15 February, 2010 16:55
From: rpitarka@mac.com
To: kekoilir@yahoo.co.uk

Ilir!
Patjetër që do mundohem të shkruaj për ato momente që më kujtohen (ka kaluar vërtet një kohë e gjatë) rreth asaj periudhe të këndshme që kam kaluar me Teta Xhanon në prag e gjatë xhirimit të filmit "Tingujt e luftës". është nder që më jepet ky rast, ndaj do mundohem ta përgatis sa më shpejt.

Të uroj shëndet!
Rubin Pitarka

Tuesday, 4 May, 2010 18:57
From: genbasha@yahoo.com
To: kekoilir@yahoo.co.uk

I nderuari Ilir!
Ju falënderoj për këtë oportunitet që më dhatë të shkruaj kujtimet e mia për një figurë të shquar të kinematografisë që unë pata nderin të isha pjesë e veprave të saj.

Në fakt, kujtimet e mia që janë arkivuar para shumë vitesh më paraqiten fragmente - fragmente përmes asaj mjegulle të dendur të 30 viteve që kanë kaluar që nga fëmijëria që unë e quaj atë kohë “Vitet e Arta”. Fatmirësisht jo shumë muaj më parë lexova librin e Xhanos. E kam lexuar me ëndje dhe më ka prekur në atë mënyrë që s’kam fjalë ta përshkruaj.

Duke lexuar kohën në libër, u ndjeva shumë fajtor, pasi nuk munda ta takoja Xhanon në dhjetorin e vitit 2000 kur bëra vizitën time të parë pas 5 vjetësh mërgim në USA. Të them të drejtën, edhe sot, thellë në shpirt më ka ngelur peng mostakimi me të. Sikur të kisha një shans të dytë, ju siguroj se nuk do ta bëja më një gabim të tillë. Do të shkoja ta takoja, të çmallesha me të, ta përqafoja fort, të bisedonim gjatë për ato vite të bukura që kaluam bashkë, e më në fund t’i thosha: Xhano, të falënderoj për gjithçka.

Miqësisht!
Gentian Basha

Friday, 7 May, 2010 20:32
From: flurka_007@yahoo.com
To: kekoilir@yahoo.co.uk

I nderuari Ilir!
Nuk është e lehtë të thërrasësh në kujtesë grimcëza të shpërndara jete pas një kohe të gjatë. Të mundohesh t’i vendosësh mbi krahët e relativitetit të fjalëve, drejt e aty prej ku ia ke filluar udhëtimit tënd (vite më parë). Duke konfiguruar kështu ndër kujtime imazhin e dikujt që të ka shoqëruar në rrugëtim e sipër. Udhëtar, i ulur diku në një cep të botës, tashmë i bërë burrë, ndërsa fillon dhe hedh në letër kujtimet e tua. Nuk është e lehtë, them, sepse imazhi është i lirë nga natyra. Shpesh të shpëton nga dritëhijet e duarve të përditshmërisë duke të lënë veç pahun e kujtimeve mbi gishta. E tillë ka ngelur Xhanfize Keko në kujtesën time. Një flutur e bukur. është flatrimi filmik i imazhit që kjo regjisore e pazëvendësushme për kinemanë shqiptare ka lënë mes nesh me punën e saj.
Fëmijë pesëvjeçar fillova të trashëgoj jetën nëpërmjet syve të kinemasë. Trashëgimi të cilën ndër vite e humba. Por që nuk kam humbur akoma zërat dhe thirrjet e asaj kohe që ende i dëgjoj. Pas më se tri dekadash më vjen në mendje i gjallë ai moment fëmijërie, ndërsa Xhanfize Keko trokiti në portat e kopshtit "Kostandin Leka" në qytetin e Beratit në kërkim të personazhit të fundit që do e plotësonte ansamblin e aktorëve-fëmijë, për filmin "Tomka dhe shokët e tij" prodhim i "Kinostudios Shqipëria e Re" i vitit 1976. Fati e deshi që në fizionomi t’i ngjaja personazhit të vëllait tim në film, çelos (Artan Puto), dhe relativisht të isha një kandidat i mundshëm në terrenin e saposhfaqur. Por, një kinoprovë e atypëratyshme u zhvillua midis meje dhe një shokut tim të kopshtit që edhe ai ngjasonte me personazhin e fortkërkuar. Situata të tilla ishin themeli i punës së Xhanfize Kekos për të cilën, vënia në sprovë, vjelja e aftësive të lojës së fëmijëve, si dhe zbërthimi i detajuar i psikologjive të tyre në veçanti, ishin si të thuash puna parapërgatitore e futjes së personazhit në rolin e kërkuar.

Pas njëmbëdhjetë e kusur vitesh, në dhjetor 2005, u riktheva në atdhe. Sot mendoj se, një nga kënaqësitë më të mëdha të atyre ditëve, mbetet padyshim takimi me teta Xhanon. Pimë një kafe, aty pranë Rrugës së Durrësit. Folëm gjatë. Me mall. Me dashuri. Unë për të kisha ngelur po ai, Guri i filmit, fëmija i përhershëm. Një gjë e jashtëzakonshme më bëri përshtypje: Kjo grua fisnike nuk kishte humbur asgjë nga freskia, sharmi dhe kthjelltësia e mendimit gjer në ditët e saj të moshës së artë! Gjer edhe në ditën kur u largua nga kjo botë, ishte një privilegj të bashkëbisedoje me Xhanfize Kekon. Jo vetëm kaq. Në ceremoninë mortore të së ndierës i kisha thënë një gazetari të gazetës “Shqip” opinionin tim të drejtpërdrejtë se ç’rol kishte dhe duhet të ketë Xhanfize Keko në kinemanë shqiptare. E thashë, me zë të plotë atë ditë, madje edhe përpara kamerave, edhe se si ndihesha në raport me këtë zonjë të nderuar. Në atë ditë dhjetori. Kurorat me lule mirënjohjeje. Kortezhi i dashamirësve. Qindra e mijëra si unë. Jam i sigurt. Përshkonin sallën e Muzeut Kombëtar, duke kaluar bri saj, njëherazi, duke risjellë thellë-thellë në hapësirën e pamasë të kujtesës, gjithsecili e të gjithë së bashku, kalimthi: imazhe, imazhe të bukura, copëza jete, copëza kulture dhe arti, copëza fjalësh, filmash, flatrash, dhe ndjenjash të asaj force vitale që na bën të ndihemi pjesë e një jete në vetëmohim. Flatëro, legjendë e bukur, flatëro ...

Të përshëndes!
Flurans Ilia

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›