Gratë në moshë të PS, protestë tek Edi: Duam të hyjmë në çadër. Mos e mbyll grevën
Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, Arta Dade, Ermelinda Meksi e Valentina Leskaj, kanë kërkuar me forcë që të zbatohet rotacioni në çadër, meqenëse edhe atyre u takonte të sakrifikoheshin aty për kutitë. Me gratë është bashkuar edhe Namik Dokle dhe ka dhënë një gjysëm-fjale Gramoz Ruçi, por vendimi final se cilët do të përfitojnë nga rotacioni, pritet të merret në ditët në vijim
Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar socialist, në të cilin u mor edhe vendimi për vijimin e grevës, por pa theksuar specifikat e rotacionit apo kërkesat e reja, spikati një ndarje e fortë mes tre grupeve të deputetëve. Si gjithmonë, deputetët LMN-istë s’kanë qenë thirrur fare, s’kanë qenë të pranishëm e formalisht mund të konsiderohen si të internuar, por të ashtuquajturin “unanimitet” që pretendohet se është arritur në mbledhje, e ka prishur qendrimi i ndryshëm i shumë deputetëve të rinj, dhe krijimi i një bllokade të re, nga ana e gardës së vjetër të deputetëve-pleq. Duke pasur Gjiknurin si përfaqësues, një grup deputetësh kanë mbrojtur idenë se tashmë greva e urisë mund të konsiderohet se e arriti detyrimin sensibilizues që i kishte vënë vetes, prandaj edhe do të ishte mirë që ajo të ndërpritej e të mos përzihej me teorinë e rotacionit, e cila sipas tij “do të errësonte sakrificën e heronjve tanë në çadër”. Por ky qendrim s’u ka pëlqyer Arta Dades, Ermelinda Meksit, Valentina Leskajt e ndonjë tjetre deputete në moshë, të cilat kanë bërtitur në kor “Duam të hyjmë edhe ne në grevë urie. Kemi nevojë për çadrën, pse, vetëm të rinjtë e të rejat do të mbyllen atje?”. Me kërkesat që edhe të shkuarve në moshë t’u jepet një shans i dytë për t’u ngujuar në çadër është bashkuar edhe Namik Dokle, dhe kjo duket se ka ndërruar edhe peshoren e Gramoz Ruçit, i cili në fillim të mbledhjes kishte shprehur mendimin se ndoshta grevës mund t’i jepet fund në formën siç po mbahet, por që në fund të mbledhjes, ka nuhatur edhe për veten e vet përvijimin e një perspektive ndryshe dhe ka deklaruar se ishte që greva të vazhdonte, porse forma do të diskutohej në një takim të mëvonshëm të tij, me disa kolegë të vjetër të politikës. Prej protestës së grave të vjetra të PS, që të futen edhe ato në çadër, s’është arritur të merret një vendim i qartë se si do të vijohet protesta, megjithatë, Edvini ua ka bërë koncesionin e parë, duke e lënë hëpërhë të hapur fushimin në Bulevard.