Gratë në politikë, Voflarth: Partitë kanë bërë pak

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth
TIRANË- Kreu i prezencës së OSBE-së, në vendin tonë, ambasadori Eugen Volfarth ka deklaruar sot se përfaqësimi i grave në politikë është shumë i vogël dhe në këtë drejtim partitë kanë bërë shumë pak. Në konferencën e sotme për rritjen e rolit të gruas në qeveri, në panel janë të pranishëm krahas Volfarthit, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe ministri i Punës, Spiro Ksera.
Është bërë progres, por jo shumë i pasur për sa i takon rolit të gruas në qeverisje. Është e rëndësishme të jenë 30% e grave në vendimmarrjes sidomos në sistemin politik, për të pasur përfaqësimin e grave në ligjbërje. Partitë politike kanë bërë pak për të bërë një përfaqësim të madh të grave në politikë- tha Volfarth, duke shtuar se gratë vazhdojnë të jenë të papërfaqësuara në politikë.
Sipas tij, palët politike duhet të bëjnë më shumë për të pasur një përfaqësim më të madh në listat elektorale. Ai ka kërkuar që politika tu japë mundësitë e nevojshme grave që të jenë pjesëmarrëse, pasi ky është një ndër elementet kyc të demokratizimit në Shqipëri.
Meta: Kuota mbrojtëse, por nuk zgjidh gjithçka
Kreu i LSI-së, e ka cilësuar përcaktimin e kuotës 30% mbrojtëse ndaj mentalitetit që vjen nga e shkuara, por jo zgjidhje të gjithçkaje për një përfaqësim të drejtë. Që nga krijimi i LSI kemi garantuar pjesëmarrje në 30% të grave dhe vajzave, 20% direkt nga forumi i gruas dhe 10% nga LRI që ka të garantuar 20% të përfaqësimit në të gjitha forumet e LSI- tha Meta, duke vlerësuar nismën e OSBE-së.
Sipas tij, kuotat të jenë mbrojtëse ndaj një tendence që ekziston në shoqërinë tonë për të mbrojtur gjysmën më të rëndësishme të popullsisë nga një mentalitet që vjen nga e kaluara. Me përmirësimin e kuotave nuk është gjithçka e zgjidhur, theksoj forcimin ekonomik të pozitës së gruas, mbështetja e grave sipërmarrëse duhet të jetë prioritet i çdo qeverie, force politike dhe përparësi i duhet kushtuar mbështetjes së grave kryefamiljare- tha ai.