E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë, të dhunuarat që nuk bëjnë dot kryengritjen

Me gjithë fushatën sensibilizuese, miratimin e ligjeve dhe aktivitetin e një dyzine OJF-shë, dhuna në familje vazhdon të jetë një problem i madh social, shoqëror dhe ligjor. Ndonëse është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë, vazhdon të jetë më pak e vlerësuara. Pavarësisht nga përkatësia kombëtare, kulturore, fetare apo pozita në shoqëri, femrat diskriminohen, rrihen dhe përndiqen anembanë botës.

Në një intervistë më sociologun Zyhdi Dervishi ai na tregon  se cilët janë faktorët që çojnë në këtë fenomen.

Përse femrat janë më inferiore dhe viktima të dhunës në Shqipëri. A ka faktorë specifikë?

Natyrisht shoqëria është njerëzore, ajo mbart shumë mëndësi, paragjykime për çështje të ndryshme. Më të paragjykuarat janë vajzat dhe gratë, ato janë më së shumti pararendëse për të justifikuar dhunën që ushtrohet ndaj tyre. Keqtrajtim i cili shfaqet në forma të ndryshme dhe në formën më ekstreme që është dhuna. Paragjykimet i paraprijnë dhunës ndaj grave.

Çfarë gjurmësh lë dhuna në jetën e një gruaje?

Dhuna ndryshon personalitetin e femrës, e bën atë me të tërhequr, më dyshuese, më me pak iniciativë për të kërkuar vendin e saj në jetë, si profesioniste, si nënë apo edhe si qënie sociale. Këto gra përgjithësisht janë më të tërhequra e më të shpërfytyruara dhe e kanë më të vështirë të bëjnë karrierë. Një personi që mbi të ushtrohet dhunë, kemi të bëjmë më thyerjen e personalitetit dhe kjo është diçka e rëndë, është një frakturë gati gati e pariparueshme.

Por a janë vetë gratë fajtore për dhunën që ushtrohet ndaj tyre? 

Gratë kanë një pjesë të përgjegjësisë, por faji më i madh është i atyre që e ushtrojnë dhunën, pra faji më i madh është i burrave dhe së dyti  i strukturave shtetërore të cilat duhet ta kontrollojnë. Por nëse  gratë do ta ngrenë zërin më shumë do mund të parandalojnë diçka por përgjegjësia qëndron mbi dhunuesin. 

Abuzimi është  një fenomen kompleks dhe i formave të ndryshme. Përvoja e grave të dhunuara seksualisht vërteton se dhuna bëhet e vazhdueshme dhe varion nga forma jo fizike të saj si tallje, kërcënime, fjalë poshtëruese dhe presion për ti detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e tyre, e deri në rrahje dhe përdhunim. Dhuna fizike shpesh shoqërohet me tentativa për të kontrolluar ndërveprimet shoqërore të grave dhe lëvizjet e tyre.

Meqënëse janë gratë ato prej të cilave pritet që të kujdesen për mbarëvajtjen e familjes, nuk është aspak çudi që  ato të vazhdojnë të besojnë akoma se ato duhet të sakrifikojnë nevojat e tyre personale për të rindërtuar marrëdhëniet dhe për ta mbajtur familjen të bashkuar.

Psigologia Drivalda Hoxha shpjegon se proçesi i dhunës në familje është  tepër i ndërlikuar.

Fakti që gratë janë shpesh here të përfshira emocionalisht me ata që abuzojnë me to, krijon implikime të thella në mënyrën se si e përjetojnë ato dhunën. Përfshirja emocionale e bën më të vështirë faktin që këto gra të denoncojnë dhunën ndaj tyre, prandaj janë më të prirura të durojnë dhunën duke justifikuar veprimet e dhunuesit.

Por çfarë pasojash të tjera përveç dhembjes dhe shenjave mund të ketë dhuna e ushtruar?

Dimë që dhuna psikologjike është më e keqe se sa dhuna fizike. Është një dhunë e cila lë drama dhe pasoja. Mund të themi se lë një stres të madh post traumatik për vetë faktin se ka qënë për një kohë të gjatë e dhunuar. Ka ndikuar negativisht te mbyllja në vetve, tek të qënit gjithmonë gruaja ajo që duhet të durojë, domethënë burri ka gjithmonë të drejtë. Kjo ka ndodhur më së shumti në zonat rurale. Janë më tepër gratë që janë të varura si ekonomikisht ashtu edhe fizikisht ndaj burrave. Dhuna psikologjike ka qënë më tepër dëmtuese në konceptin e të qënit femër. Këto janë femra të izoluara, femra të painformuara për realitetin, femra që nuk kanë punuar , thjesht femra që janë të varura nga burrat.

A i izolon nga jeta sociale kjo mënyrë jetese?

Kjo mënyrë jetese padyshim që i izolon nga jeta sociale, duke sjellë gra të pa emancipuara duke sjellë atë që gratë të mbyllen në guackën që gjithmonë gruaja duhet të jetë e zonja e shtëpisë, ajo që gjithmonë duhet të kujdeset për shtëpinë, për familjen, për burrin dhe asnjëherë të mos jetë ajo gruaja që të dalë, që ka nevojë të shkojë për një darkë ndoshta. Kjo është shumë larg konceptit të tyre. 

Çdo grua ka nevojë të mbrohet nga një ligji, para se dhuna të ndodhë. Deri më sot, mentaliteti ka qenë barra e çdo gruaje të dhunuar. Ajo shpesh ka zgjedhur të hesht, të harrojë vetveten, të përjetojë situate nga më poshtërueset. Por edhe në shumicën e rasteve kur dhuna denobncohet janë organet shteterore që nuk regojnë. Ende gruaja shikohet si pronë e burrit dhe ai ka të drejtë të bëjë ctë dojë me të.

Joana Allushi/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Kaosi në Egjipt, gratë bashkohen kundër ushtrisë Egjipt- Mijëra gra egjiptiane zhvilluan protesta në Kajro kundër trajtimit...
  2. Gratë janë të bukura vetëm dy orë në ditë Gratë më së miri duken dy orë gjatë ditës përkundër...
  3. Aristofani dhe Gratë në parlament në Tiranë Janë artistë të rinj që përballen me antikitetin. Është një...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›