I gjithë vendi përfshihet nga dimri i acartë – reshje të dendura dëbore në rajonin jug-lindor

Thuajse i gjithë vendi është gdhirë sot me temperatura të ulëta dhe reshje të dendura shiu dhe dëbore në zonat malore. Ulja e temperaturave në rajonin juglindor të Korçës, është shoqëruar sot edhe me reshje dëbore. Megjithëse nuk ka informacioneve për bllokime rrugësh në këtë qark, policia e Korçës i bën apel drejtuesve të automjeteve që të qarkullojnë me zinxhir. Si pasojë e motit të keq me reshje të vazhdueshme ka patur probleme të përkohshme në akset rrugore që lidhin Elbasanin me Librazhdin, Prrenjasin e Qafthanën, Qafë Krrabën, në aksin Elbasan-Peqin dhe Elbasan-Gramsh. Në këto akse ka patur herë pas here rrëshqitje të gurëve, inerteve, baltës dhe dheut. Por më e rëndë paraqitet situate përgjatë përroit të Zaranikës. Ky lumë ka prurje të jashtëzakonshme të ujit dhe gurët e shkëmbinjtë që vijnë nga malet kanë dëmtuar rëndë argjinaturat mbrojtëse, shtratin dhe bazën prej betoni të përroit duke shkaktuar zgarvra të thella.
Po kështu, moti i keq ka krijuar probleme në portin e Durrësit dhe të Vlorës. Reshjet e shiut kanë bërë të pamundur vazhdimin e punës në portin e Durrësit si dhe kanë shkaktuar përmbytje në disa rrugë te qytetit sikurse po pengojnë përpunimin e anijeve të mallrave në këtë port. Të vetmet që nuk kanë pasur probleme kanë qenë tragetet e linjës, të cilët kanë lundruar sipas grafikut të parashikuar. Ndërkohë në Vlorë reshjet e shumta kanë krijuar probleme në qytet. Situata e rënduar ka ardhur si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese në qytet, nga mbeturinat e shumta. Bllokim i kanaleve nga mbeturinat e ndryshme, të cilat i janë drejtuar vaskës thithëse të hidrovorit, kanë bërë që pompat të fiken pasi rrezikonin djegien e tyre.
Reshjet e dëborës
Gjithashtu, reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë qarkun e Dibrës. Qarkullimi ende është i lirë në shumicën e rrugëve. Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë, kalohet me zinxhirë nga Qafa e Dushkut, Qafë Buall deri te Ura e Qytetit, pasi trashësia e borës në rrugë ka kaluar 10 cm dhe fryn erë e fortë, çka vështirëson hapjen e saj. Aksi nacional Peshkopi- Kukës dhe Peshkopi - Librazhd kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Njësia Rajonale e Policisë Rrugore ka shtuar prezencën dhe u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin zinxhirët për të shmangur aksidentet dhe të mos bëhen pengesë për fadromat që punojnë në rrugë. Sipas policisë nuk do të lejohet asnjë automjet të qarkullojë pa zinxhirë ndërsa ka bërë me dije se akset Korçë-Pogradec dhe Porgadec-Qafë Thanë janë të kalueshme me zinxhirë.
...