Greket e Olimpiakosit, "dredhi odisesh" per firmen e Jahmir Hykes

Albania-SportËshtë kohë merkatoje dhe këtu futbolli nuk luhet në fushën e blertë, por nëpër zyrat e agjentëve të lojtarëve dhe të drejtuesve të klubeve dhe kjo po ndodh në rastin e talentit shqiptar, Jahmir Hyka, i cili është në bisedime me klubin grek të Olimpiakosit. Pasi aventura e tij norvegjeze te Rozenborgut u mbyll pa shumë rezultat, për shkak të burokracive, por jo talentit të tij, shtatshkurtri shqiptar është marrë në provë nga gjiganti grek i futbollit, Olimpiakosi. Ndonëse shqiptari kishte pohuar 24 orë më parë ekskluzivisht për Albania-Sport.com se ishte pranë firmës me klubin grek, burime të faqes sonë pranë këtij klubi kanë pohuar se "shqiptari nuk është se i ka bindur shumë drejtuesit e Olimpiakosit".
Gjithsesi, po ky burim pohon ekskluzivisht për Albania-Sport.com se ekziston edhe një version tjetër për talentin 19-vjecar, që do të ishte "nënshkrimi i një kontrate për klubin e Olimpiakosit, që, menjëherë paskëtaj, do ta jepte hua te një klub tjetër grek, që sipas të gjitha gjasave do të jetë Panioniosi". Një gjë e tillë të jep të kuptosh se në fakt, të gjitha këto janë manovra dhe taktika të mirënjohura të merkatos, të cilat grekët i kanë përsosur që nga koha e Odisesë. Jahmir Hyka, tiranasi trup vogël, i mbiquajtur "Maradona i ri i Ballkanit", pati pohuar dje se "janë vetëm disa detaje që po e vonojnë kalimin tim te klubi grek".
Duke folur ekskluzivisht Jahmir Hyka nga Turqia për Albania-sport.com, futbollisti shpjegon se Rozenborgu, edhe pse nuk ka mundur t'i rinovojë lejën e qëndrimit në Norvegji, nuk dëshiron ta humbasë talentin e rrallë shqiptar. "Dëshirojnë të më huazojnë te Olimpiakos, por drejtuesit e klubit grek duan kartonin tim. Edhe mua si lojtar do të më ndihmonte shumë një transferim i plotë pasi Olimpiakos është një ekip i madh që merr pjesë gjithmonë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Do të më pëlqente shumë të luaja aty. Është një vitrinë e madhe për mua. Shembulli i Sotir Nini te Panathinaikos, që është në një moshë të re se mua, flet shumë", - shton Hyka.