E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Krasniqi ende në pritje të një kundërshtari

Brian Minto, Tony Thomspon, Evander Holyfield, Mac Call apo John Ruiz, lista e gjatë e kundërshtarëve të mundshëm të junikasit. Më 17 mars Luan Krasniqi ngjitet përsëri në ring, por pyetja që akoma nuk ka marrë një përgjigje është se kundër kujt do të boksojë shqiptaro-gjermani. Lista e kandidatëve të mundshëm për të dalë në "mejdan" me Krasniqin vazhdon të rritet. Junikasi sigurisht më së shumti do të dëshironte një luftë për titullin e kampionit të botës, por pas një pauze prej tetë muajve një ëndërr e tillë duhet të presë. 35 vjecari duhet të bëhet gati për një kundërshtar të fortë, një boksier të nivelit të Lance Whitaker, për të rifituar të drejtën që të boksojë për titullin botëror të kategorisë së rëndë në versionin WBO. Amerikani i fortë, Brian Minto (ka vetëm një humbje në karrierën e tij), është një mundësi, por edhe fitorja ndaj tij nuk do ta ngrisë menjëherë Krasniqin në renditje. Një mec kundër pretendentit për titull të kampionit, amerikanit Tony Thomspon (28 fitore, 1 humbje), në rast fitoreje Krasniqit do t'i jepte me siguri mundësinë e luftës për titullin botëror. Varianti i tretë është një përballje me një boksier me emër, por që mund të mposhtet me lehtësi. Përvec veteranit Evander Holyfield, në lojë janë edhe Oliver Mac Call apo John Ruiz. Edhe Don King ka sjellë disa opsione, duke ofruar disa nga boksierët e tij si Lamon Brewster, Samuel Peter, Davaryll Williamson apo edhe bjellorusi Sergej Liakhovich, të cilët kërkojnë që të ringjiten në renditjen botërore të boksierëve të kategorisë së rëndë.
Një gjë është e sigurt, kundër cilitdo kundërshtar Krasniqi do të jetë para një prej përballjeve të tij më të vështira në ringun profesionist. Këtë ai e di më së miri dhe ka më se dy javë që ka filluar përgatitjet në Majorka të Spanjës. Përgatitje që do të vazhdojnë intensivisht deri para përballjes së 17 marsit që do të zhvillohet në "Hanns-Martin-Schleyer-Halle", një palestër me fat për të pasi katër përballjet që i ka zhvilluar aty i ka fituar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›