E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët i bien pishman

Nga Express më 04 janar 2011 në ora 18:41

Autoritetet greke janë tërhequr nga ideja për ndërtimin e një muri mbrojtës përgjatë tërë rripit kufitar me Turqinë, i cili duhej të shërbente për parandalimin e kalimit ilegal të kufirit grek.

Pas presioneve të Komisionit Evropian dhe kritikave nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Qeveria e Greqisë ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga kjo ide.

Ministria për Mbrojtjen e Qytetarit, njoftoi të martën për tërheqjen e vendimit për ndërtimin e murit prej 206 kilometrash, i cili do të shtrihej deri në lumin Marica dhe qytetin Orestiada, me qëllim të parandalimit të imigrantëve ilegalë nga shtetet e Lindjes së Mesme, që në Greqi hynin nëpërmjet Turqisë.

Ditë më parë kjo ministri publikoi një plan, që parashikonte ndërtimin e një muri mbrojtës me gjatësi prej 206 kilometrash.

Tërheqja ndodhi pasi që plani u kundërshtua edhe nga mediat, edhe pse qeveria greke arsyetonte se muri do të ishte i njëjtë me atë që i kufizon SHBA me Meksikon.

Ministri grek, Christos Papucis, argumentoi se gjatë 2010 në Greqi hynin mesatarisht nga 200 imigrantë ilegalë në ditë kanë, dhe se të gjithë ata hynë nëpërmjet Turqisë.

Rreth 90 përqind e imigrantëve që ia mësyjnë shteteve anëtare të BE’së hyjnë nëpërmjet Greqisë. Ekipe të BE’së për kontrollimin e kufijve, të shoqëruara edhe nga policia lokale greke, që nga nëntori i vitit të kaluar patrullojnë përgjatë kufirit me Turqinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›