Grekët i gjejnë të ngrirë: Janë me fat që janë gjallë
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Klandestinët që u gjetën nga policia greke në fshatin Kristopologji po marrin trajtim mje-kësor në spitalin e Kosturit.
"Është fat që janë gjallë", pohuan policët grekë për palën shqiptare, ndërsa komunikuan zyrtarisht emrat dhe gjendjen e tyre. Ata janë Përparim Cali, 23 vjeç nga fshati Golem, Shkodër; Valentina Verri, 33 vjeçe, Golem, Shkodër; Aleksandër Dushaj, 23 vjeç, Pukë; Vitore Dushaj, 21 vjeçe, Pukë; Marjeta Gjelaj, 21 vjeçe, Shkodër; Andueneta Gjela, 3 vjeçe, Shkodër dhe Klaudia Verri, 3 vjeçe, Shkodër. Mësohet se gjendja e tyre është përmirësuar pas trajtimit mjekësor. Për palën greke një aventurë e tillë nuk ishte dëgjuar ndonjëherë më parë në historitë e kalimeve ilegale të refugjatëve përmes shtigjeve malore të kufirit tokësor. Mësohet se në momentin e gjetjes, ata ishin në gjendje të rëndë, thuajse të ngrirë. Pesë klandestinët e rritur, mes të cilëve tri gra, kishin bërë përpjekje maksimale për të mbrojtur nga ngrica dy fëmijët e vegjël, vetëm 3 vjeç. Duke pasur udhërrëfyes Përparim Calin, 23 vjeç, nga fshati Golem i Shkodrës, klandestinët kishin ecur nëpër shtigjet malore të mbuluar me mbi gjysmë metër dëborë dhe në temperatura disa gradë nën zero për 14 orë rresht. Por ata janë pikasur nga policia greke, e cila bëri edhe ndalimin e tyre. Klandestinët kanë shfaqur plogështi të përgjithshme, e cila është vlerësuar nga pala greke. Prania edhe e dy fëmijëve 3-vjeçarë pa ndjenja bëri që të niseshin të gjithë urgjent drejt spitalit të Kosturit. Drejtori i Policisë Kufitare të Qarkut të Korçës, Eduart Caka, i cili ka drejtuar kërkimet e këtij grupi klandestinësh, deri sa u mësua lajmi se kishin shpëtuar nga bllokimi në dëborë, dje komunikoi disa herë me homologët e tij grekë. Sipas tij, gjendja shëndetësore e 7 klandestinëve në fillim ka qenë shumë e rënduar. Shkak, sipas tij, nuk ishte vetëm lodhja dhe i ftohti, por edhe mungesa e lëngjeve dhe ushqimit. Edhe pse ata kanë pasur me vete ushqime, jo vetëm që nuk i kishin konsumuar, por për të mos i pasur ngarkesë i kanë flakur. Në spitalin e Kosturit personeli mjekësor ka marrë masa urgjente për t'i ndihmuar që të rehabilitonin forcat e për të kaluar gjendjen e vështirë shëndetësore. Ndërkohë, ende nuk ka të dhëna për riatdhesimin e tyre. Kjo për shkak se në bazë të procedurave ligjore, ata do të procedohen për shkeljen e paligjshme të kufirit. Sipas burimeve në policinë e Korçës, dy djemtë, që ishin në përbërje të këtij grupi klandestinësh, Përparim Cali dhe Aleksandër Dushaj, 22-vjeçarë nga Puka, në bazë të informacionit paraprak të ardhur nga policia greke kanë hyrë edhe disa herë të tjera ilegalisht në tokën helene.
Nën akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit, ata janë gjykuar e dënuar edhe herë tjetër. Duke qenë përsëritës u është hequr e drejta për të hyrë në tokën greke për pesë vjet rresht. Ky fakt mund të rëndojë mbi ata, aq sa policia greke të mos kryejë riatdhesimin e tyre, por t'i procedojë penalisht. Ndërsa për pjesën tjetër të klandestinëve, burimet shprehen se ka pak gjasa t'i ndalojnë, pasi pjesa më e madhe janë gra e fëmijë. Pritet që në ditët në vijim policia greke të kryejë riatdhesimin e tyre. Mësohet se njëra nga vajzat trevjeçare, ka pasur komplikacione në rrugët e frymëmarrjes, por tani ka kaluar rrezikun.
Klandestinët
Përparim Cali, 23 vjeç
Valentina Verri, 33 vjeçe
Aleksandër Dushaj, 23 vjeç
Vitore Dushaj, 21 vjeçe
Marjeta Gjelaj, 21 vjeçe
Andueneta Gjela, 3 vjeçe
Klaudia Verri, 3 vjeçe
"Vajzës nuk i dhanë dokumente në ambasadë, u nis maleve"
SHKODER - Në familjen e Pal Bregut, babait të Valentina Verrit, e cila i shpëtoi tragjedisë së mundshme në malet me kufirin grek, ka rënë një hije trishtimi, frike dhe pasigurie. Sipas tyre, Valentina së bashku me vajzën e saj 3 vjeçe u nisën drejt Greqisë, të detyruar nga kushtet e vështira ekonomike. Ndonëse kishte studiuar për infermieri, 33-vjeçarja ishte e papunë. "Vajza ime është nisur për në Greqi me kunatën dhe kunatin. Pasi kemi humbur kontaktet nëpërmjet telefonit dhe kur ne po prisnim të mësonim nëse ato kanë mbërritur në Greqi apo jo, nga televizioni mësuam ngjarjen. Na thanë se Valentina ishte në gjendje të rëndë, ndërsa vajza, Klaudia, disi më mirë", u shpreh Pal Bregu, babai i Valentinës. Sipas 75-vjeçarit, e bija ishte nisur me një grup prej 15 personash, 6 prej të cilëve nga rrethi i Shkodrës. "Nuk e di se me kë janë marrë vesh, vetëm se më tha që do të shkojmë së bashku me kunatën dhe kunatin", u shpreh ai. Mësohet se 33-vjeçarja prej 5 vitesh është e martuar me Gjelosh Verrin. Ai jetonte prej 15 vitesh në shtetin fqinj i pajisur me dokumente të rregullta. Sipas familjarëve, edhe pse vajza e tyre kishte përgatitur gjithë dokumentacionin për në ambasadë, ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive. Prindërit e saj bëjnë të ditur se përveç bashkimit me bashkëshortin e saj, shtysë për t'u larguar nga Shqipëria ishin bërë edhe kushtet e rënda ekonomike. Pamundësia e gjetjes së një pune dhe përballja me vështirësitë për rritjen e vajzës së saj, kanë ndikuar që Valentina të merrte rrugën e Greqisë për t'u bashkuar me të shoqin. I moshuari Bregu nuk di të thotë se si do të shkojë kjo histori, por ai ka frikë se e bija, megjithëkëtë që ndodhi, do të niset sërish maleve me qëllim për të bashkuar fëmijën e saj me të atin. r.d